Policia dhe Mjedisorët, pakt me kontrabandistët

638
Ajo që po ndodh prej disa ditësh me masivet e pyjeve në qarkun e Elbasanit, i ngjet një masakre mjedisore e cila nuk ka gjasa të ndalet pavarësisht masave ligjore, administrative dhe paralajmërimeve se “do të ketë burg për ata që presin drurët e pyjeve”. Mjete të rënda dhe persona të mbrojtur nga uniformat e shtetit, u ngjitën pothuajse çdo ditë fshatrave malore dhe kodrinore ku gjenden pyjet, nga Librazhdi deri në Gjinar, nga Zavalina në Funar dhe presin e ngarkojnë trupa të sharruara për t’i shitur. Sipas një fshatari nga zona e Shelcanit nuk ka ditë të mos ngarkohen mjete të rënda me trupa të prera nga pyjet e Gjinarit dhe fshatrave deri në Zavalinë, vijnë njerëz edhe me uniforma të shtetit, prezantohen si “zyrtarë” dhe nuk pyesin as për ligj as për fshat e institucione. Fshatari nga Shelcani tha se “mjetet e ngarkuara me trupa shoqërohen nga makina të shtetit, pasi vetë shoferët na thonë se mos u ankoni dhe mos denonconi se këta janë të qeverisë”. Edhe policia dhe veçanërisht, Agjensia e Mjedisit, e cila duhet të kishte konstatuar dhe vënë alarmin për prerjet masive të pyjeve, duket se janë bërë palë me kontrabandistët e trupave të prera në pyje, pasi edhe kur mjetet e ngarkuara zbresin dhe kalojnë tek ura e Shkumbinit, nuk i prek askush. Thuhet se “kontrabandistët e lëndëve drusore të pyjeve i paguajnë uniformat e shtetit, dhe punojnë sikur të ishin në mallin e tyre”, kur ajo është pasuri kombëtare. Mbi 65% e pyjeve në Librazhd dhe Elbasan po zhduken, ndërkohë që në zonën e Funarit, masakra vazhdon me ritme marramendëse. Askush nuk denoncon, pasi kanë frikë, as kryepleqtë e fshatrave, as zyrtarët e ish-komunave, ndërkohë që mjetet e rënda dhe motosharrat, po presin dhe shesin çdo ditë pasuritë kombëtare të këtij shtetit, ndërkohë që kodrinat dhe faqet e maleve po zhvishen duke ja lënë vendin erozionit të tokave. 
7 fshatra në programin e shkatërrimit
Qarku i Elbasanit ka 7 fshatra që janë në pragun e shkatërrimit, si pasojë e shkarjeve të tokave nga prerja e pyjeve. Në Agjencinë e Mjedisit të thonë se “po e ndjekim fenomenin”, në Ndërmarrjen Pyjore nuk e kanë haberin se ku ndodhin masakrat me pyjet, kurse policia thotë se “nuk kemi sinjalizime nga Mjedisi dhe Pyjorja”, kur mjetet me trupa ikin dhe vijnë çdo ditë e natë duke kaluar të qetë tek ura e vetme mbi lumin Shkumbin. Fenomeni i prerjes së pyjeve në mënyrë të paligjshme , vijon të masakrojë gjithë kurorën e gjelbër të qarkut të Elbasanit. Subjekte apo individë me ose pa liçencë, ashtu si çdo vit vijojnë të shkatërrojnë dhe presin drurë të çdo përmase. Pavarësisht masave të marra nga Drejtoria e Shërbimit Pyjor, ky fenomen negativ dhe i shëmtuar, vazhdon të jetë prezent, ndërsa sëpata dhe motosharra vazhdojnë të jenë zotërit e pyjeve. Një problem i tillë ka përfshirë prej vitesh edhe pyjet e komunës së Gjinarit në Elbasan dhe ato në rrethin e Librazhdit. Prerja e drurëve është shumë evidente sidomos në sezonin veror. Deri tani dikasteret qendrore e kanë lidhur këtë problem edhe me faktin se “jo të gjitha sipërfaqet pyjore administrohen nga komuna”, por fenomeni i prerjes së druve është prezent edhe në zona turistike të Elbasanit. Mjedisi, Policia dhe Drejtoria e Shërbimit Pyjor, duket se janë të pafuqishme përballë kësaj masakre ndaj pyjeve, pavarësisht masave apo gjobave të vendosura. Ndërkohë që faktet në terren flasin edhe për kompromise korruptive në kurriz të ligjit, dhe në favor të xhepave të një pjese të uniformave të këtij shteti. Burime të besueshme thonë se “trupat e prera eksportohen jashtë nga individë dhe subjekte private, të lidhura me segmente të shtetit, pasi nga shitja e tyre sigurohen të ardhura të majme për shkak të cilësisë së lëndës drusore që ka zona e qarkut të Elbasanit.
Sigal