Po të isha Avokat i Popullit, do e kisha çuar çështjen e Prokurores së Përgjithshme të përkohshme në Kushtetuese

882
Klaudia Malaj

Intervistë me Avokatin Prof. Asoc. Dr. Jordan DACI

Nëse do isha Avokat i Popullit, do e kisha çuar Prokuroren e Përgjithshme të përkohshme në Kushtetuese
Pas lëvizjeve në Prokurorinë e Përgjithshme të kryera nga Prokurorja e përkohshme Arta Marku, e cila risjell inspektimin e prokurorëve, që ishte shkrirë që para një viti. Avokati Jordan Daci, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Telegraf” ka thënë se kjo është një nga kompetencat që kjo Prokurori ka. Sakaq nuk mund të mohojmë edhe lëvizjet në Prokurori.
Kryeprokurorja e Përgjithshme e përkohshme risjell inspektimin e prokurorëve, gjë që ka qenë e shkrirë që para 1 viti. Sipas jush çfarë synohet të arrihet me këtë lëvizje?
“Reforma në drejtësi midis të tjerash ka si qëllim ngritjen e një sistemi drejtësie ku përfshihet edhe prokuroria mbi të gjitha profesional, të pavarur dhe të përgjegjshëm. Kjo e fundit në fakt është një ndër problematikat më të rënda që ka sot ky sistem dhe nënkupton që sot nuk kemi një sistem funksional dhe mirëfunksionues për mbikëqyrjen e punës dhe ligjshmërisë në kuadër të organit të akuzës. Një gjë e tillë përveçse kontrollit nga gjykatat kërkon edhe mekanizma të kontrollit të brendshëm, të cilat nuk synojnë vetëm kontrollin, por edhe synojnë edhe evidentimin e problemeve jo domosdoshmërish shkeljeve me qëllim përmirësimin e funksionimit dhe punës në tërësi. Për paralelizëm një gjë e tillë në gjyqësor është siguruar nga sistemet e inspektimit madje të dyfishtë deri më tani nga Ministria e Drejtësisë dhe KLD. Ndërkohë, prokuroria nuk ka. Nga ana tjetër, ndryshimi thelbësor i kompetencave të prokurorit të përgjithshëm në kushtet edhe të mungesës një inspektorati, kërkon me doemos një strukturë të përqendruar inspektimi. Prandaj, e gjykoj që vendimi për ngritjen e drejtorisë nga Prokuroria e Përgjithshme e Përkohshme është shumë i drejtë dhe duhet të përkrahet dhe nuk mund të keqinterpretohet dhe kjo është një kompetencë që mendoj që kjo prokurore e ka. Mungesa e disa dispozitave si pasojë e shfuqizimit nga Gjykata Kushtetuese e disa neneve, do të krijojë probleme, por nuk gjykoj se është pengesë pasi llogaridhënia dhe nxjerrja në pah e përgjegjësive nuk kërkon me doemos dispozita të mirëdetajuara, pasi mjaftojnë parimet e përgjithshme të së drejtës dhe kuadri tjetër kushtetues dhe ligjore që kemi në vendin tonë. Normalisht, e mira është të plotësohet baza ligjore nga Kuvendi, por kjo nuk është detyrë e Prokurorit të Përgjithshëm dhe nuk mund të jetë shkak që prokuroria të funksionojë pa një sistem të vetëkontrollit të brendshëm të ligjshmërisë dhe mirëfunksionimit.” 
A ka të drejtë një Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme të bëjë të gjitha këto lëvizje, pa harruar të përmendim edhe lëvizjet e kryeprokurorëve në rrethe për të cilat pati shumë debate?
“Kompetencat e Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme përcaktohen qartë në ligj dhe nuk mendoj se ka shumë nevojë të ndalemi për t’i ripërsëritur pasi edhe janë shteruar këto diskutime që prej zgjedhjes së saj. Në gjykimin tim, disa janë bërë jashtë kompetencave, por disa të tjera janë bërë brenda kompetencave. P.sh. Lëvizja e drejtuesve të zgjedhur për mua është haptazi e pabazuar në ligj. Nga ana tjetër, lëvizja e drejtuesve të komanduar është çështje e diskutueshme juridike, por që do të jenë gjykatat që mbi bazën e ankimeve të personave të interesuar do ta thonë fjalën e fundit. Duhet thënë që këto probleme dhe diskutime vijnë së pari nga cilësia jo e keqe, por shumë e keqe e një pjesë të madhe të ligjeve të paketës së famshme të reformës në drejtësi. Nëse do të ishte shkruar me kujdes, pa pasur parasysh asnjë emër dhe skenar të përveçëm dhe jo me aksion, pasi ligjet nuk bëhen me aksion, sot nuk do të kishim asnjë nga këto probleme. Mendoj që Kuvendi duhet të rivendosë ligjshmërinë në sistemin e drejtësisë duke vazhduar me zgjedhjen pa vonesë të anëtarëve të KLP dhe KLGJ dhe kështu merr fund ky debat i cili në thelb nuk zgjidhë asnjë nga hallet e shqiptarëve, por vetëm sa krijon disa halle të reja.” 
Por një vendim i Gjykatës Kushtetuese ka shfuqizuar disa nga nenet që pikërisht përcaktojnë procedurën e hetimit të shkeljeve disiplinore, të cilat duhet të hetohen nga drejtoria e re e inspektimit. Kryeprokurorja po vepron kundër gjykatës Kushtetuese?
“Sikurse e theksova me lart, Prokuroria e Përgjithshme e Përkohshme nuk po vepron kundër Gjykatës Kushtetuese, kjo pasi vendimi nuk ka shfuqizuar gjithë ligjin, por vetëm disa nene, të cilat vështirësojnë funksionimin, por nuk e zhbëjnë sistemin e inspektimit dhe as nuk e bëjnë të pamundur funksionimin e tij. Mendoj që mund të funksionojë bazuar në parimet e përgjithshme të së drejtës, Kushtetutës së RSH, traktateve ndërkombëtare dhe normave të tjera në fuqi. Pasja e normave të shumta e të detajuara madje nuk njihet në botë si praktikë e mirë legjislative. P.sh. Kodi i Procedurës Administrative i SHBA-ve ose Akti i Procedurës Administrative të SHBA-ve ka vetëm 12 seksione ose nene dhe është miratuar në vitin 1946, por është thjesht i shkëlqyer në krahasim me çdo kod tjetër sado i gjatë apo i detajuar përfshi edhe krijimin më të fundit të RSH.” 
Ligji a i jep kompetenca Arta Markut të bëjë kaq shumë ndryshime, edhe në rast të ndonjë ngërçi, kush do ndërhyjë për zgjidhjen e çështjes?
“Ligji i jep kompetenca shumë të kufizuara pikërisht për faktin se vlerësohet si e përkohshme edhe pse me sistemin që kemi ngritur mund të ketë mandat më të gjatë sesa i përhershmi. Kjo gjë do të ndodhte p.sh. nëse Kuvendi do të dështonte në zgjedhjen e një Prokurorit të Përhershëm dhe kjo gjë ka shumë gjasa të ndodhi. Kjo do të thotë që ajo do të qëndronte në detyrë derisa të zgjidhet prokurorit i përhershëm apo të shkarkohej nga Kuvendi nëse do të kishte ndryshim në shumicën parlamentare etj. Në këtë pikëpamje, ajo është në kryer të organit të akuzës, por që ishte konceptuar si zgjedhje të bëhej me kushte dhe rrethana krejt të ndryshme nga situata aktuale. Nga ana tjetër, nëse Kuvendi do të dështonte në zgjedhjen, lind pyetja si do mbetej vendi i Prokurorit të Përgjithshëm: një prokuror të përkohshëm me kompetenca gjysmake? Një prokuror të përkohshëm me kompetenca gjysmake, por që ushtron një diskrecion që në fakt i takon një prokurori të përhershëm? Apo një Prokurori të Përgjithshme pa prokuror të përgjithshëm? Sigurisht, asnjë nga këto nuk është zgjidhja e duhur dhe e ligjshme. Prandaj, Kuvendi duhet të zgjidhi ngërçin institucional dhe të rivendosë ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë sikurse duhet në një vend demokratik ku pushtetet janë të ndara dhe garancitë kushtetuese janë mbrojtje e qytetarëve nga abuzimi i pushtetit etj.” 
A po sillet Marku si Prokurore e Përgjithshme e përhershme?
“Për mendimin tim, ajo po sillet si Prokurore e Përgjithshme, sikurse është në fakt. Diskutimet e ligjshmërisë, kushtetutshmërisë së zgjedhjes së saj, si dhe pasja ose jo e kompetencave në kohën kur kjo situatë është “bekuar” nga Kuvendit janë të pavlera juridikisht, por janë vetëm për doktrinë, diskutim mediatik dhe politik. Qytetarët nuk kanë të drejtë të vendosin në lëvizje mekanizmin mbikëqyrës kushtetues për të marrë një përgjigje institucionale nga Gjykata Kushtetuese. Vetëm kjo e fundit ka të drejtë të thotë fjalën e fundit dhe për mua subjektet që kanë të drejtë ta vënë atë në lëvizje duhet ta vënë pa vonesë që ky diskutim të marri përgjigje përfundimtare nga kjo gjykatë. Gjykata Kushtetuese ka provuar prej vitesh që është mbi palët, garanton dhe reflekton integritet profesional dhe moral për të dhënë drejtësi kushtetuese dhe nuk i është nënshtruar asnjëherë presioneve nga asnjë drejtim. Në këtë kuadër, nëse unë do të isha zgjedhur vitin e shkuar Avokati i Popullit në atë garën e shëmtuar që u bë nga Kuvendi, ua siguroj që në mbrojtje të interesit madhor të publikut dhe në zbatim të kompetencave kushtetuese, do e kisha çuar pa asnjë hezitim zgjedhjen e Kryeprokurorit për vlerësim në Kushtetuese. Në një shtet demokratik, debati dhe kundërshtimet bëhen para institucioneve kushtetuese. Diskutimet e tjera jashtë këtyre mekanizmave janë vetëm për konsum politik apo shoqëror, por në thelb nuk i sjellin dobi interesit publik.”


Sigal