Policia aksion në fundjavë/Arreston dy persona dhe shoqëron 8 të tjerë

485
Policia e Elbasanit ka zhvilluar kontrolle në rrugë, lokale dhe ambiente, për kapjen e personave të shpallur në kërkim, atyre që mbajnë armë pa leje, apo që shpërndajnë lëndë narkotike.
Kontrolle edhe në drejtim të qarkullimit rrugor, për evidentimin dhe ndëshkimin e atyre që drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.
Nga këto kontrolle është arrestuar një person për armëmbajtje pa leje, një tjetër për drejtim mjeti në gjendje të dehur, si dhe shoqërohen 8 persona për verifikim.
Gjatë mbrëmjes dhe orëve të para të mëngjesit, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, të mbështetura nga “Shqiponjat” dhe FNSH-ja, gjatë kontrollit të ushtruar në disa lokale, nisur dhe nga telefonatat e ardhura nga qytetarët, kanë evidentuar dhe arrestuar Lulzim Cekani, 42 vjeç, banues në Elbasan. 
Gjatë kontrollit fizik të ushtruar në ambientet e një lokali, në lagjen “Brigada e XVII Sulmuese”, këtij shtetasi i është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë me kalibër 9 mm.
Po gjatë kontrolleve janë shoqëruar në ambientet e Drejtorisë 8 persona.
Ndërkohë kontrollet kanë vijuar dhe nga Policia Rrugore për evidentimin dhe ndëshkimin e shkelësve të Kodit Rrugor, ku gjatë testeve për alkool, 10 drejtuesve te mjeteve, që drejtonin mjetin nën efektin e alkoolit, u është tërhequr Leja e Drejtimit, për të dale në OASH.
Ndërsa shtetasi Kamber L., 33 vjeç, banues në Elbasan, është arrestuar pasi është konstatuar nga shërbimet e Policisë Rrugore, duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur. Kontrolle të tilla do të vijojnë edhe në javët e ardhshme, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë.
Sigal