Policia nuk u jep pagesat 1100 “informatorëve popullorë”, ata kërcënojnë me bojkot të spiunimeve

700
Sigal

Redaksia e Gazetës “Telegraf”, ka marrë dje një telefonatë anonime, nga një informator anonim i Policisë së Shtetit, i cili ka kërkuar të denoncohet fakti, që këtij denoncuesi dhe afro 1100 “kolegëve” të tij të shumtë që informojnë “konfidencialisht” në numrat 129 e 112 të policisë, ose në numrat e inspektorëve të zonave, nuk u janë shlyer pagesat e spiunllëqeve që kanë bërë në polici, paçka se ato kanë qenë të vlefshme e janë përdorur duke zbuluar krimet e për të kapur autorët e tyre, ose duke parandaluar krime të ndryshme! Sipas denoncuesit “informator i policisë”, këto pagesa janë bllokuar prej Ministrisë së Brendshme dhe ata po sorrollaten me premtime boshe. Faktikisht, “informatorët popullorë” punojnë mes sakrificash edhe jetësore, paçka se janë “ilegalë” dhe njihen me “kode numerike” e jo me emrat real, ose me emra fallco të miratuar nga polici. Emrat e tyre të vërtetë i dinë vetëm disa persona, të cilët dënohen e përjashtohen nga shërbimi policor, nëse dikush prej tyre dekonspirohet.

 Sipas ligjit në fuqi dhe VKM-së së posaçme, ata janë angazhuar e “atashuar” si “spiun”, pas një “thirrjeje” të bërë prej Ministrisë së Brendshme, për bashkëpunim kundrejt pagesës për çdo spiunllëk të vlefshëm, për të cilët pagesa bëhet sipas rëndësisë së çdo spiunllëku! Mirëpo ata ankohen, se këto spiunime nuk po u paguhen qysh prej 1 janarit 2016, ndërkohë që janë edhe afro 330 “informatorë popullorë”, që ende nuk kanë marrë pagesat e plota as për periudhën 1 korrik 2016-31 dhjetor 2016. Kjo zvarritje e tej-zgjatur e pagesave, ka detyruar shumë prej informatorëve, që të zhgënjehen e të heqin dorë nga spiunllëqet, ose të pakësojnë volumin e punës, duke bërë presion për pagesat! Mirëpo edhe policia nga ana e saj, ka nisur presionin, duke i paralajmëruar “me stil” se nëse shkëpusin lidhjet, ose nëse ulin ritmin e informacioneve, do t’i dekonspirojnë në lagje, në qendrat e punës dhe rrjetet sociale, për t’i diskretituar, mbasi siç dihet “puna e spiunit” cilësohet e trajtohet si një “turp” në shoqërinë shqiptare. Mirëpo edhe ky presion, nuk i ka stepur “informatorët popullorë”, duke kërkuar ndërhyrjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, të ministrit Tahiri e madje edhe të kryeministrit, prej nga thuhet se u është kthyer përgjigje premtuese për shlyerje të shpejt të pagesave të spiunllëqeve.
 Fakti është ky: Vonesa e pagesave edhe me 6 muaj e të disave edhe me 1 vit, ka krijuar një rënie të numrit të informacioneve që i vinin më parë policisë, gjë që ka krijuar një ngërç informacionesh për “veshin” e policisë së shtetit. Sipas burimeve nga policia, “informatorët popullorë” sillnin volumin më të madh të spiunllëqeve. Informacionet e tyre janë përcaktuese për mbarëvajtjen e punës së policisë në luftën kundër krimit, mbasi është fakt që në policinë e shtetit mungon fuqia profesionale e strukturës së agjentëve dhe inspektorëve policorë e hetimorë në terren, për të “kapur e zbuluar” çdo gjë “anti-ligj” që ndodh në qytet, në fshat, në lagje, në bllok, në rrugë, në tregje, në lokale e pallate! Pagesat e caktuara për “informatorët popullorë” kanë çmime të ndryshme për çdo spiunim. Kjo pagesë ka nxitur shumë persona në nevojë ekonomike që të rekrutohen, shumica duke kërkuar vetë që të bëjnë punë e spiunit në qytet, në bllok, në fshat, në qendër pune, në mjedise publike e kudo ku atyre u caktohet “zona e shërbimit”. Ata kanë qenë e janë të suksesshëm në “detyrë”, duke e mbushur policinë me informacione të çdo lloji, shpesh edhe shumë të rëndësishme për krime të veçanta që mund të zbulohen vetëm nga “syri dhe veshi i popullit”. 
Një fakt: Afro 80% e informacioneve mbi të cilët policia nisur hetimet, ka organizuar operacionet dhe ka finalizuar aksionet, kanë si burim “spiunët popullorë” me pagesë. Por pavarësisht volumit dhe suksesit të tyre në “punë”, spiunëve popullorë nuk po u jepen pagesat, sidomos spiunëve të Tiranës, Elbasanit, Mirditës, Korçës, Shkodrës, Vlorës, Dibrës, e Gjirokastrës. Këto pagesa “spiunllëqesh” i ligjëron VKM Nr. 740, datë 5. 11. 2014 “Për përcaktimin e funksioneve korresponduese për gradat e personelit operacional në Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Punëve të Brendshme”. Vendimi për pagesën e “spiunëve popullorë” përcakton masën në buxhetin total vjetor të Policisë së Shtetit, kushtet dhe kriteret e shpenzimit të fondit të posaçëm. Sipas Ligjit Nr. 70/2014, datë 10. 07. 2014 “Për shërbimin për çështjet e brendshme dhe ankesat (spiunllëqet e vlefshme) që depozitohen në Ministrinë e Brendshme”, prej 20 muajsh është ndërtuar një strukturë bazë me “informatorë popullorë me pagesë”, të cilët mbulojnë me vrojtim e raportim individë, grupe e zona të caktuara, si dikur ish-“1200-shat” e sigurimit të shtetit. Sipas Ligjit Nr. 70/2014, datë 8 gusht 2014, publikuar në “Fletore Zyrtare” Nr. 124, datë 8 gusht 2014 dhe VKM të datës 5 nëntor 2014 është përcaktuar një fond i posaçëm në funksion të “spiunëve popullorë”.
 Burime nga brenda Policisë së Shtetit, thonë se 60% e kontingjentit të spiunëve popullorë që janë në “shërbim”, janë ish-spiunë të sigurimit të shtetit, të moshës 50-65 vjeç, të rekrutuar por edhe të evidentuar dhe riaktivizuar me dëshirë për pagesë, me dëshirë si “sëmundje e vjetër”, por edhe me pak presion për të kaluarën e tyre, duke shfrytëzuar “eksperiencën’ që ata kanë në aktivitetin e përgjim-raportimeve të elementëve “negativë’. Sipas Ligjit Nr. 70/2014, datë 8 gusht 2014 dhe VKM të datës 5 nëntor 2014 të miratuar në datën 10. 07. 2014 e të shpallur me Dekretin Nr. 8646, datë 30. 07. 2014 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, pagesa vjetore e “informatorëve popullorë” është sa 15% e buxhetit vjetor të Policisë së Shtetit. Mirëpo kjo pagesë edhe pse është planifikuar në buxhetin vjetor të policisë, nuk po u jepet siç u dha muajt e parë të “punës”! Ndaj kanë reaguar edhe me paralajmërimin se do të ndërpresin “spiunimet”! Madje ata denoncojnë e nuk pranojnë edhe padrejtësinë tjetër, që me “urdhër të brendshëm” të kupolës së Ministrisë së Brendshme u është ulur me 20-30% çmimi i spiunimeve që dërgojnë në polici.