Plumba mbi perandorin dhe varja në litar

2660
Sigal

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Nga njeri i thjeshtë, në hero

Pasuria më e madhe e një kombi është historia e tij, e njerëzve të vet që e bëjnë dhe e krijon në vazhdim. 17 maj 1941 na bën të reflektojmë, por dhe të kuptojmë sa themeltare në histori është bashkëkombësi që bën emër duke na u imponuar me modesti, nga shqiptar i thjeshtë dhe me shpirtin e tij, bëhet hero. Vasil Laçi qëlloi me pesë plumba perandorin italian Viktor Emanueli III. Ishte një djalosh rreth 19-vjeçar. Ngjarja e dukshme, tepër e rrallë në biografinë tonë kombëtare, por dhe në Ballkan, ndodhi në kryeqytet, në Rrugën e Durrësit, në Tiranë. Në këtë rrugë është e vështirë të dallosh një basoreliev të vogël, që tregon një histori kombëtare. Vasil Laçi mund të themi pa frikë se është më i famshëm i Ballkanit në Luftën e Dytë Botërore. Kur i riu Vasil Laç, ngriti dorë dhe qëlloi mbi “mbretin-perandor”, fashizmi ishte shndërruar në fuqi globale dhe tepër të pathyeshme. Hitleri dhe Musolin kishin vënë nën sundim pothuaj gjithë hapësirën e Evropës. Në këtë kohë këto dy fuqi kishin përfunduar dhe pushtimin e të gjithë gadishullit të Ballkanit. Fundi i prillit 1941 kishte përfunduar pushtimi i Jugosllavisë dhe i Greqisë. Britania e Madhe nuk po e zotëronte dot Ballkanin, ndërsa Bashkimi Sovjetik ishte i vetëm në fillimin e kësaj lufte. Dhe ky vend që zotëronte një territor sa një e gjashta e botës, u sulmua pak ditë më pas nga jehona e pesë të shtënave të revolverit të Vasil Laçit. Më 22 qershor 1941, Hitleri nisi sulmin kundër Bashkimit Sovjetik, duke thyer dhe paktin e mossulmimit të firmosur nga Ribentrop dhe Molotovi me pëlqimin e Hitlerit dhe të Stalinit.

Rezistenca e madhe kombëtare kishte filluar

Kur i riu shqiptar, patrioti Vasil Laçi kreu aktin e rrallë guximtar, komunistët në vend ishin një pakicë numerike. Ata nuk kishin ndonjë ndikim në popull, si në planin ideologjik, politik, por dhe në aksione konkrete kundër pushtuesit fashist. Ndoshta kjo dhe për shkak të detyrimit që të respektonin traktatin Ribentrop-Molotov për bashkëpunim mes Gjermanisë dhe Bashkimit Sovjetik, duke qëndruar të tërhequr, por rezistenca e madhe kombëtare kishte filluar. Me heroizmin e tij si shqiptar dhe patriot Vasil Laçi atë ditë dha shembullin e rezistencës popullore, shpërthimin e urrejtjes kundër fashizmit dhe pushtuesit italian. Kjo rezistencë kishte nisur që në Romë, më 13 maj 1939, kur rreth katërqind studentë shqiptarë që studionin në shkollat dhe akademitë ushtarake italiane, kishin refuzuar betimin ushtarak fashist. Të mbledhur me detyrim ata e refuzuan publikisht dhe para ushtarakëve të lartë fashist. Nisi kundër tyre një represion dhe gjyqe të heshtura, deri në burgime dhe në eliminim të studentëve, si Shahin Toçi etj. Por për të vënë në vend nderin e humbur prej studentëve shqiptarë, bashkëkombës “me emër”, pak ditë më parë, më 16 prill 1939, udhëtuan drejt Romës dhe i dhuruan “Mbretit-Perandor” Viktor Emanueli III, kurorën e artë të Skënderbeut. Studentëve ushtarakë shqiptarë ky veprim iu kushtoi 16 të burgosur dhe të internuar në ishullin Ventontene, si dhe një të eliminuar në fshehtësi të madhe.

Plumbat e Vasil Laçit flisnin për Shqipërinë

Deri në momentin kur i riu Vasil Laçi shtiu me plumb mbi perandorin, nga pushtuesit italianë ishin bërë bastisje banesash, si dhe kontrolle të personave, ku në kampet e përqendrimit të Italisë numëroheshin rreth 5279 patriotë shqiptarë. Akti i të riut shqiptar që qëlloi mbi perandorin ishte i jashtëzakonshëm dhe me rëndësi si për Shqipërinë, për Ballkanin, por dhe për historinë e Luftës së Dytë Botërore. Ky akt deri diku në atë kohë ngeli në harresë. Tërë Ballkani ishte nën pushtimi dhe për aktin heroik të të riut shqiptar që ishte sinjal për rezistencë nuk u shkrua asnjë rresht për çfarë ndodhi në mes të kryeqytetit shqiptar. Greqia ishte nën pushtim. Edhe në Itali, censura ishte në kulm, si dhe në Tiranë. Heshtja e pushtuesve fashistë ishte pasojë e asaj që prej 7 prillit 1939, fashistët italianë shqiptarët i kishin paraqitur në opinionin botëror se ishin pritur me tufa me lule. Plumbat e Vasil Laçit flisnin për të kundërtën në Shqipëri. Vasil Laçin e torturuan egërsisht për dhjetë ditë me radhë. Në këto ditë fashistët nuk i kursyen të gjitha llojet e shpifjeve, i vendosën emër tjetër dhe origjinën ja bënë greko-maqedonase. Madhështia e vërtetë e aktit dhe e gjestit të tij, flet shumë para gjithë botës së qytetëruar dhe demokratike. Vasil Laçi si patriot shqiptar u përpoq të shtinte mbi mbretin e Italisë dhe uzurpatorin e fronit të Shqipërisë, Viktor Emanueli III, si dhe Shefqet Bej Vërlacin, Kryeministër i Shqipërisë, pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste. Vasili kishte lindur në fshatin PiqerasShqipërinë jugore afër qytetit të Sarandës në vitin 1922. Fëmijërinë e tij e kaloi në Piqeras, ku dhe studio në shkollë fillore. Në 1939-n gjendet në Tiranë, për t’u punësuar për bukën e gojës.

E përcolli me plumb perandorin

Viktor Emanueli III kishte planifikuar një vizitë në Shqipëri dhe pasi mori garanci nga policia fashiste italiane në Tiranë, nisi vizitën. Vasili e merr vesh për vizitën e Viktor Emanuelit në Shqipëri që më 2 maj 1941. Ai mori hua një pistoletë Beretta nga Pëllumb Koka, një tjetër patriot shqiptar, ku dhe ishte strehuar e punësuar. 19-vjeçari Vasil Laçi, ditën e largimit të perandorit, u vesh me një kostum kombëtar shqiptar dhe qëlloi mbi makinën ku ishte Viktor Emanueli III dhe Shefqet Bej Vërlacin, Kryeministër i Shqipërisë. Pritej nga çasti në çast të kalonte Perandori. Filloi kortezhi i veturave. Sovrani, në një veturë të hapur, kalonte përmes batalioneve të këmbësorisë, të kalorësisë, të formacioneve fashiste të ndarë më tre kolona në të dyja anët e rrugëve, ndërsa sipër fluturonin skuadriljet e aeroplanëve. Në këtë atmosferë pasigurie e frike, rrethuar kudo me helmeta dhe armë, i riu patriot Vasil Laçi, hyri në mes të turmës dhe priti rastin e volitshëm. Ai ngriti dorën mbi helmetat dhe grykët e armëve fashiste dhe qëlloi pesë herë në drejtim të Perandorit. Populli shqiptar me dorën e njërit prej bijve të tij, e përcolli me plumb Perandorin Viktor Emanuelin III. Perandori kishte mbaruar vizitën e tij shtatëditore në Shqipëri dhe po largohej në drejtim të aeroportit të Laprakës, në Rrugën e Durrësit, u qëllua nga djaloshi 19-vjeçar, me origjinë nga fshati Piqeras i Sarandës, i cili quhej Vasil Laçi. Ndërsa Mbreti Viktor Emanueli III shpëtoi pa u vrarë, vetëm në sajë të agjentëve të policisë së fshehtë italiane që atë ditë ndodheshin në gatishmëri të lartë dhe ia kapën menjëherë revolverin djaloshit, por plumbat e pistoletës së tij fshikulluan lehtë Kryeministrin shqiptar Shefqet Vërlaci, që ndodhej në makinë me Mbretin e Italisë. Ai realizoi pesë të shtëna në drejtim të tyre, por pa mundur të vrasë perandorin. Laçi u arrestua menjëherë. Qeveria fashiste italiane sulmin e tij e trajtoi për çështje ekonomike dhe se ai kishte me Shefqet Bej Vërlacin.

Vend nderi në altarin e lirisë si patriot

Regjimit komunist atentatin e djaloshit Vasil Laçi ndaj Mbretit të Italisë, Viktor Emanueli III, nuk e përvetësoi dhe nuk e paraqiti si vepër të komunistëve, por ai zuri vend nderi në altarin e lirisë si patriot dhe atdhetar i lavdishëm. Në librin “Yje të Pashuar”, për këtë ngjarje, thuhen fjalët e Vasil Laçit se “E bëra vetë, për Shqipërinë! / Rroftë Shqipëria e Lirë! / Poshtë fashizmi!”. Atentati i djaloshit shqiptar, që qëlloi Viktor Emanuelin III në rrugën e Durrësit, ishte fillimi i një kryengritjeje të madhe që po përgatitej. Plot 76 vjet më parë, më 27 maj të vitit 1941, do të varej në litar, sepse guxoi dhe shtiu pesë herë me plumba mbi Mbretin e Italisë dhe Perandorin e Etiopisë, Viktor Emanueli III, të pagëzuar edhe si Mbret i Shqipërisë pas dorëzimit të Kurorës së Skënderbeut. Sistemi komunist këtij luftëtari dhe patrioti i kushtoi: një monument në Tiranë për të nderuar veprën e tij, një libër, një film: “Plumba mbi Perandorin”, vendosje të emrit të tij në rrugë dhe shkolla të vendit, e shpalli ‘Dëshmor të Atdheut’, si dhe e vlerësoi me titullin e lartë “Hero i Popullit”.