Pogradeci, kryeqyteti i kësaj stine vere përvëluese

2671
Pogradeci njihet si qyteti i koranit, peshkut të rrallë që gjendet vetëm në këtë liqen, i verës artizanale dhe gatimeve tradicionale. Aty ku e reja dhe e vjetra, modernia dhe tradicionalia bashkëjetojnë pranë njëra-tjetrës pa cënuar njëra-tjetrën. Bora, liqeni, fusha dhe mali, fëshfërima e gjetheve, cicërima e zogjëve, liqeni, varkat, mjelmat, shelgjet lotues janë dekori i këtij qyteti. Pogradeci është një nga mrekullitë që natyra dhe njerëzit e saj me mikpritjen dhe dashurinë nuk të lenë të largohesh pa marrë me vete dashurinë dhe mallin për t`u rikthyer përsëri. Ai është një qytet magjik që vetëm në ëndërr është i vërtetë, është qytet i turistëve të shumtë, i adhuruari i poetëve, i shkrimtarëve, i piktorëve, “muaji i mjaltit “ i sapo të martuarve, kënaqësia e admiruesve të ujit të ëmbël, qyteti i dy korifejëve të mëdhenj të letrave shqipe, Lasgush Poradecit dhe Mitrush Kutelit. Prej një jave me ngritjen e temperaturave qytetit të Pogradecit i është trefishuar popullsia dhe ka marrë pamjen e kryeqytetit të verës. Mijëra turistë të huaj nga Gjermania, Hollanda, Austria dhe mijëra pushues të huaj vendas i kanë dhënë qytetit atë pamjen e zakonshme të dyfishuar. Plazhi në një gjatësi prej 30 km nga fshati Lin deri poshtë doganës së Tushemishtit gëlon nga pushuesit e shumtë. Asnjë qytet tek ne nuk ka liqenin kaq pranë në gjirin e tij sa Pogradeci. Shëtit në breg dhe ndien paprerë llokoçitjen e valëve të liqenit, kërcitjen e peshkut, klithjen e pulëbardhave. Fle natën dhe të duket sikur liqenin e ke aty nën jastëk, si një ninullë të bukur hipnotizuese. Ec në parkun e pafund me lule erëmira dhe trëndafila që prej shumë vitesh qytetit i kanë dhënë epitetin si “Qyteti i luleve “. Pogradeci është një qytet palcërisht shqiptar i futur në gjirin e maleve, si truri në kafkën e njeriut me një natyrë magjike të vendosur pranë syrit të kaltër. Qyteti i Pogradecit i përket lashtësisë dy mijë vjeçare para erës sonë. Dikur qyteti është quajtur “Lyhnida” që do të thotë (dritë). Pogradeci është një qytet magjik që vetëm në ëndërr është i vërtetë, është qytet i turistëve të shumtë, i adhuruari i poetëve, i shkrimtarëve, i piktorëve, “muaji i mjaltit “ i sapo të martuarve, kënaqësia e admiruesve të ujit të ëmbël, qyteti i dy korifenjëve të mëdhenj të letrave shqipe, Lasgush Poradecit dhe Mitrush Kutelit. Por Pogradeci njihet edhe si qytet i koranit, peshkut të rrallë që gjendet vetëm në këtë liqen, i verës artizanale dhe gatimeve tradicionale. E reja dhe e vjetra, modernia dhe tradicionalia bashkëjetojnë pranë njëra-tjetrës pa cënuar njëra-tjetrën. Bora, liqeni, fusha dhe mali, fëshfërima e gjetheve, cicërima e zogjëve, liqeni, varkat, mjelmat, shelgjet lotues janë dekori i këtij qyteti. Pogradeci është një nga mrekullitë që natyra dhe njerëzit e saj me mikpritjen dhe dashurinë nuk të lenë të largohesh pa marrë me vete dashurinë dhe mallin për t`u rikthyer përsëri.
Një verë ndryshe
Pogradeci çdo verë e pret me vetëpërsosje. Projekti gjerman i ka siguruar ujë të pijshëm 24 orë si asnjë qytet tjetër turistik në Shqipëri dhe kolektori i ujrave të zeza që prej dy vjetësh nuk derdhen më në liqen, i ka krijuar qytetit një standart të ri. Por qyteti prej disa vjetësh vuan mungesën e një unaze, ku kaosi dhe trafiku bëhet tepër shqetësues për pushuesit. Në liqen mungojnë rojet e liqenit edhe pse janë ngritur disa kulla formale…Zënia pa kriter nga tavolinat e lokaleve në park ku të mbyt tymi i qofteve, është një tjetër mangësi e kësaj vere që tashmë është bërë gangrenë për qytetarët. Konstituimi i kryetarit të ri të Bashkisë Edi Kapri, më datën 28 korrik u jep shpresa qytetarëve që të frenohet ky kasos dhe qytetit t’i dilet për zot nga kjo rrëmujë.
Plazhet 
Uji i kaltër i liqenit dhe plazhet janë një nga të veçantat e qytetit të Pogradecit. Shumëllojshmëria e tyre i vë pushuesit në dilemë se ku duhet të pushojnë. Është një vijë liqenore prej gati 30 km nga fshati Lin deri në Tushemisht. Por dhe këtu ka një problem serioz. Plazhet janë kthyer private dhe të gjithë pronarët buzë liqenit kanë ngritur shezllone dhe nuk të lejojnë që pa paguar të bësh plazh. Me të drejtë tha një banor nga Tushemishti “na gjeni një vend ku të lahemi ne, pasi të gjitha sipërfaqet e plazhit janë të zëna”…
Plazhi i Shkëmbit të Linit 
Fillon atje tek gadishulli i fshatit Lin, i cili ka ujin e pastër si kristal i vendosur në këmbët e një mali që sjell papushim një freski karakteristike në breg dhe nuk e ndjen fare bezdinë e vapës. Ka një guzhinë skare dhe është një nga plazhet e krijuara gjatë viteve të fundit, është një mrekulli e natyrës dhe frekuentohet shumë nga Elbasani.
Plazhet Piskupat – Hudënisht dhe Mëmëlisht
Janë tre plazhe të njëpasnjëshëm me lokale të shumta luksoze dhe fshatra turistike, ku nuk mungojnë as pishinat. Kanë ujë të pastër dhe frekuentohen shumë nga të ardhurit sidomos nga korçarët. Ashtu si plazhi i Shkëmbit të Linit janë plazhe shkëmbore.
Plazhi i Fortesave 
Është një nga plazhet në këmbët e kalasë së qytetit, i cili frekuentohet kryesisht nga pogradecarët vendas. Është rreth 1 km larg qytetit prandaj është shumë i populluar, pasi nuk kërkohet makina për të shkuar në plazh. Edhe këtu uji është i pastër dhe është vazhdimësi e plazhit shkëmbor.
Plazhi i Vjetër 
Është plazhi tradicional që qyteti e ka në gjirin e tij. Është i gjithi plazh ranor, por cilësia e ujit nuk është në standartin e plazheve të tjera. Pas mbarimit të kolektorit të ujrave të zeza, që sapo ka filluar dhe mbaron pas 18 muajsh, ky plazh popullor që dikur ka qënë shumë i mbipopulluar për shkak të distancës të afërme me qytetin dhe cilësisë së rërës, po i kthehet mbipopullimit si dikur.
Plazhi i Vilave 
Plazhi i Vilave deri në Drilon është plazhi më i ri, i krijuar këtë verë me parametra bashkohore nga rezidenca qeveritare deri në Tushemisht. Përgjatë gjithë bregut është tre-fishuar sipërfaqja e rërës me rreth prej 5 km gjatësi, duke ngritur trotuare dhe ndriçim përgjatë shëtitores deri në Tushemisht.
Tushemishti
Është një nga fshatrat turistike, model i cili çdo verë mbi popullohet me të huaj. Në të gjithë fshatin është shtrirë turizmi familjar me kushtet nga më komodët. Plazhi i Tushemishtit është nga më të populluarit. Plazhi është ranor me ujë të pastër dhe ka shumë hotele e lokale luksoze në breg të liqenit. Aty ndodhen shumë hotele luksoze me një luks bashkohor dhe guzhinë tradicionale e karakteristike pogradecare, me një lulishte të sistemuar bashkohore, mes karafilave dhe trëndafilave. Në Tushemisht gjen artistë, shkrimtarë, politikanët e të gjithë spektrit të majtë dhe të djathtë. Edhe çmimet e këtij fshati turistik që frekuntohet më shumë nga të huaj, varjojnë sipas xhepave të shqiptarëve deri tek një dhomë në 3000 lek të reja natën …
Driloni, larg vapës dhe mes mrekullisë së pyllit e lumit 
Një relaks i vërtetë nën mrekullinë e një pylli në bregun e liqenit në një park gjigand prej 20 ha me lumin e Volorekës në mes me ishujt të ndarë, që mund të vozitësh me varkë përgjatë lumit dhe një gjelbërim të harlisur që të duket vetja sikur je në përrallat e Andërsenit. Dikur një nga rezidencat e Enver Hoxhës ku kalonte orë të tëra mes rrëpishtave dhe mështeknave, nën ujrat e kristalta të lumit Volorekë, që nanurit me një qetësi perëndie. Aty ndodhen tre lokale që të servirin nga tavat tradicionale e koranit deri tek mishrat e pjekura në hell. Në këtë park vijnë vizitorë nga të gjitha rrethet dhe kalojnë orë të tëra në formën e një pikniku familjar. Driloni është një nga ndalesat kryesore të çifteve të reja, të cilët ditën e dasmës, filmimet kryesore i bëjnë midis kësaj mrekullie të natyrës.
Jeta e natës
Pasi ke shijuar ujin e liqenit dhe plazhet e bukura, drekën e shijshme dhe çlodhjen në hotel, mbrëmja të afron një freski karakteristike, që në orët e mbrëmjes duhet edhe një triko rezervë. Supriza të tjera janë shëtitorja buzë liqenit me parkun e madh prej 340 mijë metra katrorë dhe lulishtet e shumta me muzikë live. Gjithashtu ka disko verore në breg të liqenit dhe dy të tjera në qendër të qytetit. Hyrja në këto disko shkon deri në 500 lekë për person, ndërsa më të larta janë çmimet e pijeve që shkojnë nga 300 deri në 500 lekë.
Çmimet 
Çmimet e një dhome variojnë sipas xhepave të secilit. Mund të gjesh në hotel, dhomë me 2 mijë lek nata, ka dhoma me 3000 dhe dhoma luksoze që shkojnë deri në 5000 lekë (të reja). Por në Pogradec ka edhe turizëm familjar sidomos në fshatin turistik të Tushemishtit. Për 15 ditë çmimet shkojnë nga 25 mijë lek deri në 35 mijë lek për një familje. Këto janë shtëpi me oborre dhe afrojnë kushte nga më komodet për të pushuar. Për uljen e çmimeve në Pogradec ndikojnë çmimet e ulta në bregun përtej liqenit në shtetin fqinj, të cilët konkurojnë vazhdimisht me çmime të ulta për të thithur sa më shumë turistë.
Cfarë mund të vizitoni në Pogradec 
Qyteti i Pogradecit rezulton që në kohën e neolitit 6 mijë vjet përpara erës sonë. Ju që do të pushoni në Pogradec mund të vizitoni:
1-Kishën palokristiane dhe mozaikun e Linit të ndërtuar në shekullin e V e VI të erës sonë 
2-Urën e Golikut, ura e rrugës Egnatia 
3-Kalaja e Pogradecit që i përket shekullit të V të erës sonë deri në shek XIX
4-Kulla e Shpatit të Blacës që ka një shtrirje kohore nga shekulli XII para erës sonë deri në shekullin e III të erës sonë 
5-Varret monumentale të Selcës që datojnë shekullin IV para krishtit.
Gatimet 
Padyshim që tava e koranit me zarzavate është një nga specialitetet që e kanë të gjitha lokalet në Pogradec. Në disa lokale korani mbahet i gjallë në vaska dhe gatuhet i freskët, pasi është zgjedhur më përpara nga klienti. Edhe mishi i pjekur edhe pulat e fshatit në gatime tradicionale nuk mungojnë në shumë lokale.
Padyshim pijet karakteristike, si vera artizanale dhe rakia perlë dhe muskat gjenden nëpër lokalet pogradecare.
Pasaporta e qytetit të Pogradecit 
Popullsia e qytetit 45 mijë banorë në sezonin veror dyfishohet nga pushuesit vendas dhe të huaj. Qyteti ka një sipërfaqe prej 13 km2, rrugë të asfaltuar 14 km, dhe sipërfaqe të gjelbëruar 340 mijë m2.
Pashaporta e liqenit 
Emri –Liqen i Ohrit 
Mosha- 4 milion vjeçare 
Gajtësia -30 km 
Gjërësia -14,5 km
Thellësia max -289 m
Breg liqenor 88 km
Lartësia mbi nivelin e detit 595 m
Sipërfaqja e liqenit 358 km2
Tejdukshmëria e ujit – 18 m,uji i liqenit ndërrohet një herë në 60 vjet 
Ushqimi -70 % liqeni ushqehet nga liqeni i Prespës dhe 40 lumenj dhe përrenj që derdhen në liqen 
Në liqen rriten 40 specie të rrala dhe mbi të gjitha peshku i rrallë i koranit që gjendet vetëm në këtë liqen 
Temperatura mesatare në verë 27 gradë C. (Bardhyl Berberi)
Sigal