Policia tërheq zvarrë mjekun dhe biznesmenin në mes të Durrësit

532
Banorët e lagjes 4 dhe personat që në orët e drekës janë gjendur në qendër të Durrësit, janë shokuar nga pamjet tronditëse të dhunës së ushtruar nga një furgon i tejmbushur me policë, ndaj një mjeku dhe një biznesmeni. Ngjarja e rëndë ka ndodhur para disa ditësh, kur në vendin e quajtur “ish-fermentimi duhanit”, në një lokal fare pranë, ka nisur një sherr mes një qytetari me profesion hidraulik dhe një kalimtari për punë lekësh, dhe ka përfunduar nga debate në sherrin masiv me grushta mes tyre dhe të njohurve të tyre. Pa kaluar 10 minuta në vendin e ngjarjes ka ardhur me sirena e ulërima një motor dhe një furgon policie i tejmbushur me uniforma blu nga të komisariatit të Durrësit, ku ka nisur dhunën ndaj dy protagonistëve të debatit dhe sherrit (njëri prej tyre i dehur). 

Më pas kanë nisur të rrahin dhe të futin në automjetin e tyre edhe një mjek dhe një biznesmen, të ndodhur rastësisht atje. Sipas biznesmenit L.N. dhe mjekut R.M. “ngjarja ka nisur 10 minuta pasi ne kishim ardhur dhe ishim ulur në lokalin aty pranë për një kafe, fillimisht dy personat kanë nisur të debatojnë dhe pastaj të zihen me grushta, dhe pa mbaruar mirë sherri mes tyre, ka mbërritur furgoni me police, që ka nisur dhunën ndaj tyre, dhe çuditërisht edhe ndaj nesh, një absurditet që nuk bën vaki në asnjë vend diktatorial dhe jo në një vend që pretendon se është me demokraci”. Mjeku dhe biznesmeni durrsak treguan se “dhuna e marrjes nga lokal ku ishim në punën tone duke pirë kafe, nuk ishte asgjë me dhunën barbare që ushtruan policë dhe civilë sapo kemi zbritur nga furgoni në oborrin e komisariatit, u lëshuan mbi ne, sikur të ishim kriminelë, pavarësisht se u thashë se jam mjek, dhe se nuk kishim asnjë lidhje me ngjarjen, na shanë dhe dhunuan dhe si përfundim na mbajtën plot 72 orë në një dhomë me sipërfaqe 2 me 2.5 metra, ku thamë se nuk do të dilnim gjallë pasi ishim plot 8 veta brenda saj, kur temperaturat ishin mbi 40 gradë”.

 Odiseja e ndalimit , dhunimit dhe lirimit të dy qytetarëve të pa implikuar në ngjarjen e ndodhur në qendër të Durrësit, nuk do të përfundonte me kaq. Pas 72 orësh mjeku dhe biznesmeni “lirohen me kusht”, por policia dhe hetuesit kishin ngritur akuzën mbi ata me pretendimin se “kanë kanosur fyer dhe goditur uniformat blu”, duke e nisur çështjen drejt Apelit. Tashmë i mbetet Apelit të vendosë për lirimin apo kthimin në qeli të mjekut dhe biznesmenit të dhunuar nga 12 policët e furgonit të komisariatit të Durrësit. Dhuna e policisë ndaj qytetarëve të rastësishëm dhe të pafajshëm shpesh po kthehet në rutinë të zakonshme të punës së “çunave të Tahirit”, që nuk po kursejnë as intelektualët që realisht nuk janë shtresa vulgare që problemet e tyre mund ti zgjidhin në rrugë përmes debateve dhe sherreve. Mjeku dhe biznesmeni nga Durrësi apelojnë për “qetësi mendore dhe fizike nga ana e policisë, për zbatimin e ligjit dhe jo dhunës ndaj qytetarëve të pafajshëm, për profesionalizëm dhe jo militantizëm në radhët e policisë, për ndërprerjen e dhunës ndaj çdo qytetari qoftë ky edhe fajtor apo i akuzuar për vepra penale, pasi ligji dhe vetëm ligji është ndëshkuesi më i mirë dhe i vetëm në sistemin demokratik, ndryshe mbetet të themi se jemi rikthyer në diktaturë”. Ata i bëjnë thirrje Avokatit të Popullit të verifikojë çdo ngjarje të tillë, ku ushtrohet dhunë verbale dhe veçanërisht fizike ndaj të ndaluarve, i bëjnë thirrje atij të verifikojë kushtet ç’njerëzore të qelive dhe dhomave të ndalimit në Komisariatin e Durrësit, brenda të cilave qëndrojnë prej javësh dhe muajsh qindra persona, pa kushtet më minimale të jetesës, ku shpesh këto të fundit bëhen shkak për vetëvrasjet e të ndaluarve. Ata i bëjnë thirrje Ministrit Tahiri që në raste të tilla të mos thotë “bravo çuna”, por “turp për ju çuna” dhe të marrë masa ndaj tyre dhe jo ti gradojë.
Sigal