Po shkatërrohen llixhat e Elbasanit

1370
Sigal

SKANDAL/ Drejt zhdukjes një pasuri termale. Specialistët hidrik: Privati po betonizon burimet. Mungojnë edhe mjekët

Llixhat e Elbasanit në Fshatin Trega vazhdojnë të pushtohen nga privatë të ndryshëm duke cenuar një pasuri shekullore, unike për vlerat që ka patur prej mijëra vjetësh. Kjo pasuri e shfrytëzuar që nga koha e Romës së lashtë e deri në kohën tonë e burimeve të ujërave termale ose siç quhen “Burimet e ujërave termale të Llixhave të Elbasanit”. Sipas një informacioni nga specialistë të mirënjohur hidrike, këto burime janë të përdorura prej shekujsh, për vlerat shumë të mëdha relaksuese dhe kurative, të krijuara në 13 km thellësi të kores së tokës, ku kjo e fundit gjendet në formë llave,e cila buron me rrjedhje të lirë në sipërfaqe, në temperaturë deri 60 gradë, duke paraqitur edhe shfaqje të tilla si erupsioni periodik i ujit të nxehtë në burimin e “Cik Papasit” shfaqja e vezëve që zihen në ujin e nxehtë të burimeve apo legjenda të lashta lidhur me vende si Guri i Fatit etj..

Skandali

Një emigrant që kthehej në Shqipëri pas shumë viteve dhe kishte nostalgji të shikonte mrekullinë e burimeve termale, u skandalizua, kur në vend të burimeve të nxehta, ku llokoçiste uji i nxehtë dhe i çmuar për vetitë e tij, pa një rrjet merimangash me tuba elastike plastmasi, të cilat dilnin nga disa gropa të taposura me beton që shënonin ish burimet, të cilëve iu është zënë fryma nga shpimet me sonda dhe  mjete të  tjera nga ku thithej çdo lloj lëngu që del nga toka, qoftë ky ujë termal apo ujë pusi të zakonshëm dhe përfundonte në të ashtuquajturat ”vaska të privatit”, ku pa asnjë profesionalitet apo kujdes të mjekut trajtohen të gjorët klientë.

Mafia e ujit termal

Sikur ndodh që dikush ta lerë grykën e burimit të lirë, brenda natës janë futur në të disa tuba që thithin ujin e çmuar. Ekziston dhe një lloj “mafie” e ujit termal, e cila i shet ujë “hallexhinjve, veçanërisht në muajt e pikut maj, shtator, tetor e nëntor”. Burimet e Llixhave të Elbasanit shtrihen në dy nivele, ato të ulëtat në fshatin Tregan, që kanë pasur prurje mbi 15 l/sek dhe burimet e sipërme të Hidrait që kanë pasur prurje mbi 28 l/sek. Të gjitha këto  burime kanë temperaturën 38-60 gradë.

Burimet

Ashtu siç edhe sqarojnë specialistët e këtyre ujërave, flitet se burimet e poshtme në fshatin Tregan kanë një hartë ekzakte që në vitin 1926 me koordinata të sakta dhe temperaturën për çdo burim. Këto burime kanë emra që vijnë nga lashtësia, si “burimi i zgjebes”, burimi i “kockave”, “burimi i dhëmballëve” apo burimi i “kollës së mirë”, si dhe emërtime që para një shekulli si “burimi Nosi”, “burimi i kalit”, “burimet e Yllit” etj.. Të gjitha këto burime kanë veçoritë e tyre në përbërjen e tyre kimike dhe temperaturën e secilit, për secilën sëmundje që shëron. Uji termal i këtyre burimeve formohet  nga bashkimi i hidrogjenit me oksigjenin në zonën e llavës së tokës, në rreth 13.000 m thellësi dhe nën presionin e madh të gazrave shoqërues del në sipërfaqe pas  rreth 100 vjetësh nga koha e krijimit. Duhet thënë me zë të lartë se popullit të Elbasanit po i shkatërrojnë një pasuri shekullore, me të cilin mburrej.

Prishet ekuilibri shekullor

Sot është bërë një batërdi, duke thithur ujë me pompa nga burimet, ekuilibri shekullor është prishur dhe askush nuk e di sa janë burimet dhe cila është cilësia e ujit në burimet, ku thithet uji me pompa. Elementët më të vlefshëm të ujërave termale sulfurore të Elbasanit janë gaze si hidrogjeni i sulfuruar H2S (0.4 gr/litër), H2SO3 (0.4 gr/litër), HBO2 (0.0254 gr/litër) një pjesë e të cilave humbet në ajër nga trajtimi me pompa.

I njëjti tub me ujërat e zeza

Një problem tjetër shumë serioz është shkarkimi i ujërave termale të përdorura  në rrjetin e ujërave të zeza të qendrës së banuar. Gazrat shumë helmuese dhe të tretshme në ujë, depërtojnë në godinat e banuara duke vënë në rrezik shumë serioz jetën e banorëve dhe veçanërisht fëmijëve në familje që nuk kanë të bëjnë fare me ujërat termale.

Është turp të shikosh burimet

Është turp të shikosh, ku janë katandisur burimet e famshme shëruese, për të cilat specialistë të famshëm si Dr.Ing Humakova apo Prof. Dr. Forminek të Institutit Teknologjik të Politeknikut të Pragës në vitin 1924, rusi Prof. Avgustinski 1957 apo edhe Prof. Dr. Alfred Frashëri dhe Dr. Ing. Nevfon Kodhelaj kanë bërë studime të thelluara shkencore.