Pogradeci dhe festa e liqenit 4 milionë vjeçar

1137

Festa e liqenit, tradita e bukur e trashëguar dhe bukuritë natyrore që të fal ky qytet

Pogradeci dhe liqeni 4 milionë vjeçar, kishin festën dhe kishin zbritur në Pogradec qytetarë dhe mysafirë nga Ohri, Struga dhe rrethinat. Data 21 qershor, është caktuar nga tre qytetet e Pogradecit, Ohrit, Strugës, të festohet dita e liqenit dhe njëherazi edhe të çelet sezoni turistik. Festa bëhet me rotacion, një vit në Pogradec një vit në Ohër dhe më pas në Strugë. Kryetari i Bashkisë, ka përshëndetur qytetarët duke kërkuar që t’ a ruajnë këtë pasuri që na ka falur natyra. Më pas janë shijuar gatimet tradicionale.

Pogradeci dhe liqeni

Popullsia e qytetit të Pogradecit45 mijë banorë në sezonin veror dyfishohet nga pushuesit vendas dhe të huaj. Qyteti ka një sipërfaqe prej 13 km2, rrugë të asfaltuar 14 km, sipërfaqe të gjelbëruar 340 mijë m2. Emri: Liqen i Ohrit, mosha: 4 milion vjeçare, gjatësia: 30 km, gjerësia: 14,5 km, thellësia max: 289 m. Breg liqenor 88 km. Lartësia mbi nivelin e detit 595 m. Sipërfaqja e liqenit 358 km2. Tejdukshmëria e ujit: 18 m, uji i liqenit ndërrohet një herë në 60 vjet. Ushqimi: 70 %, liqeni ushqehet nga liqeni i Prespës dhe 40 lumenj dhe përrenj që derdhen në liqen. Në liqen rriten 40 specie të rralla dhe mbi të gjitha peshku i rrallë i koranit që gjendet vetëm në këtë liqen. Temperatura mesatare në verë 29 gradë. Sapo ngjitesh në Qafën e Thanës, befas para syve të shfaqet një hapësirë e kaltër e liqenit të Ohrit. Vështrimi vetiu ndjek valët dhe brigjet përgjatë rrugës dhe pas pak kilometrash shfaqet qyteti i Pogradecit. Qyteti i Pogradecit i përket lashtësisë dy mijë vjeçare para erës sonë. Dikur qyteti është quajtur “Lyhnida”, që do të thotë (dritë). Pogradeci është një qytet magjik, qytet i turistëve të shumtë, i adhuruari i poetëve, i shkrimtarëve, i piktorëve. kënaqësia e admiruesve të ujit të ëmbël. Por, Pogradeci njihet edhe si qytet i koranit, peshkut të rrallë që gjendet vetëm në këtë liqen, i verës artizanale dhe gatimeve tradicionale. E reja dhe e vjetra, modernia dhe tradicionalja, bashkëjetojnë pranë njëra tjetrës. Një verë ndryshe këtë vit. Ky sezon veror i ka dhënë Pogradecit prurje të veçanta të një qyteti turistik. Këtë vit është kthyer në një kantier të madh pune. Projekti gjerman i ka siguruar ujë të pijshëm 24 orë si asnjë qytet tjetër turistik në Shqipëri. Po punohet me intensitet për të përfunduar kolektorin e ujërave të zeza dhe të gjitha rrugët dhe sheshet e qytetit po shtrohen me një pllakë të veçantë dekorative, duke i dhënë qytetit një pamje krejt të veçantë. Pogradecit në verë, i dyfishohet popullsia dhe ndryshe njihet si kryeqyteti i verës.

Plazhet, shkëmbi i Linit

Uji i kaltër i liqenit dhe plazhet janë një nga të veçantat e qytetit të Pogradecit. Shumëllojshmëria e tyre i ve pushuesit në dilemë, se ku duhet të ndalojnë. Është një vijë liqenorë prej 24 km nga fshati Lin deri në Tushemisht. Fillon atje tek gadishulli i fshatit Lin, ka ujin e pastër si kristal i vendosur në këmbët e një mali që sjell papushim fresk karakteristik në breg dhe nuk e ndjen fare bezdinë e vapës. Ka një kuzhinë skare dhe është një nga plazhet e krijuara gjatë viteve të fundit, është një mrekulli e natyrës dhe frekuentohet shumë nga Elbasani. Plazhet Piskupat, Hudënisht dhe Mëmëlisht, janë tre plazhe të njëpasnjëshëm me lokale të shumta luksoze dhe fshatra turistike, ku nuk mungojnë as pishinat. Kanë ujë të pastër dhe frekuentohen shumë nga të ardhurit sidomos nga korçarët. Ashtu si plazhi i Shkëmbit të Linit, janë plazhe shkëmbore.

Plazhi i Fortesave dhe plazhi i vjetër

Është një nga plazhet në këmbët e kalasë së qytetit, i cili frekuentohet kryesisht nga pogradecarët vendas. Është rreth 1 km larg qytetit, prandaj është shumë i populluar pasi nuk kërkohet makina për të shkuar në plazh. Edhe këtu, uji është i pastër dhe është vazhdimësi e plazhit shkëmbor. Plazhi i Vjetër, është plazhi tradicional që qyteti e ka në gjirin e tij. Është i gjithi plazh ranor, por cilësia e ujit nuk është në standardin e plazheve të tjera. Pas mbarimit të kolektorit të ujërave të zeza, që sapo ka filluar dhe mbaron pas 18 muajsh, ky plazh popullor që dikur ka qenë shumë i mbipopulluar për shkak të distancës të afërme me qytetin dhe cilësisë së rërës, do t`i kthehet mbipopullimit si dikur.

Plazhi i Vilave dhe Tushemishti

Plazhi i Vilave deri në Drilon është plazhi më i ri i ri i krijuar këtë verë me parametra bashkëkohorë. Të gjithë bregut i është trefishuar sipërfaqja e rërës përgjatë gjithë gjatësisë prej 5 km, duke ngritur trotuare dhe ndriçim përgjatë shëtitores deri në Tushemisht. Është një nga fshatrat turistike, model i cili çdo verë mbi popullohet me të huaj. Në të gjithë fshatin është shtrirë turizmi familjar me kushtet nga më komodet. Plazhi i Tushemishtit, është nga më të populluarit, është ranor me një ujë të pastër dhe ka shumë hotele dhe lokale luksoze në breg të liqenit. Aty ndodhen shumë hotele luksoze me kuzhinë tradicionale dhe karakteristike pogradecare, me një lulishte të sistemuar bashkëkohore mes karafilave dhe trëndafilave.

Driloni, larg vapës mes mrekullisë së pyllit dhe lumit

Një relaks i vërtetë nënë mrekullinë e një pylli në bregun e liqenit, në një park gjigand prej 20 ha me lumin e Volorekës, në mes me ishujt të ndarë që mund të vozitësh me varkë përgjatë lumit dhe një gjelbërim të harlisur, që të duket vetja sikur je në përrallat e Andërsenit. Aty ndodhen tri lokale, që të servirin nga tavat tradicionale e koranit deri tek mishrat e pjekura në hell. Në këtë park vijnë vizitorë nga të gjitha rrethet dhe kalojnë orë të tëra në formën e një pikniku familjar. Ndërsa për jetën e natës, pasi ke shijuar ujin e liqenit dhe plazhet e bukura, drekën e shijshme dhe çlodhjen në hotel, mbrëmja të ofron një fresk karakteristik, që në orët e mbrëmjes duhet edhe një triko rezervë. Surpriza të tjera, shëtitorja buzë liqenit në parkun e madh prej 340 mijë metra katrorë dhe lulishtet e shumta me muzikë live. Gjithashtu, janë edhe tre disko midis tyre dhe një verore e porsa përuruar në breg të liqenit dhe dy të tjera në qendër të qytetit.

Çmimet

Çmimet e një dhome variojnë. Mund të gjesh në hotel dhomë me 2 mijë lek nata, ka dhoma me 3 mijë dhe dhoma luksoze qe shkojnë deri në 5000 lekë. Por, në Pogradec ka edhe turizëm familjar sidomos në fshatin turistik të Tushemishtit. Për 15 ditë çmimet shkojnë nga 25 mijë lek deri në 35 mijë lek për një familje. Këto janë shtëpi me oborre dhe afrojnë kushte nga më komodet për të pushuar. Çmimet e ulëta, janë pasojë edhe e konkurrencës së fqinjëve. Qyteti i Pogradecit rezulton që në kohën e neolitit, 6 mijë vjet përpara erës sonë. Ju që do të pushoni në Pogradec, mund të vizitoni: Kishën palokristiane dhe mozaikun e Linit të ndërtuar në shekullin e V e VI të erës sonë, urën e Golikut, ura e rrugës Egnatia, kalaja e Pogradecit, që i përket shekullit të V të erës sonë deri në shek XIX 4, kulla e Shpatit të Blacës, që ka një shtrirje kohore nga shekulli XII para erës sonë deri në shekullin e III të erës sonë si dhe varret monumentale të Selcës që datojnë shekullin IV para Krishtit .

Gatimet

Padyshim që tava e koranit me zarzavate është një nga specialitetet që e kanë të gjitha lokalet në Pogradec. Në disa lokale korani mbahet i gjallë në vaska dhe gatuhet i freskët pasi është zgjedhur më përpara nga klienti. Edhe mish i pjekur edhe pulat e fshatit në gatime tradicionale nuk mungojnë në shumë lokale. Padyshim pijet karakteristike, si vera artizanale, rakia perlë dhe muskat gjenden nëpër lokalet pogradecarë .