Pogradeci, ku gazeta kushton “40 leka… ”

1037
Ylli Musta
Dekada më parë, kur udhëtoje me tren për në Pogradec, sapo treni përshkonte tunelin e Qafë Thanës, përpara të shfaqej pamja e mrekullueshme e liqenit. Dhe ishte bërë si zakon që të gjithë udhëtarët mblidheshin tek dritaret dhe admironin spektaklin e papërsëritshëm të kaltërsisë së ujit, të diellit dhe qiellit… Vështronin gadishullin e Linit, si krah i zgjatur në kaltërsi, tufat e guzave dhe zgalemave, sodisnin varkat që ngjanin si të palëvizshme në sipërfaqen e qelqtë. Pastaj shpaloseshin fshatrat radhë-radhë, e më pas mbërritja në stacionin e zhurmshëm të Gurit të Kuq: autobusët, lokomotivat që ndërronin kahun e lëvizjes, udhëtarë në ikje dhe në kthim, vagonë mallrash të ngarkuar me mineral kromi… Fare pranë stacionit ngrihej si karakoll e dukej që së largu vepra e madhe e industrisë nxjerrëse dhe përpunuese të kromit në shkallë vendi. Këto emocione dhe imazhe i rikujtoja ndërsa po udhëtoja këto ditë korriku drejt Pogradecit me një furgon. Sapo zbritëm Qafën e Thanës furgoni nisi të përshkojë autostradën gjysmë të përfunduar që ndjek bregun e famshëm liqenor, i cili gjithsesi mbetet një perlë e bukur. Tashmë nuk ka më hekurudhë, se ajo thuajse është shkatërruar e braktisur, nuk dëgjohen më sirena lokomotivash, as minierat apo uzina e kromit në Gur të Kuq. Një tjetër “gjeografi” shpaloset sot këtu. Nëpër 20 e ca km rrugë gjatë bregut të liqenit, nga Lini deri në Pogradec, janë shtuar klubet e motelet, restorantet e vogla, dhe shitësit ambulantë të peshkut e perimeve. Unë e sodisja këtë pamje, ndërsa dëgjoja vazhdimisht muzikë tallava që shoferi ynë nuk e ndërpreu për asnjë çast nga Tirana deri në Pogradec. Ai edhe celularin pothuajse nuk e hoqi nga veshi tërë rrugës. Kur dikush e pyeti se nga të kemi, ai iu përgjigj: “Pogradecar bree, den babaden…”. Por me sa duket e harroi këtë, sepse një tjetri, i tha se ishte mokrar, nga fshatrat e Mokrës… Në fund të udhëtimit, kur zbritëm, e pyeta sa kushtonte bileta, dhe ai me atë bujarinë e tij u përgjigj: “Po çfarë breee, 4500 leka… ”

Mëngjeset në Pogradec 

Mëngjeset në Pogradec janë magjepsës, ngjajnë me çeljen e një zambaku. Njomësia e ujit të hyn në mushkri e në shpirt. Tej gjolit varkat lëvizin si pika të zeza, dhe shpejt do të afrohen në breg, duke sjellë peshkun e artë të përrallave… Pas shpinës, gjelbërimi dhe era dehëse e blirëve, bëjnë që të përjetosh një legjendë… Dhe natyrshëm, në ato momente dehëse, pëshpërit me vete Lasgushin, poetin e Liqerit:“As rroj, as vdes, por jam pa mend… ”. Shumë vite të shkuara, një nga miqtë e Lasgushit, e pa atë në një mëngjes vere, tek rrinte përkulur mbi bregun ku shushurinte vala. Qëndronte gati pa lëvizur, sikur përgjonte diçka. Miku iu afrua dhe i foli, kurse poeti, pa kthyer kokën, iu përgjigj me zë të ulët: “Shshsht! Dëgjo, dëgjo sa bukur i flet vala bregut… ”
Prej vitesh, Pogradeci është kthyer thuajse krejtësisht destinacionit turistik
Për këtë shfrytëzon në radhë të parë gjeografinë e tij liqenore, lartësinë e pazakontë të këtij liqeni prej695 metrash mbi nivelin e detit, peshkun e famshëm koran dhe lloje të tjera, verën e buteve dhe pa dyshim këngët pogradecare. Por, gjithsesi, të gjitha këto resurse bashkë, mund të quhen modeste për të mbajtur vitale jetën e banorëve dhe qytetit të tyre përgjatë gjithë vitit. Kapriçot e njohura të motit në Pogradec, janë të zakonshme edhe gjatë verës së nxehtë. Mjafton një vrenjtje e motit, apo një erë veriu dhe sakaq gjoli oshtin nga dallgët për një ose dy ditë rresht, të ardhurit veshin triko e bluza, plazhi boshatiset dhe lokalet po ashtu. Shumë vite më parë, qyteti ka patur me dhjetëra ndërmarrje industriale prodhuese ku ishin punësuar gjithë qytetarët. Madje prodhimet e mobilieve të Pogradecit njiheshin e kërkoheshin në mbarë vendin. Po ashtu sobat e zjarrit, karriget, trikotazhet… Nga ky aktivitet prodhues, industrial, sot pothuajse nuk ekziston asgjë, dhe kjo nuk është e lehtë për t’u përballuar. Tek shëtisja mëngjesit nëpër trotuarin buzë lulishtes së bukur të qytetit, pashë një pikë ambulante që shiste gazeta. U hodha një sy titujve, dhe i kërkova shitësit të blija një gazetë. “Zotni, më tha shitësi, gazeta këtu kushton 40 leka…”. “Vërtetë? Po përse?”-e pyeta i çuditur. “Aa, kaq e kemi ne, jemi qytet turistik!…”. “Po më çudit, i thashë, sepse prodhuesi i gazetës e ka stampuar në krye të saj çmimin prej 30 lekësh, dhe me këtë çmim e shet në gjithë republikën, kurse ti… , në republikën e Pogradecit e shitke me 40 leka?! Po çudi, si nuk ke frikë nga autoritetet e pushtetit vendor…”. Ai ma bëri me dorë që të vazhdoja shëtitjen. Dhe unë vazhdova dhe po qeshja me vete. Ky fakt, i vockël në dukje, mendoj se fsheh përbrenda një problem të madh: luftën për të jetuar e mbijetuar… Këtu papunësia vazhdon të jetë e lartë dhe mjaft problematike. Pavarësisht se qyteti zhurmon nga zërat, reklamat, nga boritë e makinave, apo pavarësisht se në lokalet e Tushemishtit që ngjajnë si parajsë e vërtetë e qetësisë dhe e komoditetit, vinë edhe në dimër për një drekë a për relaks deputetë, ministra, biznesmenë, dhe e hanë koranin me 30 mijë lekë kilen!
Këtë verë më ra në sy se shëtitorja e vetme e qyteti ishte “masakruar”
Ajo është ndarë përgjysmë midis klubeve e restoranteve nga njëra anë, dhe pushuesve dhe makinave në anën tjetër. Pra, i bie që të pish kafe apo të hash diçka mbi asfalt, dhe ngjitur me ty të kalojë edhe rrota e makinës! Po edhe plazhi ka pësuar “masakrim” të tillë. Ai tashmë, në pjesën më të madhe përgjatë gjithë qytetit, është hapësirë private, duhet të paguash që të shkelësh apo të shtrihesh në rërë!! Sa absurde kjo! T’u marrësh pogradecarëve plazhin ku janë lindur e rritur, dhe t’ua ndash me para!! Dhe përse gjithë këto ndryshime? Filozofia e taksave kësisoj bëhet qesharake dhe ngjall zemërimin dhe indinjatën e qytetarëve, si dhe dyshimin e tyre për abuzime e korrupsion… 
Po përtej reklamës dhe fasadës turistike, çfarë thotë Pogradeci, çfarë pëshpërit vala e jetës në këtë qytet?

Shëtitorja e vetme dhe e bukur e qytetit, mban emrin “Dëshmorët e Pojskës”, në kujtim të epopesë së Heroit të Popullit, komandantit partizan të Mokrës, Reshit Çollaku dhe shokëve të tij që ranë në Pojskë në përpjekje me fashistët më 16 korrik 1943. Kjo rrugë, në vitet e demokracisë është tjetërsuar dukshëm nga pallatet e larta që kanë zëvendësuar shtëpitë karakteristike pogradecare, me kopshte me mollë e me lule bore. Blloqet dhe vargu i pallateve, në fakt ia kanë prishur bukurinë bregut të qytetit, dhe përbëjnë një uzurpim të shtyrë nga etja për fitim në tregun e ndërtimeve. Ky lloj uzurpimi prej betonit, për fat të keq, ashtu si Legjenda e Murosjes, ka flijuar harmoninë, dashurinë dhe respektin që kanë pasur dikur familjet dhe banorët e rrugës “Dëshmorët e Pojskës”. Sot janë krijuar mjaft probleme sociale, madje edhe të dhimbshme për shumë familje pogradecare që mbaheshin dikur model i harmonisë. Sherret, gjyqet e pasosura dhe kacafytjet për pronat mes familjarëve, pretendimet dhe akuzat reciproke për mashtrim e abuzim mes palëve në konflikt, kanë bërë “hasëm” djalin me babanë, vëllezërit me motrat, nipat me dajat. Unë takova me dhjetëra miq e të njohur, banorë të vjetër të kësaj rruge historike, dhe vura re me trishtim se vëllazëria dhe dashuria e tyre e dikurshme, mjerisht kishte mbaruar… Sapo ulesha të pija kafe me njërin, biseda shkonte te tjetri, te prona, tek mëritë, tek akuzat për njëri-tjetrin, te përbetimet: “edhe kur të vdes, nuk dua të më shkelësh te varri!!”
Dhe thosha me vete: Po pse moj rruga e Dëshmorëve të Pojskës, përse u tjetërsove kështu…?!

Po nga kjo rrugë janë mbi 200 djem e burra të larguar në Amerikë, ku jetojnë e punojnë, shumë prej tyre pa e kthyer kokën pas. Unë takova këtë verë disa prej tyre, që kishin ardhur për sebepe familjare. I pyesja: “Mendon se do rikthehesh prapë?” Dhe thuajse merrja të njëjtën përgjigje: “Bah, mos u çmenda?” Nuk e di, po këto ikje shpesh pa kthim, ky mentalitet se shpëtimi është vetëm jashtë Mëmëdheut, të lëndon e të revolton njëkohësisht. Më vinë ndër mend vargjet e Lasgushit, dedikuar kujtimit të mikut të tij Asdrenit, por që përputhen çuditërisht me atdhe-penduarit e sotëm: “Djem të rinj o pleq të shkuar /Që të shajnë pa pushuar /Djem e pleq Atdhe-penduar… / S’dinë më ç’ju ke dhuruar / S’dinë sepse kanë harruar / Kush Atdhenë e pat krijuar… ”
Banorët “veteranë”

Nga banorët “veteranë” të kësaj rruge takova edhe Rako Angellarin, mjeshtrin e dikurshëm të ndërmarrjes së përpunim-drurit, tashmë afro 80 vjeçar, që jeton i vetëm në shtëpi me të shoqen, Floriken. Të dy fëmijët i ka jashtë. Me paret e dërguara prej tyre e rindërtoi shtëpinë, e bëri me dy dhe tri kate. “Po ç’e dua-thotë, – tërë kjo bina, kur nuk shoh të hynë e të dalin fëmijët, nipi e mbesa?” Pavarësisht trishtimit që ka, ai nuk heq dorë nga humori dhe shakaja. Na tregon sesi kur ishte në Gjermani tek i biri, doli shëtitje qytetit, por humbi rrugën dhe nuk kthehej dot. E kishte gjetur një grua plakë gjermane dhe e kishte marrë në shtëpinë e saj. Ajo kishte njoftuar policinë dhe më në fund Rakon e kishin çuar te banesa e të birit, por pasi kish kaluar një natë te shtëpia e plakës gjermane që jetonte e vetme. “Kur më pa Florikja në derë, ia dha të qarit… -thotë Rakoja. –Po ç’u bëre mor ditëzi se na prishe gjakun! Po ç’doje ti te shtëpia e beqareshës gjermane?… ” Komshi e shok me Rakon është edhe Thomua i Lankës, shofer taksie. Edhe ai me fëmijët jashtë. Shpesh rri e vështron kulmin e vjetruar të shtëpisë dhe është në dilemë: ta prish për të bërë një pallat, apo?… Faqekuq, i qeshur e gastor me të gjithë, kurrë nuk e sheh të mërzitur, edhe kur mbetet pa një lek në xhep. Ulet te lulishtja para gjolit, merr një kafe e raki, dhe qeni i madh i rri te këmbët. Po deri para pak kohësh kish gjetur belanë me priftin e qytetit. Sepse, qeni i tij, ndonëse nuk lehte e nuk sulmonte njeri kurrë, për dreq, sa shikonte priftin me rason e zezë, egërsohej, i ngrihej qimja dhe i vërsulej sikur do ta shqyente. Prifti vraponte nëpër trotuare dhe vetëm ndërhyrja e kalimtarëve dhe banorëve të lagjes e shmangte skandalin… Kurse Thomua e ndiqte me sy nga lulishtja dhe qeshte me zë të lartë… “A gomar a gomar! -i bërtiste prifti, – mblidhe atë qen se do përfundosh në flakët e ferrit…”. Po ç’kishte qeni me priftin?-e pyes Thomon. Ai qesh dhe shton: “Epo, si duket ia dinte mëkatet… Unë e prifti jemi rritur te kjo lagje, te kjo rrugë… Kur ishim të rinj, sa herë vidhnim bashkë kumbulla e mollë nëpër bahçe, ehu… ”.

Derë më derë me këta personazhe është edhe Maksi Gusho

Nga mëngjesi në darkë rri buzë gjolit, jep me qira varka, çadra, por edhe peshkon nga pak. Shpesh rri dhe tregon kujtime nga kohët e arta kur korani i kërcente vetë brenda në varkë, apo atë rastin kur i iku nga grepi një peshk i madh nja 10 kile! Pak muaj më parë, fatkeqësisht iu nda nga jeta e shoqja. Të gjithë e ngushëlluan dhe ndanë dhimbjen me të. Por ai, edhe në momente dhimbjeje, gjente mënyrën për ta kapërcyer atë, për të mos u ligështuar: “Epo ç’t’i bësh, iku, na la. Ja zëre se i dolën dokumentet për azil në Gjermani… ”.
Për në Tiranë
Kur do kthehesha sërish për në Tiranë, më rastisi që tek agjencia e furgonave të udhëtoja po me të njëjtin shofer që më solli para një jave. Zura vend në makinë, dhe u nisëm. Shoferi po ai; celularin te veshi, “jo bre, ku je bree”, dhe tallavaja po ajo e një jave më parë. Kishte ndryshuar vetëm çmimi i biletës, sepse tani në kthim ishte bërë 5 mijë leka… 
Sigal