Policia e Elbasanit “harron” të raportojë drogën e kapur në Belsh

551

Gazeta
Telegraf/

Sigal

 

 

Maksim TUFA



Ditët e fundit policia ka nisur të “harrojë”
shpesh dhe të raportojë rastet e zbulimit, asgjësimit dhe hetimit të rasteve të
veçanta që lidhen me asgjësimin e hashashit. Burime tepër të besueshme nga
policia e Elbasanit i thanë “Telegraf” se “një javë më parë uniformat blu kryen
dy aksione pas informacionet e ardhura në rrugë operative, i pari në Kosovën e
Madhe, dhe i dyti në Dëshiran, fshatra në zonën e Bashkisë Belsh, nga ku u
asgjësuan 1800 dhe 3200 rrënjë hashash, të mbjella atje, duke shpallur në
kërkim edhe dy persona, por kjo gjë nuk u pasqyrua në asnjë prej komunikatave
ditore zyrtare të policisë për mediat”. Duke u nisur nga fakti se, policia
kurrë nuk harron për ngjarje të tilla sikurse janë edhe zbulimi dhe asgjësimi i
parcelave të mbjella me rrënjë hashashi, natyrshëm lind pyetja, si ka mundësi
të jenë “harruar” parcelat e dy fshatrave në Belsh, si ka mundësi të mos
publikohet informacioni hashashit në komunikatat ditore, kur publikohen rastet
e ndalimit të xhepistave apo ndonjë incidenti rrugor? Fakti është se kjo
“harresë” u justifikua nga disa drejtues të rangut të dytë në komisariatin e
Elbasanit si “rast i veçuar, si diçka jo e qëllimshme, si rastësi që u ka
shpëtuar shefave të Antidrogës”. Edhe sikur të jetë kështu në rastin më të
mirë, shefi apo zëvendësi i tij duhet të kishin marrë vërejtje dhe, në rastin
më të keq, duhej të ishin paralajmëruar për largim nga detyra. Në dy aksionet e
policisë, në Kosovën e Madhe 15 km larg Belshit, (vetëm 11 km larg Lushnjës)
dhe në Dëshiran, fshat buzë lumit Devoll, nën juridiksionin e Bashkisë Belsh,
kanë vajtur dy-tre patrulla dhe kanë  asgjësuar në total afro 5 mijë
rrënjë hashash dhe kanë shpallur në kërkim dy persona.

Policia fsheh krimin

Problemi qëndron në faktin, se kohët e fundit
policia po “harron” shpesh të publikojë në komunikatat e saj për mediat, raste
të ndryshme që lidhen me natyra të veçanta të krimeve dhe kjo ndodh edhe në
policinë e Elbasanit. Sipas burimeve nga Elbasanit mësohet se “shpesh policia
atje mbetet hermetike, nuk jep informacionet e duhura, dhe nuk pranon të bëjë
publike për të qenë transparente me mediat, rastet e veçanta të ngjarjeve apo
krimeve të ndryshme”. Rastet e asgjësimit të drogave në Kosovën e Madhe dhe
Dëshiran, mungesa e publikimit nga “harresa”, ndjesa e kërkuar dhe fajësimi i shefave,
tregon se strukturat e policisë në Elbasan janë dhe punojnë kuturru, ose secili
për hesap të tij. Kjo natyrisht ka krijuar problemet e veta si brenda
komisariateve të asaj drejtorie, por edhe jashtë tyre, në mbarëvajtjen e rendit
dhe sigurisë për qytetarin. Të mbash sekret aksionet apo edhe rezultatet
negative apo pozitive të tyre, është njëlloj sikurse bashkëpunimi me elementin
kriminal apo trafikantin, duke bërë dy herë shkelje ligjore. Harresa të tilla,
në raste të veçanta mund të justifikojnë dhe bëjnë të besueshme fjalët, akuzat
dhe denoncimet sipas të cilave, “në kultivimin dhe trafikimin e hashashit kanë
lidhjet e tyre edhe drejtues të policive në rrethe”. Qytetarët e Elbasanit dhe
jo vetëm ata, kanë nevojë për një polici transparente, dinjitoze,
profesioniste, të besueshme dhe me moral të pastër, që t’i mbrojë, t’i sigurojë
rendin dhe qetësinë në çdo moment dhe jo për një polici, e cila “harron”
 dhe shpesh edhe “thumbon” mediat, kur këto të fundit zbulojnë skandalet e
shefave apo edhe të ndonjë militanti  të veshur  padrejtësisht me
uniformën blu.