Sigal

SHKODER- “Menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjeve mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, roli i këtyre dy shteteve do të rrisë edhe sigurinë dhe stabilitetin në Ballkan”.

Kështu është shprehur ministrja e Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë, Olta Xhaçka në një prononcim mbi hapat që do të ndiqen pas kësaj marrëveshjes së nënshkruar për Policimin Ajror dhe Emergjencat Civile.

“Si anëtarë të NATO-s kontribuojmë në mënyrën më të mirë në sigurinë dhe stabilitetin e rajoni. Shqipëria dhe Mali i Zi janë kontribues faktik në rritjen e sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe NATO. Marrëveshjet, përbëjnë një hap të rëndësishëm në rrugëtimin tonë rajonal dhe atë euro-atlanik”, ka thënë ministrja.

Xhaçka ka theksuar se Shqipëria dhe Mali i Zi, do të ketë bashkëpunim të shkëlqyer mes emergjencave civile dhe patrullimit ajror.

“Ne kemi vullnet të përbashkët për të bashkërenduar përpjekjet për rritjen e sigurisë së qytetarëve tanë. Ndajmë të njëjtat rreziqe dhe përballemi me të njëjtat sfida me Malin e Zi. Pranë njeri-tjetrit për t’i ofruar ndihmë për të përballuar me sukses këto kërcënime të përbashkëta. Vendet tona kanë detyrime ndaj Aleancës. Këto marrëveshje materializojnë pikërisht përmbushjen e këtyre detyrimeve”, ka sqaruar Xhaçka.

Ndërsa e ka cilësuar marrëveshjen një rrugë të hapur për bashkëpunimin, rritjen e sigurisë në rajon dhe zonën Euro-Atlantike, nënshkrimi i marrëveshjeve nga Ministrat e dy vendeve u krye në mbledhjen e përbashkët të qeverive Shqipëri – Mal i zi që po mbahet në Shkodër.