Policia i hyn në arat me kanabis, kultivuesi qëllon me armë efektivin

516
Një person i akuzuar për kultivim kanabisi në disa parcela toke në zonën e Memaliajt përballet me akuza të rënda te Krimet e Rënda, pasi kundërshtoi me armë aksionin e policisë në korrik 2016.
Prokuroria e Krimeve të Rënda i ka njoftuar akuzën shtetasit Halil Shyti dhe ka dërguar në gjyq dosjen penale ndaj tij me disa vepra të rënda penale. I pandehuri është arrestuar në korrik 2016 bashkë me një të afërm të tij, por mësohet se ka marrë përsipër vetë kryerjen e krimit, ndërsa provat nuk kanë fajësuar njeri tjetër në lidhje me ngjarjen.
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka ngritur ndaj shtetasit Halil Shyti akuzat për kryerjen e veprave penale si “vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, e mbetur në tentativë, “kultivimi i bimëve narkotike”, “vjedhja e energjisë elektrike”, si dhe “prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe armëve sportive”.
Sipas hetimeve të Prokurorisë, ngjarja ka ndodhur më 20 korrik 2016, kur forcat e Policisë së Shtetit kanë kryer një aksion antidrogë në zonën e Memaliajt. Gjatë aksionit antikanabis në Memaliaj, policia është gjendur atë ditë përballë kundërpërgjigjes me armë.
Një punonjës policie, me iniciale A.H, ka pësuar plagosje të lehtë gjatë aksionit, ndërsa, sipas ekzaminimeve, dëmtimi nuk ka ardhur nga plumbat, por ka ardhur nga grimcat e forta që janë shkaktuar nga fakti se predhat kanë kaluar fare pranë tij.
PËRPLASJE ME ARMË PËR DROGËN
Sipas hetimeve ka qenë 21-vjeçari Halil Shyti që ka qëlluar me armë ndaj forcave të policisë gjatë aksionit, ku u asgjësuan më shumë se 1300 rrënjë kanabis sativa. Referuar hetimeve dhe këqyrjes së vendit të ngjarjes, prokuroria bën me dije se i riu ka përdorur armë gjahu dhe ka qëlluar ndaj policisë, e cila po kryente një aksion për shkatërrimin e parcelave me kanabis në këtë zonë.
Për këtë arsye, bashkë me Halil Shytin, ditën e ngjarjes është arrestuar edhe babai i tij, i cili tashmë i ka shpëtuar ndjekjes penale. “Të dy këta shtetas (babë dhe bir) u kapën në parcelat e mbjella me bimë narkotike në lagjen ‘Llakaj’, Krahës-Tepelenë.
Në momentin që shërbimet e policisë kanë shkuar për të asgjësuar bimët narkotike, shtetasi Halil Shyti ka qëlluar me një armë gjahu teke, të cilën e mbante pa leje në drejtim të punonjësve të policisë, ku ka mbetur i dëmtuar punonjësi i Policisë, A.H.”, ka theksuar policia pas aksionit.
Sipas Prokurorisë, të shtënat me armë kanë qenë të rrezikshme dhe intensive, duke vënë në diskutim sigurinë dhe jetën e punonjësve të policisë. “Nga këqyrja e vendit të ngjarjes u konstatuan dhe u asgjësuan 1300 bimë narkotike kanabis sativa. Gjithashtu u konstatua dhe një kabull, me anë të të cilit vidhej energji elektrike, si dhe nga kontrolli i ushtruar në banesë u gjet dhe një armë gjahu tjetër pa leje”, ka sqaruar Policia në lidhje me ngjarjen.
Sigal