“Polici hajdut”, kush janë tre zyrtarët që po hetohen pas vetëdorëzimit të ish-komisarit Xhindoli

748
Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat pranë Ministrisë së Brendshme (SHÇBA) ka nisur hetimet për disa zyrtarë të Policisë së Shtetit, pasi dyshohet se kanë mbajtur të fshehtë për 3 vite urdhër-arrestin e lëshuar nga autoritetet italiane ndaj ish-komisarit Dritan Xhindoli.
Mësohet se urdhër-arresti për 39-vjeçarin ka ardhur që në vitin 2014 në Interpol Tirana, por është mbajtur i fshehtë nga policia, siç raporton Gazeta Shqiptare. Burime zyrtare nga dikasteri i Rendit deklaruan se ish-oficeri i policisë është dënuar me 10 vite burg nga Gjykata e Bolonjës në Itali për vjedhje dhe falsifikim dokumentesh. Po të njëjtat burime dje bënë me dije për “Gazeta Shqiptare” se 39-vjeçari me banim në Durrës është vetëdorëzuar para një jave në Komisariatin e policisë së këtij qyteti. Ndërkaq, burime të besueshme për “GSH”, pohuan se në momentin e ndalimit, Dritan Xhindoli ka shfaqur probleme shëndetësore, ndaj është dërguar në Spitalin Rajonal të Durrësit, ku i është dhënë ndihma e parë mjekësore. Më pas ai është mbajtur nën vëzhgimin e policisë deri në momentin që është përballur me togat e zeza të këtij qyteti. Po këto burime sqaruan se Gjykata e Shkallës së Parë e Durrësit ka vendosur masën e sigurisë “arrest shtëpie” ndaj 39-vjeçarit.
HETIMET
Më 7 qershor të këtij viti, Dritan Xhindoli, me detyrë shef seksioni në Policinë Kufitare të Vlorës, ka kërkuar lirimin nga policia për arsye personale. Dy ditë më pas (më 9 qershor), burimet sqaruan se në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka mbërritur urdhër-arresti për Xhindolin me qëllim ekstradimin e tij në vendin fqinj. Nga ana tjetër, pohohet se ky urdhër-arresti ka ardhur nga autoritetet italiane që para tri vitesh, ndaj dhe SHÇBA-ja ka nisur hetimet.
DETYRAT E ISH-KOMISARIT
Dritan Xhindoli ka ushtruar detyra të ndryshme, si oficer i Policisë Gjyqësore, në disa sektorë të rëndësishëm, kryesisht në Policinë e Tiranës. Pasi qëndroi në këtë detyrë për një kohë të gjatë, ai u emërua në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit si specialist në Departamentin e Krimit të Organizuar. Ndërsa në vitin 2016, Xhindoli u emërua shef sektori në policinë e Kufirit në Drejtorinë Vendore Vlorë, detyrë të cilën e mbajti deri në fund të këtij viti, kohë kur autoritetet italiane i sugjeruan drejtorit të Përgjithshëm të Policisë shkarkimin e tij nga detyra, me qëllim që t’i hapnin rrugë ekzekutimit të vendimit të Gjykatës së Bolonjës. Por në urdhrin e autoriteteve italiane, ai kishte emrin Artan Xhindoli dhe kjo solli një zvarritje të vendimit. Por, krahasimi i gjurmëve të gishtave bëri që ai të identifikohej plotësisht, duke u provuar se Artan Xhindoli dhe Dritan Xhindoli ishin i njëjti person. E megjithatë, kjo çështje u la sërish në harresë, madje më 24 maj të këtij viti, Xhindoli rezulton t’i jetë drejtuar Gjykatës Administrative duke kërkuar gradën “kryekomisar”, të cilën e pretendonte në bazë të vjetërsisë në punë dhe funksioneve që kishte kryer në Polici. Por, kur mësoi se arrestimi i tij ishte shumë afër, vendosi të jepte dorëheqjen nga Policia.
Sigal