Policia me dorë ‘të hekurt’ ndaj shoferëve, 34 të arrestuar dhe 2078 gjoba

475
Sigal

Të paktën 34 drejtues mjetesh të arrestuar, 80 patenta të bllokuara dhe 2078 masa administrative. Ky ka qenë bilanci i operacionit të policisë “Tispol” në kuadër të zbatimit të rregullave të qarkullimit. Burime zyrtare nga policia bënë me dije se aksioni është shtrirë në rrugët dytësore dhe zonat rurale përgjatë 48 orëve të fundit.

Të njëjtat burime sqarojnë se kontrollet janë përqendruar në parandalimin e ngjarjeve rrugore që shkaktohen kryesisht nga drejtimi i mjeteve pas përdorimit të pijeve alkoolike apo në gjendje të dehur, nga drejtimi i mjetit pa leje drejtimi, nga drejtimi i mjeteve pa rrip sigurimi, si dhe në ndëshkimin e atyre drejtuese të mjeteve që përdorin celularin apo dhe motoçiklistët pa kaska mbrojtëse.

“Gjatë operacionit “Tispol”, në të gjithë vendin, u arrestuan 34 drejtues mjetesh, nga këta 4 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 30 për drejtim mjeti pa leje drejtimi. Duke përdorur aparatet drager janë evidentuar dhe u është pezulluar leja e drejtimit 44 drejtuesve të mjeteve, të cilët drejtonin mjetin nën efektin e alkoolit. Gjithashtu, nga kontrollet parandaluese, u konstatuan me radar 36 drejtues mjetesh, të cilët qarkullonin me shpejtësi mbi normat e lejuara, si dhe janë proceduar administrativisht me sanksion plotësues 338 drejtues mjetesh dhe motomjetesh.

Janë vendosur 202 masa për përdorim celulari gjatë drejtimit të mjetit, të cilat evidentuar nga kontrollet e kombinuara me punonjës policie civilë. 302 masa për mospërdorim të rripit të sigurimit, 292 për parakalime të gabuara, 62 për mosvendosje të kaskës mbrojtës, ndërsa pjesa tjetër prej 877 masash administrative për shkelje të ndryshme. Policia Rrugore është e angazhuar maksimalisht në parandalimin e aksidenteve rrugore dhe rritjen e parametrave të sigurisë së jetës në rrugë. Falënderojmë qytetarët që çdo ditë e më shumë denoncojnë shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor e çdo paligjshmëri tjetër dhe i ftojmë që të kontribuojnë duke denoncuar në Komisariatin Dixhital dhe 112 çdo rast të paligjshmërisë”, thuhet në njoftimin e policisë.