Poliçani, qytet që pret e përcjell matrapazë- deputetë, qytet i harruar që ha shpresën e vet!

865
Sigal

Harresës së pushtetit e mungesës së investimeve, i shtohet paradoksi i ndarjes administrative

Mali i Tomorit e humbi sfidën. Baba Mali mbeti përsëri jetim. Dje nga pushtetarët demokrat, sot nga socialistët. Ç’ hata e madhe për këtë popull që asnjëherë s’ e pa diellin e Baba Malit të ndriçojë e të shkëlqejë në tokën pellazgjike si dikur. U nderua dhe u vlerësua nga pellazgët, nga ilirët, nga arbrit, por kurrën e kurrës nga matrapazët e politikës. Pellazgjiku i lartë dhe i lashtë, pellazgjiku mitologjik po kalon ditët më të pa imagjinueshme: shpërfilljen, trandjen, harresën. Dodona e bukur po çmendet nga ziliqarët që e kanë mendjen te rrota dhe bishti një avioni, a thua se aty është çelësi zgjidhjes së halleve tona. “Hallet dhe vuajtjet e mia mos i pastë as perëndia”  – thotë një këngë popullore. Por, a ka hall më të madh, se të harrosh vetë perëndinë dhe një popull nga më të hershmit, siç janë fshatrat rrëzë Tomorrit (të mirët) dhe Dodonës pellazgjike që nga Dobrenji e deri në Kuç, që nga Tërrova e deri në Mëlovë. Janë fisi lashtë i perrebenjve pellazgë që shtriheshin edhe më gjerë. Me Baba Malin, mëngjeseve kënaqen dhe e përshëndesin durrsakët që nga Vila e Zogut, bekohet dhe i falet gjithë Myzeqeja, ndjehen të lumtur udhëtarët që kalojnë nga Qafa e Kërrabës etj.. Po si nuk e thatë një fjalë të mirë, more doça demokratë. Po si nuk hodhët një qindarkë, more horra demokratë, por veç e vodhët. Por a vidhet ai vend i bekuar. Por si s’u tha gjuha njëherë, more doça socialistë, që edhe ju si të parët s’e thatë një, vetëm një fjalë të mirë, për këtë popull që me bekimin e Çukës, Abas Aliu votoi për të majtën, jo një e dy legjislatura, por plot 23 vjet. Po si s’ u bëtë njëherë të gjallë dhe të bashkuar, more horra socialistë, more djemtë dhe vajzat tona që Tomorrit, t’ i jepnit vlerën e lashtësisë, ngjyrat pellazgjike, bukurinë dhe madhështinë e shenjtërisë bektashiane, por veç vinit hanit e pinit dhe bënit foto-zezat, për të çngjyrosur edhe lulet më të vyera që mban ai në gji. Po pse, more ditë ngrysur socialistë, i’ a ulet kokën Zambakut Tomorrium në vendlindjen e tij, pse? A e dini ju, se ai rri krenar ndër kopshtet më të bukura të Evropës, atje ku ju jeni dehur ne efektet e verërave më të kushtueshme! M’i numëroni investimet në Skrapar… Asnjë, asnjë, asnjë! Po tani?! Më thoni, kush deputet foli një fjalë për Tomorricën dhe Poliçanin, që kanë mes tyre madhërishëm e gjigandshëm malin e shenjtë, malin me resurset me të rralla jo vetëm në Shqipëri por edhe ne kontinente të tjera. Si mund ta braktisni, në mënyrën më të pabesë, Tomorricën dhe Poliçanin, more plangprishës?! Por, si s’ iu ulën pak kryet që nuk diskutuat me atë popull aq të urtë dhe aq të dëlirë, për një çështje shumë të prekshme për jetën tonë, për dinjitet e mbijetesë, deri në zgrip: Ndarja territoriale. Tashmë, qyteti im vuan ankthin, mbjell kudo pa qetësin, lëshon ngado mallkime për veten. Mallkon veten pse i ra fati, pranë qytetit më me fat, të zgjedhur nga vetë perëndia. Ç’ ironi! Kjo po e çmend qytetin tim! Kjo është një dramë absurde dhe pikëpyetje që “Rilindasit” , të paktën, duhet të respektojnë bashkëqytetarët dhe qytetin tim, me argumente, në emër të votës e jo të bajraktarit injorant. Mali i Shenjtë vuan krenarinë e dikurshme dhe injorancën e atyre që s’e përfillën asnjëherë për një rrugë 20 km. Tomorricarët e çbërë nga përtallja, vuajnë mos përkrahjen e pushtetarëve që s’ u japin shansin e vetëm: lidhje me qytetin e Poliçanit, për të bërë aty tregti e çdo shërbim tjetër social shumë shpejt e shumë lehtë. Kjo vetëm për 20-30 km. Më tej, ja dhe unaza pellazgjike: lidhja me rrugë automobilistike, dikur unaza pellazgjike: Kërpicë, Gramsh, Cërrik, Belsh, Kuçovë, Berat dhe në fund, unaza e malit të Shenjtë, përfundon me qytetin e Poliçanit.

Ndarja e re territoriale, paqartësi, pikëpyetje e kundërshti

 Projekti për ndarjen e re territoriale që sipas burimeve zyrtare të qeverisë pritet të miratohet muajin e ardhshëm, ka sjellë paqartësi, pikëpyetje e kundërshti të shumta, e mesa duket, do të jetë “molla e sherrit” midis forcave politike e komuniteteve të ndryshme. Në redaksinë e “Telegraf” kanë ardhur dhjetëra shqetësime nga drejtues vendorë e komunitete, shoqata e intelektualë, ku kundërshtojnë projektet e publikuara. Po cilat janë këto projekte. Qeveria ka prezanton 5 variantet e ndarjes së re administrative. Brenda 31 korrikut Shqipëria do të ketë 30-63 njësi vendore. 5 propozimet e qeverisë parashikojnë ndarjen e re të territorit me një limit prej 30 njësish vendore e maksimum prej 63 të tilla, ku kriter bazë mbeten zonat funksionale. Kriter të cilin e përmbush plotësisht varianti i parë që e ndan territorin në 30 njësi, e që ka referencë ndarjen para vitit 1992. 9 njësi më tepër i shtohen variantit të dytë, që ngrihet mbi ndarjen e rretheve pas 92. Projekti i tretë afrohet e ndan territorin në 47 njësi, variant i 4 në 57 të tilla ndërsa propozimi i 5 shënon numrin më të madh të njësive në 63 të tilla.

Ministri B. Çuçi tha se realizimi i varianteve të paraqitura është mbështetur mbi kriteret e përcaktuara nga komisioni i posaçëm. “Ne kemi shkuar drejt pesë varianteve në përmbushje të kritereve, ku më kryesori është krijimi i zonave funksionale, ose njësia e ardhshme. Kjo njësi duhet të jetë e aftë të gjenerojë të ardhura, të ketë hapësirë zhvillimi dhe një ndërveprim të dendur ekonomik, institucional, social dhe kulturor. Zona funksionale është përcaktuar të jetë e përqendruar rreth një qendre urbane”,-ka pohuar Çuçi. Më tej ka shtuar se: “Nga kriteret e përgjithshme bëjnë përjashtim komunat që kanë një përkatësi të pastër të minoritetit etnik”. Ja çfarë parashikojnë 5 variantet. Varianti nr 1: Parashikon 30 njësi të qeverisjes vendore, me këto karakteristika: Popullsi mesatare 93.338 banorë/njësi. Sipërfaqja mesatare 944 m2/njësi. Dendësia mesatare 4051 banorë/km2. Varianti 2: Parashikon 39 njësi të qeverisjes vendore, me këto karakteristika: Popullsi mesatare 71.798 banorë/njësi. Sipërfaqja mesatare 726 m2/njësi. Dendësia mesatare 3116 banorë/km2.

Varianti 3: Parashikon 47 njësi të qeverisjes vendore, me këto karakteristika: Popullsi mesatare 59.577 banorë/njësi. Sipërfaqja mesatare 602 m2/njësi. Dendësia mesatare 2586 banorë/km2.

Varianti 4: Parashikon 57 njësi të qeverisjes vendore, me këto karakteristika: Popullsi mesatare 49.125 banorë/njësi. Sipërfaqja mesatare 497 m2/njësi. Dendësia mesatare 2132 banorë/km2. Varianti 5: Parashikon 63 njësi të qeverisjes vendore, me këto karakteristika: Popullsi mesatare 44.446 banorë/njësi. Sipërfaqja mesatare 449 m2/njësi. Dendësia mesatare 1929 banorë/km2.

Shënim i redaksisë: Në numrat e ardhshëm, “Telegraf” do të botoj shqetësimet dhe propozimet e drejtuesve vendorë e përfaqësuesve të trevave të ndryshme të vendit, si dhe vërejtjet e sugjerimet që ata kanë para miratimit në Kuvend.

Pasho ÇELA