Policia e Shtetit ka abuzuar me përgjimet, instalon shtetin policor në Shqipëri

541
Është fakt, që është pranuar edhe nga zyrtarët e lartë të Policisë së Shtetit, edhe nga ministri i Rendit, edhe nga qeveria jonë. Që Policia e Shtetit ka përdorur pajisje përgjimi, pa marrë autorizimin nga Prokuroria dhe Gjykata, sipas ligjit në Shqipëri, dhe më e keqja, është se në këtë rast, Policia e Shtetit e ka përdorur pajisjen e përgjimit vetëm me… urdhër politik. Gazeta “Telegraf”, në forumin për të zbardhur të vërtetën për pajisjen e përgjimit, që përdori Policia e Shtetit, në kundërshtim flagrant me ligjin, përcjell mendimet e ish kryetarit të SHISH, Prof. Dr. Fatos Klosi, të ish drejtorit të Përgjithshëm të Doganave, Flamur Gjymishka, të kryetarit të tyre PAA Agron Duka, të ish deputetit të PS Marko Bello dhe të Prof. Dr. Tritan Kalo. Flamur Gjymishka, ish drejtori i Përgjithshëm i Doganave, pohon se pajisja e përgjimit që përdori Policia e Shtetit duhet të ishte doganuar, duke iu nënshtruar procedurave sipas ligjit përkatës. Fatos Klosi, ish kryetari i SHISH, pohon se përgjimet e Policisë së Shtetit nuk vënë në rrezik Sigurinë Kombëtare, por cenojnë privatësinë private dhe të drejtat demokratike të personave. Kryetari i PAA Agron Duka, thotë për “Telegraf” se Policia e Shtetit, duke përgjuar qytetarët, politikanët, pa marrë më parë miratimin e prokurorisë dhe gjykatave rrezikon Sigurinë Kombëtare, sepse mban në trysni politike kundërshtarët politikë të qeverisë. Ish deputeti i PS, Marko Bello, thotë se Policia e Shtetit, duke përgjuar me urdhër politik instalon shtetin policor dhe vihet në shërbim të pushtetit. Prof. Dr. Tritan Kalo, hedh dritë në një këndvështrim më origjinal, duke argumentuar, se “Të gjithë palët politike përgjojnë njëri-tjetrin, bëhet zhurmë për të penguar reformën në drejtësi”, ndaj, shton zoti Kalo, e gjithë kjo është një zhurmë propagandistike, për të fshehur problemet e vërteta që shqetësojnë shqiptarët dhe pengojnë progresin demokratik të Shqipërisë.
Pyetjet e forumit të gazetës “Telegraf” për përgjimet e pa miratuara të Policisë së Shtetit:
1. Policia e Shtetit, a mund të bëjë përgjime telefonike pa lejen e prokurorisë, duke u nisur nga shkaqe madhore ( që ajo mund të justifikohet?
2. Po, a mundet Policia e Shtetit, të instalojë pajisje përgjimi, qoftë edhe për trajtim, me bashkëpunim me forca të tjera ndërkombëtare apo edhe vetëm?
3. A vihet në rrezik Siguria Kombëtare, nëse Policia e Shtetit përdor pajisje përgjimi, pa marrë leje nga prokuroria?
Prof. Dr. Fatos Klosi, ish kryetar i SHISH: Me përgjimet e paligjshme cenohet privatësia dhe liritë demokratike, por jo Siguria Kombëtare
Policia e Shtetit nuk mund të bëjë përgjime telefonike pa marrë leje në Prokurori. Por, të dy institucionet mund të mos kenë vetëm marredhënie formale. Në kuadër të urgjencave të punës operative, mund dhe të merren vesh dhe për aplikimin e procedurave më elastike. Në këtë aspekt është shumë i rëndësishëm mirëkuptimi dhe besimi reciprok midis dy institucioneve. Nëse flitet për instalim pajisjesh, këtë nuk e ndalon asnjë ligj. Përdorimi i pajisjeve për përgjim duhet bërë sipas ligjit. Që punonjësit e policisë të dinë t’i përdorin këto pajisje duhet të stërviten dhe stërvitja nuk ndalohet nga asnjë ligj. Për stërvitjen mund të përdoren si “target” numra të vetë policisë, gjë që s’pengohet nga asnjë ligj. Janë shakara pa kripë dhe dashakeqe, deklaratat se nga përgjimet e policisë mund të rrezikohet “Siguria Kombëtare”. Përgjimi i atyre që kanë gjëra për të fshehur, e forcon Sigurinë Kombëtare. Nëse cenohet diçka gjatë përgjimeve, është privacia apo liritë demokratike të personave, që përgjohen në mënyrë të paligjshme. Mua do më pëlqente që punonjësit e rëndësishëm të shtetit, para se të fillojnë një detyrë, veç deklaratës për lejen që japin për kontrollin e pasurisë së tyre, të bëjnë dhe një deklaratë për pranimin e kontrollit të informacionit të tyre. Kush nuk ka gjë për të fshehur, e bën kollaj një deklaratë të tillë.
Prof. Dr. Tritan Kalo: Të gjithë përgjojnë njëri-tjetrin, bëhet zhurmë për të penguar Reformën në Drejtësi
Kjo puna e përgjimeve është një gjëegjëzë e stisur si nga Saliu edhe nga mazhoranca… Të gjithë përgjojnë në një mënyrë a një tjetër njeri-tjetrin dhe nuk ja vlen të merret me këtë zhurmë mediatike… Të dy palët dhe Iliri në mes do të bëjnë të pamundurën ta vonojnë, ose ta cungojnë, kur të zbatohet Reforma në Drejtësi… Mendimi im është që të lihen këto lojëra me përgjime apo pa përgjime dhe të merren urgjentisht me thelbin e gjërave, zbatimin me konsekuencë të Ligjit të Dekriminalizmit dhe të aprovimit të Reformës në Drejtësi, që Parlamenti i ardhshëm dhe zgjedhjet e ardhshme lokale të shmangin nga listat ata që kanë të kaluar kriminale…. Për kë bien këto kambana… Më saktësisht, unë si qytetar dua të di se kush është KM aktual i vendit tim: “qytetari dixhital” Sali Berisha, apo “sport e piktordashësi” Edi Rama…??? Nëse ky i dyti mendon se është i tillë, pra KM në detyrë i Republikës së Shqipërisë, përse dekoron dhe i lëmon kokën kreut të SHISH-it, kur ky i fundit nuk e fut fare në hesap dhe nuk i raporton kryeministrit për atë çka dëgjon, sheh dhe zbulon, nëse këto tre elemente kanë një bazë objektive…??? Të krijohet bindja se jetojmë në një kohë kur vendi drejtohet nga dy forca “paralele”, diçka e kuptueshme për një vend nën sundimin e huaj, por jo për një vend Sovran, ku 1.300.000 votues me 23.06.2013, i besuan drejtimin e tij mazhorancës aktuale!!!! Në këtë katrahurë të mënyrës së qeverisjes së vendit, a mundet unë, qytetari jo dixhital, të kem shpresë se më së fundmi Shqipëria do të dalë nga udha e zhegitjes tranzicionale, dhe do të ecë e sigurtë drejt zhvillimeve të qëndrueshme e shpresëdhënëse demokratike????…Quo vadis Albanistan!!!!
Agron Duka, kryetar i PPA: Policia e Shtetit vë në rrezik Sigurinë Kombëtare me përgjimet e paligjshme
Ligji ka përcaktime të qarta dhe nuk lë shteg për hamendësime. Ka dy lloj përgjimesh, që janë parandaluese dhe procedurale. Në të dy rastet është domosdoshmëri miratimi institucional. Kërkesat për përgjim bëhen nga institucione si SHISH, Ministria e Brendshme, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Drejtësisë dhe e Financave. Në përgjimin parandalues kjo kërkesë kërkon miratimin e prokurorit të Përgjithshëm njëkohësisht edhe për afatet dhe shërben si indice nëse duhet kaluar në përgjimin procedural. të përgjimi procedrial që shërben për të kërkuar provën kërkesa pas miratimit të prokurorisë duhet të marrë dhe vendim nga gjykata. Afatet mund të përsëriten dy apo tre herë, aq sa prokurori çmon se është e nevojshme për të kërkuar provën. Në çdo rast tjetër kryerja e përgjimit është e paligjshme dhe është shkelje e rëndë për qëllime të tjera që janë të ndëshkueshme ligjërisht ndaj subjekteve që i kryejnë. Nuk ka emergjencë që policia ta zgjidhë e vetme. Për më tepër emergjenca përfshin institucionet e prokurorisë SHISH, apo edhe Këshillin e Sigurisë Kombëtare për t’u vënë në dijeni. Edhe nëse Policia e Shtetit kërkon të bëjë trajnim me një pajisje përgjuese ka një protokoll një plan pune ku ligji parashikon qartësisht procedurën. Duhet të jetë dhe një përfaqësues i akuzës në këtë proces. Duhet shmangur në çdo rast keqpërdorimi Po. Vihet në rrezik Siguria Kombëtare nëse policia shkel ligjin aq më tepër në rastin e përgjimeve. Pretendimet publike janë se është përgjuar deri dhe kreu i Shtetit që është dhe kreu i Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Përgjimi i tillë i paligjshëm vë në trysni e presion kundërshtarët politike dhe çdo subjekt tjetër që pret mbrojtjen dhe jo sulmin e paligjshëm nga policia…
Marko Bello, ish deputet i PS: Policia e Shtetit me urdhra politikë për të përgjuar, vihet në shërbim të pushtetit
Policia e Shtetit e ka të përcaktuar qartë në ligj, se si dhe kur mund të ndërmarrë një proces përgjimi. Duke lexuar ligjin, kuptohet se përgjimi bëhet vetëm me autorizimin e Prokurori se dhe ai merr formë ligjore vetëm në rast se miratohet nga një gjykatë. Me pak fjalë, është prokuroria ajo që mund të lejojë policinë, Shërbimin Informativ Kombëtar apo shërbimet inteligjente pranë institucioneve të tjera shtetërore që të kryejnë përgjime në interes të shtetit, apo Sigurisë së vendit. Përgjimi përfshin kështu një varg institucionesh, me synimin që asnjë palë të mos përgjojë dot pa praninë dhe dijeninë e palës tjetër. Policia nuk mund të instalojë asnjë pajisje përgjimi pa dijeninë e organeve të tjera që ngarkon ligji, ndryshe do të kishim të bënim me një shtet policor, i cili abuzon, duke kontrolluar gjithkënd për interesa të një grupi të caktuar, jashtë binarëve të ligjit dhe në shkelje të hapur të normave dhe rregullave, mbi të cilat funksion një shtet demokratik. Më keq akoma në rast se segmente të policisë veprojnë, sipas urdhrave politike, duke e vënë Policinë e Shtetit në shërbim të pushtetit, apo në kombinim dhe me lidhje të shkurtra me forca të tjera partnere, duke abuzuar me detyrën dhe duke tejkaluar kufijtë që lejon ligji në raste të tilla. Sigurisht që duhen prova të forta për të konkluduar nëse është vënë apo jo në rrezik Siguria Kombëtare. Por në çdo rast është shkelur ligji dhe janë nëpërkëmbur parimet demokratike, sikurse pavarësia dhe balancimi i pushteteve në një shtet demokratik, por edhe privatësia dhe liritë e të drejtat e njeriut. Kthimi i organeve ligjzbatuese në shërbim të ekzekutivit apo, më keq akoma në shërbim të grupeve kriminale që kërkojnë të lajnë hesapet me njëri-tjetrin, duke shfrytëzuar korruptimin, apo komprometimin e drejtuesve në nivele të larta të institucioneve shtetërore është pa diskutim një veprim i rëndë që duhet hetuar dhe fajtorët të dërgohen para drejtësisë.
Flamur Gjymishka, ish drejtor i Përgjithshëm i Doganave: Pajisja e përgjimit të policisë duhej të ishte doganuar
Zoti Gjymishka, a përjashton ligji “Për Doganat”, institucione shtetërore, sikurse Policia e Shtetit dhe institucione ndërkombëtare, sikurse ambasada të akredituara në Tiranë që ato të sjellin pajisje në Shqipëri pa paguar doganë?
– Veprimtaria e administratës doganore bazohet në ligjin bazë që është Kodi Doganor, ligje të tjera, vendime të Këshillit Ministrave, si dhe akte të tjera nënligjore në zbatim të Kodit Doganor dhe ligjeve që rregullojnë veprimtarinë e doganës. Bazuar në aktet ligjore mund të them që çdo biznes, institucion shtetëror, OJQ, institucione ndërkombëtare, etj, kanë detyrimin ligjor të deklarojnë pranë autoriteteve doganore çdo mall që është me destinacion tregtar, si dhe për përdorim personal mbi një vlerë të caktuar, apo mallrat e akcizës kur janë mbi një sasi të caktuar pavarësisht vlerës së tyre. Për mallrat për përdorim personal deri në vitin 2013 vlera maksimale që nuk i nënshtrohet procedurave doganore ka qenë 30 000 lekë, në aeroport 10 000 lekë, për mallrat e akcizës deri në 10 paketa cigare, 1l pije alkoolike, etj. Pra çdo biznes, individ, apo institucion është i detyruar të deklarojë në doganë. Deklarimi mundësohet drejtpërdrejt nga individi, apo nëpërmjet agjencive doganore. Pra, për çdo mall që hyn në doganë përpilohet deklarata doganore, që ka një numër unik regjistri dhe që është progresiv për çdo zyrë doganore. Sa i përket përjashtimeve, ato mund të përcaktohen vetëm me ligj. Ligjet përkatëse për përjashtimet nga detyrimet doganore përfshijnë bizneset, OJQ, institucione shtetërore, institucione ndërkombëtare rast pas rasti, në varësi të përcaktimit që është bërë në legjislacionin përkatës. Nuk ka ligj që përjashton Policinë e Shtetit, apo institucionet ndërkombëtare në tërësi nga detyrimet doganore. Problemet e detyrimeve doganore vlerësohen rast pas rasti, mbështetur në legjislacionin shqiptar, apo konventat ndërkombëtare. E rëndësishme është që çdo mall që hyn, apo del nga territori shqiptar duhet të deklarohet në doganë, duke përfshirë dhe mallrat sensitive, siç janë armët etj.
Po kur një pajisje që importohet në Shqipëri ka rëndësi të veçantë, sikundër pajisja e përgjimit, a duhet të doganohen?
– Çdo mall që kalon vlerat e përcaktuara në ligj duhet të deklarohen në doganë. Dhe në rastin e postës diplomatike ajo evidentohet si e tillë, por nuk mund të kontrollohet. Për mallra të veçanta kërkohen dhe certifikimi i tyre nga institucionet e ngarkuara me ligj. Për mallrat ushqimore kërkohet certifikimi i tyre nga AKU, për karburantet nga IQT, për barnat nga IKB, për mallrat me përdorim të dyfishtë nga agjencia përkatëse pranë Ministrisë së Mbrojtjes, etj. Sa i përket pajisjes së përgjimit ajo detyrimisht duhej të deklarohej në dogane. Në varësi të destinacionit përcaktohet dhe procedura doganore, në qoftë se do të kalojë në pronësi të një institucioni shqiptar zhdoganohet dhe në varësi të legjislacionit përcaktohet detyrimi doganor, ose përjashtimi nga detyrimet. Mund të futet me qëndrim të përkohshëm dhe në këtë rast ka procedurë të veçantë etj. Pajisjet e përgjimit të futura nga institucionet e ngarkuara me ligj në çdo rast i janë nënshtruar procedurave doganore.
Sipas jush, për çfarë arsyeje u shmang doganimi i pajisjes së përgjimit? Për të përfituar vlerën monetare të zhdoganimit?
– Arsyeja e mos deklarimit në doganë mendoj që nuk është financiare, pasi ajo, siç është deklaruar nga autoritetet përkatëse, nuk ka kaluar në pronësi të Policisë se Shtetit. Duke zbatuar procedurën për qëndrim të përkohshëm, problemi ishte plotësisht i zgjidhshëm. Mungesa e informacionit gjithashtu nuk mund të jetë arsye, pasi institucionet e përfshira në këtë problematike zotërojnë të gjithë infrastrukturën e nevojshme ligjore dhe të burimeve njerëzore për të parandaluar gabime të tilla. Ruajtja e sekretit përsëri nuk është arsye bindëse. Policia bashkëpunon me doganën për shumë probleme sensitive, siç janë trafiqet e ndryshme, shkëmbim informacioni për persona, apo subjekte që dyshohet se kryejnë veprimtari në shkelje të ligjit etj. A mund të jetë bërë për të mos lënë gjurmë në futjen e pajisjes? Përgjigjen e kësaj pyetje, besoj që do ta japë hetimi i çështjes.
Jakup B.Gjoca
Sigal