Politika, ngushëllime për ndarjen nga jeta të Imzot Rrok Mirditës

543
Përfaqësues të partive politike në vend si dhe personalitete të tjera të saj kanë shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Arqipeshkvit të Kryedioqezës së Tiranës dhe Durrësit, Imzot Rrok Mirdita.

Kreu i shtetit, Bujar Nishani përmes një mesazhi të publikuar në faqen zyrtare të Presidencës ka shprehur keqardhjen për ndarjen nga jeta të Imzot Rrok Mirditës, i cili sipas presidentit u bë mishërimi i asaj që me të drejtë ai e quante “dalja e Kishës Katolike në Shqipëri nga katakombet e dhunës diktatoriale.

“Presidenti i Republikës, Bujar Nishani shpreh keqardhjen e thellë për ndarjen nga jeta të Imzot Rrok Mirditës, Arqipeshkv i Kryedioqezës së Tiranës dhe Durrësit, si dhe i shpreh ngushëllimet më të ndjera e të sinqerta familjarëve, komunitetit katolik dhe Kishës Katolike në Shqipëri dhe të gjithë miqve dhe bashkëpunëtorëve të të ndjerit.
Presidenti Nishani vlerëson se Imzoti Mirdita u bë mishërimi i asaj që me të drejtë ai e quante ‘dalja e Kishës Katolike në Shqipëri nga katakombet e dhunës diktatoriale’.
Që pas rënies së komunizmit dhe ndryshimeve demokratike në vend në vitin 1992, Imzot Mirdita riktheu mes komunitetit katolik, por jo vetëm, ritet, vlerat dhe traditat më të mira shumëshekullore të krishtera .
Imzot Mirdita do të mbahet mend me mirënjohje edhe për rolin e tij shumë domethënës në ruajtjen dhe forcimin e bashkëjetesës fetare në Shqipërinë post komuniste, duke bashkëpunuar ngushtë me drejtuesit e lartë të besimeve të tjera fetare në Shqipëri. Mesazhet e tij, shkonin përtej predikimeve fetare, duke prekur zemrat dhe mendjet e bashkatdhetarëve të tij për një shoqëri vlerash.
Presidenti Nishani, duke u lutur që Imzot Rrok Mirdita të gjejë prehjen e amshuar, shpreh bindjen se imazhi dhe mesazhet e të ndjerit prelat katolik do të mbesin gjatë në kujtesën e mbarë shqiptarëve”, thuhet në mesazhin e kreut të shtetit.
Përmes një postimi në faqen e vet në Facebook, kryeministri Edi Rama shkruan: ‘Lamtumirë miku i të gjithëve’, postim të cilin e shoqëron me një foto të Arqipeshkvit të ndjerë.
Kreu i PD, Lulzim Basha gjithashtu përmes rrjeteve sociale ka shprehur hidhërimin për ndarjen nga jeta të Monsinjor Rrok Mirditës, i cili sipas kryedemokratit ‘do të mbahet mend për përkushtimin e madh në ringritjen shpirtërore të vendit, pas regjimit kriminal që privoi shqiptarët nga e drejta e besimit e që shembi kishat e xhamiat’.
“Me hidhërim të thellë mësova lajmin e ndarjes nga jeta të Monsinjor Rrok Mirditës.
Monsinjor Mirdita do të mbahet mend për përkushtimin e madh në ringritjen shpirtërore të vendit, pas regjimit kriminal që privoi shqiptarët nga e drejta e besimit e që shembi kishat e xhamiat.
Kam pasur privilegjin të takohem shpesh me të, dhe nuk i harroj kurrë shqetësimet e tij dhe lutjet e tij për të varfërit, të pamundurit, kërkesat e tij të vazhdueshme për drejtësi shoqërore.
Monsinjor Mirdita, i shuguruar Ipeshkëv në vizitën apostolike në Shqipëri të Papa Gjon Palit II në vitin 1993, jam i bindur se po shkon i qetë në shtëpinë e Atit të tij, pasi nje jete te tere ne sherbim te Zotit, besimtarëve dhe popullit te tij”, shkruan Basha.
Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet gjithashtu ka shprehur ngushëllimet për humbjen e madhe të kombit shqiptar dhe uron që pasardhësi i tij të ketë zellin atdhetar e fetar të këtij prelati të rrallë.
“Imzot Rrok Mirdita përfaqësonte për kombin shqiptar shumë më tepër se një Bari e At Shpirtëror. Ai vjen nga trevat kombëtare jashtë Atdheut, mbrojti kauzat kombëtare në kishat shqiptare në SHBA dhe ringriti nga hiçi Kishën Katolike në Shqipëri me atdhedashuri të pashoqe dhe besim të palëkundur në Zot. Imzot Rrok Mirdita shkoi pranë Zotit dhe la ndër nesh punën e zemrën e tij. PDIU ngushëllon mbarë kombin shqiptar për këtë humbje dhe uron që pasardhësi i tij të ketë zellin atdhetar e fetar të këtij prelati të rrallë. Imzot Rrok Mirdita meshoi për Çamërinë si një klerik patriot, duke e cilësuar si privilegj e detyrë fetare e kombëtare. U prehtë në paqe!”, thuhet në reagimin e PDIU-së.
Sigal