Poliçan, 400 punëtorët e demontimit, tre muaj pa rroga

611
Sigal

Flet për “Telegraf”, drejtori i Kombinatit Ushtarak, Lulëzim Gjoka: “Jemi në pritje të fondit të pagave”

Vazhdon ende odiseja e bllokimit të pagesave mujore për punëtorët e demontimit në Kombinatin Ushtarak në Poliçan. Punëtorët, që jetojnë në këtë qytet shumë të varfër, po “përpëliten” midis kufijve të mbijetesës, ku po rrezikojnë edhe jetën e tyre, vetëm e vetëm për të siguruar ushqimin bazë. Midis kushteve të vështira 400 punëtorët e repartit të demontimit shkojnë çdo ditë në punë, pavarësisht se drejtoria e Kombinatit nuk ka shpërndarë rrogat e tre muajve të fundit. Punëtorët punojnë në repartin e demontimit të predhave, ku dhe rreziku për jetën është shumë i lartë. Specialistët shprehen se, në qoftë se punëtorët nuk janë në gjendje të lartë psikologjike edhe rreziku është prezent, pasi puna që ata kryejnë është e rrezikshme. Ata duhet të jenë me gjendje shpirtërore të qetë. Punëtorët shprehen se është absurde të punosh dhe të mos marrësh rrogën për tre muaj rresht, “kjo është një padrejtësi që na bëhet neve, Ministria e Mbrojtjes duhet ta shikojë me përparësi këtë problem”, thonë të revoltuar ata.

Gjendja

Janë 400 familje, të cilat e kanë lidhur jetën me punën në këtë repart demontimi. Qyteti i Poliçanit ndodhet thellë në mes të maleve, ku nuk ka mundësi të shumta punësimi, prandaj këto familje shpresën e vetme e kanë tek Kombinati Ushtarak, i cili prej vitesh e ka ndërprerë prodhimin e tij. Por një dritë jeshile u hap për ta, kur filloj nga puna reparti i demontimit të predhave të kalibrave të ndryshëm, të cilat janë prodhuar në këtë kombinat dhe në uzina të tjera ish-ushtarake.

__________

REAGIMI

Drejtori i Kombinatit Ushtarak të Poliçanit, Lulëzim Gjoka, shprehet për gazetën “Telegraf”, se është e vërtet që punëtorët e repartit të demontimit kanë tre muaji pa u paguar edhe pse kanë kryer punën. “Ne si drejtori nuk e kemi ndërprerë punën dhe do të vazhdojmë kështu pasi jemi të sigurt se fondet tona do të na vinë nga Ministria e Mbrojtjes. Ne kemi kontaktuar me drejtuesit përkatës dhe ata na kanë premtuar se kjo gjendje nuk do të vazhdojë shumë, pasi së shpejti do të lëvrohen fondet e pagesës së punëtorëve. Pozitivja është se ne jemi duke vazhduar punën në këtë Kombinat, sepse edhe materiale për demontim kemi pasur dhe kjo është një shpresë për më tej”, tha z.Gjoka për “Telegraf”.