Policia ndjek dy Benzat nëpër Sarandë por kap vetëm 2 trafikantë, në bagazh gjen 17 kg hashash

520
Policia e Sarandës ka sekuestruar 17 kg lëndë narkotike e dyshuar Cannabis Sattiva dhe ka vënë në pranga 2 persona, ndërsa 2 të tjerë janë shpallur në kërkim.

Sipas të dhënave zyrtare janë arrestuar shtetasit: Agron Prenga, 26 vjeç dhe Mariglen Hysenaj, 24 vjeç, të dy banues në Sarandë.
Mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative se në qytet po qarkullonin 2 automjete të cilët dyshoheshin se po transportonin lëndë narkotike, Policia e Sarandës, ditën e djeshme menjëherë filloi ndjekja e këtyre mjeteve derisa u bë i mundur bllokimi i tyre në lagjen nr.1 Sarandë.

Në bazë të këtij operacioni, policia bëri të mundur bllokimin e dy automjeteve në lagjen nr.1 Sarandë dhe arrestimin e dy prej autorëve, pasi dy shtetas të tjerë në momentin e ndërhyrjes në flagrancë nga policia, janë larguar me shpejtësi nëpër rrugicat e qytetit.

Nga kontrolli i ushtruar në mjetin tip “Benz-ML” me targë AA 371 ML, u konstatua një sasi me lëndë narkotike me peshë prej 17 kg e dyshuar Cannabis Sattiva, 16 pako, të futura në një çantë sportive në bagazhin e këtij mjeti.

Në këtë mjet, policia bëri arrestimin në flagrancë të shtetasit Mariglen Hysenaj, si dhe ka shpallur në kërkim drejtuesin e këtij mjeti, shtetasin K.L., 29 vjeç.

Gjithashtu, në mjetin tjetër tip “Benz C-Clas”, me targë AA 109 IL, policia ka arrestuar në flagrancë drejtuesin e këtij mjeti, shtetasin Agron Prenga, si dhe ka shpallur në kërkim pasagjerin tjetër në këtë mjet, shtetasin grek A.E., 31 vjeç.

Nga hetimet e kryera, dyshohet se autorët kishin për qëllim të trafikonin lëndën narkotike drejt shtetit grek.

Po punohet për kapjen e autorëve të shpallur në kërkim si dhe të bashkëpunëtorëve të tjerë të implikuar në këtë vepër penale.
.
Sigal