Po vjen Viti i Ri me një varfëri të re!

714
Bardhyl BERBERI 

Po presim Vitin e Ri me një varfëri të re. Është rritur taksa e shtëpisë, rritet taksa e makinave, pronat do t`i kompesojë shteti vetëm 20 për qind. Dhe atyre të tjerëve që iu ka filluar kompensimi me qeverinë Berisha kanë marrë në këto dy mandate të qeverisë socialiste vetëm një këst. Qeveria shpërndan vetëm lajme të kobshme taksash. Pazare Krishtlindjesh, kryeqyteti ynë plot me drita i zbukuruar si asnjëherë tjetër, por ka një farë zbukurimi dhe në ato qytete që mezi jetohet, ku dekorimi bëhet pjesë e arkitekturës dhe qytetit. Supermarkete që mbushen me produkte të servirura me ngjyra të kuqe dhe të arta. Aty gjen gjithçka edhe ‘sy njeriu’, por nuk gjen gjënë kryesore, paranë, e cila është “arratisur” vetëm në xhepa pushtetarësh dhe bosësh. Të vjen keq kur shikon pensionistët e varfër që zënë radhë para arkave të Bankës që në pesë të mëngjesit për të marrë atë 3 mijë lekshin, shpërblimin e qeverisë. Futesh tek dyqanet e frutave dhe papritur çmimet kërcejnë si me shkop magjik, dyfishohen kur kudo nëpër vende të ndryshme të Evropës dhe tek fqinjët tanë ulen maksimalisht. Këto janë çudirat shqiptare që i has vetëm tek ne. Megjithatë, detyrimi gati i pamohueshëm i njeriut ndaj festës dhe të festuarit, më duket një nga gjërat më të pikëlluara. Duket si periudha kur del më së shumti në pah palumturia dhe drama njerëzore e që bëhet një me vezullimën e bredhave të Vitit të Ri, dizajnet apo të dritave shumëngjyrëshe, duket si “bukuri që të vret” e Migjenit. Dhe vezullimi i trishtueshëm i qiririt mbretëron tek qindra e qindra familje të varfëra që nuk kanë para të paguajnë energjinë elektrike. Ata do ta presin Vitin e Ri nën yjet e qiellit (a ju kujtohet një këngë festivali kombëtar e kohës së diktaturës “Nën yje presin Vitin e Ri” ku sigmatizohej shoqëria kapitaliste dhe njerëzit poshtë urave nën yjet e qiellit prisnin Vitin e Ri). Bëra një bisedë sot me përgjegjësin e aeroportit të Ohrit për dy bileta në Londër, se kemi një ide me gruan të shkojmë tek vajza e madhe në Londër. Ai poshtë lenteve të syzave ma preu, nuk kam asnjë biletë, janë prenotuar të gjitha nga persona VIP nga Shqipëria, madje ka mes tyre shumë pushtetrarë. Ja më tregoi kanë bërë pronotime për të fluturua rnga aeroporti Ohrit që nga data 23 dhjetor për në Paris, Londër, Barcelonë, Venecia deri në Republikën Domenikane. A i ke pyetur, i thashë atij, se pse udhëtojnë nga aeroporti i Ohrit? Më thonë, nën zë, se nuk duan që të përgojohen nga llafazanët dhe ziliqarët e vendit të tyre! E do e një sekret tjetër, më thotë ai, pothuajse të gjithë personat VIP udhëtojnë me të dashurat, të cilat arrijnë në aeroprt me taksi dhe bashkohen në avion. 

Vitin e Ri nën dritën e qirinjve në pamje të parë duket si diçka romatike por bëhet thuajse vrastare në zonat ku ende ka probleme me furnizim të energjisë elektrike. Për ta nuk ka përrallë Viti i Ri. Kjo sepse ka shumë më pak shpresë dhe dashuri se në përralla. Pa dyshim një respekt të veçantë në këtë fund viti për nënat dhe gratë tona që sfiliten në kuzhinë, gatuajnë gjithë ditën, shtrojnë e zbukurojnë tavolina, dhe burrat e shtëpisë që rrinë shtrirë në divane e koltuqe me telekomandën e televizorit në dorë. Për shumë familje shqiptare, nata e Vitit të Ri është nga netët e pakta që festohet në shtëpi. Festohet me bollëk, njëherë në vit. Është nga netët e pakta kur ngrihet një dolli nga të gjithë anëtarët e familjes. Për shumë dashuri për njeri-tjetrin, më pak varfëri. Disa të diplomuar luten që Viti i Ri t`u sjelli një punë, dikush lutet që t`i dali Llotaria Ameriakne apo të marrin një vizë dhe të largohen familjarisht, pasi atdheu i tyre nuk i nxe, nuk i mban dot dhe nuk gjejnë dot një motiv se pse duhet që akoma të besojnë se ky vend do të bëhet. Të lumtur e të palumtura, të varfër e të pasur, fëmijë e të rritur, ateistë e besimtarë, të gjithë së bashku festën e fund vitit e shohin si një alternativë se Viti i Ri do iu sjellë mbarësi. Pas asaj nate të hareshme vjen 1 janari 2018 dhe kur zgjohemi dhe na ka dalë pija vetëm atëherë e vërejmë zvetënimin e dritave, të dekoreve dhe të reklamave. Brenda natës e gjithë ajo kthehet në mbeturinat e natës së hareshme, e cila përfundon kontejner mbeturinash të mbushur plot. 
Sigal