Po arratisej, si e justifikoi largimin nga Shqipëria Redjan Rraja: Kisha punë

114

Redjan Rraja do të dalë sot para Gjykatës së Krimeve të Rënda për t’u njohur me masën e sigurisë pasi akuzohet se ka marrë pjesë në atentatin ndaj prokurorit të Durrësit, Arjan Ndojës.

Por disa detaje të reja kanë dalë nga dëshmia e tij në Prokurori pasi është kapur duke u larguar nga vendi.

Pasi u kap në Shkodër, pak para së të kalonte në Mal të Zi, Rraja ka mohuar përfshirjen dhe ka thënë se ishte duke u larguar me makinën e tij drejt Italisë për “punë personale”.

Redjan Rraja, u arrestua nga Policia e Shtetit, pasi u zbulua nga ADN-ja e gjetur në makinën Benz ngjyrë gri, që u gjet e padjegur në Ishëm.

Policia dyshon se përveç tij, të përfshirë në këtë atentat janë edhe tre persona të tjerë. Ndërkohë që Redjan Rraja, njihet edhe si mjeku stomatolog që prishi provat në vrasjen e Elton Cicos, ngjarje e ndodhur më 1 maj 2016.

Emri i Redjan Rrajës, u dëgjua sërish vitin e shkuar kur ish-oficeri Emiljano Nuhu denoncoi kërcënimin e marrë nga Rraja dhe kushëriri i tij, Ramazani.