Pogradeci mes gërmadhave të vjetra dhe të reja

Bardhyl BERBERI

Shpesh herë të huajt që vizitojnë Pogradecin bëjnë një pyetje: “Ky qytet është turistik apo vetëm piktoresk?” Dhe ne e dimë se një qytet që të jetë turistik duhet të ketë disa parametra, të cilat e përcaktojnë si të tillë. Pogradeci është një qytet që çdo verë i dy e tre-fishohet popullsia me pushuesit e shumë të ardhur, jo vetëm nga brenda vendit, por edhe të huaj. Duhet thënë se krahas arritjeve dhe të veçantave që ka qyteti çdo verë, ai prej disa kohësh, sidomos pranë qendrës së tij, përballet më një sërë gërmadhash të vjetra dhe të rejash të ngritura prej 20 vjetësh që kanë ngelur si skelete të shëmtuara. Në hyrje të qytetit do të ndeshesh me një ndërtesë, e cila prej më shumë se 10 vjetësh është ngritur nga një agronom nga Devolli dhe ka ngelur si skelet i shëmtuar në breg të liqenit. Ai nuk e vazhdon ndërtimin pasi i janë mbaruar lekët. Ecën vetëm pak metra më pas dhe ndesh me një karburant të braktisur nga familja Guxholli, i vendosur në një ndërtesë të vjetër dhe tepër të shëmtuar… gërmadha këto që, jo vetëm që e kanë shëmtuar së tepërmi qytetin, por po bëhen rrezik për kalimtarët. Duhet të zhvendosesh vetëm pak metra dhe do të përballesh me një gërmadhë tjetër ish-turizmin e vjetër të qytetit me pamjen e tij më të shëmtuar e për të ardhur keq. Ndërtesa aq luksoze dikur që ka pritur deri kryeministra të vendeve të ndryshme të botës me një lulishte plot lule erëmira dhe jargavanë ku çdo ditë qëndronte aty me orë të tëra poeti i madh Lasgush Poradeci nuk shihet dot me sy. Lulishtja me pemët e shumta dekorative janë shkatërruar krejt, saqë nëse pemët do të kishin gojë ato do të ulërinin. Një i moshuar thotë se ky mjedis është transformuar aq shumë saqë na duket se e kemi harruar se si ka qenë ..Madje na vjen turp kur vijnë vizitorët t’ju themi se ky është ai turizmi luksoz që kishte orkestrën e famshme të vëllezërve Darova. Tashmë ndërtesa rrënohet çdo ditë dhe rrezikon madje edhe jetën e qytetarëve që kalojnë në trotuar, pasi mund t`iu bjerë mbi kokë. Por nuk mbyllet këtu seria e gërmadhave dhe shëmtive që kanë mbushur qytetin. Nëse do vazhdosh të ecësh përsëri gjatë po kësaj rruge mjaftojnë edhe pak metra që të hasësh me një ngrehinë tjetër. Por, nëse dy të parat janë ndërtuar ka vite kjo ngrehina tjetër është ngritur në vitet `80 dhe është përuruar me pompozitet nga ish-anëtarja e byrosë politike Lenka Çuko në vitin 1986. Ndërtesa ishte bar restorant dhe në popull njihej me emrin “Oktapodi” nisur nga forma e ndërtimit si shumëkëmbësh, por në vitet e tranzicionit ndërtesa u masakrua. E tani a ka mbetur shumë e shëmtuar dhe kryen funksionin e banjave publike, pasi qyteti me 50 mijë banorë ka vetëm një banjë publike buzë liqenit, edhe ajo jashtë funksionit, pasi e kanë marrë peshkatarët amatorë. Po të ecim dhe pak metra do të ndeshim një ndërtesë gjashtë-katëshe në qendër të qytetit, e cila ka mbi 20 vjet që qëndron ashtu si skelet… Është ndërtuar nga i vëllai i kryetarit të Bashkisë aktuale, i cili e ka lënë atë ngrehinë të shëmtuar vetëm si skelet në qendër të qytetit. Pamjet e shëmtuara të pjesëve të qytetit të ngjallin një dhimbje të veçantë sidomos kur sheh nga fotot e arkivit se si kanë qenë ato dikur. Por masakra ka vazhduar edhe në parkun e qytetit. Me një urdhër të çuditshëm nga Bashkia në parkun e madh të qytetit është bërë një masakër e vërtetë në emër të zëvendësimit të pemëve të vjetra me të reja. Këto gërmadha që përmendëm më lart fillojnë nga qendra e qytetit deri 500 m larg qendrës. Ja pse vihet në mëdyshje fakti se, a është Pogradeci qytet turistik apo vetëm piktoresk, por i masakruar nga barbaria e pushtetarëve që kanë ardhur dhe kanë ikur në këto 28 vite të demokracisë, duke mbushur xhepat e tyre dhe masakruar qytetin. Ky është Pogradeci me gërmadha të vjetra dhe të reja në qendrën e tij, me plagë që askush nuk nuk e di se kur do t`i shërohen e që qytetin e famshëm e kanë shëmtuar së tepërmi…