Plehrat marrin 350 milionë euro, ushtarakëve u hiqen pensionet

506
Vjollca KUTA

Për biznesin e plehrave jepen 350 milionë euro, ushtarakëve u hiqen 12 milionë euro
Pensionet rriten 200-300 lekë, bosëve të inceneratorëve u jepen miliarda të barabarta, sa ndërtim-mobilimi i 50 shkollave e 15 spitaleve
Po përmendim dy fakte, që lidhen me hallin ekonomik dhe të drejtën ligjore e jetike të ish-ushtarakëve të liruar para kohës së daljes në pension dhe me bizneset e pista, që shtetarët dhe politikanët shqiptar, në bashkëveprim me mafien ndërkombëtare, po bëjnë me instalimin në Shqipëri, të industrinë së përpunim-djegies së plehrave të vendit e të importit: 

1. Zhvlerësimi i ushtarakëve dhe mbivlerësimi i plehrave, rezulton të çudia e radhës e qeverisë shqiptare, lidhur me fondet. Pagesat e pensioneve të ushtarakëve të liruar e të nxjerrë në pension të parakohshëm, paçka se i ka miratuar parlamenti me ligj të posaçëm, janë mohuar, hequr e duhen kthyer me një vendim gjykate, që duket se ka pasur “pultin” tek zyra e qeverisë, për faktin që qeveria është bërë palë me anti-ligjin dhe padrejtësinë ekonomike ndaj ish-ushtarakëve, duke heshtur! Vlera e pensioneve të ish-ushtarakëve, që vetë shteti i hodhi në rrugë në mënyrë brutale, duke mbushur ushtrinë e vitit 1992 me sharlatanë e të paaftë, llogaritet të jetë afro 12 milionë euro. Këto pagesa janë bllokuar, për ish-ushtarakët që duhet t’i marrin, me afat fundor deri sa të plotësojnë moshën e pensionit dhe duhet t’i kthejnë këto lekë, ata që i kanë marrë deri tani duke u ndalur në borderonë e pensionit mujor, mbasi sipas mendjes së ndritur të pazarxhinjve e batakçinjve të Sigurimeve Shoqërore dhe të disa kalemxhinjve me diploma kliringu, që vegjetojnë në kupolën e qeverisë, del se… “qenka bërë llogaritja gabim”! 

2. Në buxhetin e vitit 2018, qeveria ka planifikuar të investojë 350 milionë euro financim për ndërtimin e 3 inceneratorëve (landfillëve) në Elbasan, Fier dhe Tiranë. Në 7 vitet e para, qeveria do t’u dhurojë 350 milionë euro bizneseve të klienteliste qeveritare e familjare të kësaj industrie kancerogjene, me afat veprimi 20 vjeçar. Këto miliona euro, do të paguhen nga taksat e shqiptarëve dhe nga borxhet, që shteti lyp nëpër botë e që përsëri, i shlyejnë shqiptarët!

Skandali qëndron në faktin, se qeveria akordon 350 milionë euro fond për biznesin e plehrave dhe nuk akordon 12 milionë euro pagesa për pensionet e ish-ushtarakëve të nxjerr në lirim, deri sa ata, të plotësojnë moshën e daljes në pension. Madje edhe ua heq “qindarkat” që ata kanë marrë pas nxjerrjes në lirim! Ky skandal është hipokrizi e “Rilindjes” ndaj ushtarakëve, të cilëve u bën propagandë “keqardhjeje” nëpër takime, por nuk u jep pagesat e aprovuara me ligj parlamenti dhe të merituara, si sakrificë shërbimi në ushtri. Sipas llogarisë, vlera e pagesave të pensioneve të ish-ushtarakëve të nxjerr në lirim është 12 milionë euro, ose sa 3% e vlerës që qeveria “Rilindja” akordon falas për plehrat! Ky qëndrim i qeverisë, nuk po mbahet vetëm ndaj ushtarakëve, por edhe ndaj kategorive të tjera sociale, të cilave u kanë dhënë Statusin, por nuk u japin përfitimet financiare nga ky status. Para zgjedhjeve parlamentare, u miratua me urgjencë Statusi i Naftëtarit dhe u tha se hynte në fuqi ditën e botimit në “Fletore Zyrtare”, por nuk ka nisur zbatimin as sot 8 muaj pas këtij ligji, duke sjellë vërdallë punonjësit e naftës nga një zyrë në tjetrën, me lojën e plotësimit, anulimit, rifreskimit dhe mos pranimit të dokumenteve! Ndërkohë që në miniera vriten çdo muaj nga 2-3 minatorë. Statusi i tyre nuk miratohet dhe ata paguhen me paga minimale, trajtohen si skllevër, nuk u zbatohen as të drejtat e parashikuara në Kodin e Punës. Veteranët e Luftës dhe familjet e dëshmorëve, të policëve të rënë në krye të detyrës, ushtarakët që shërbejnë në misione të veçanta speciale, në shërbimet inteligjente dhe punonjës në shumë sektorë të tjerë me vështirësi e rrezikshmëri, nuk gëzojnë asnjë status edhe pse u premtohet shpesh! 
KRAHASIMI/Biznesi i plehrave dhe shpërfillja e kategorive sociale
1. Për Statusin e Naftëtarit, që është miratuara dhe nuk po zbatohet qëllimisht, nevojiten 3.6 milionë euro pagesa, ose sa 1% e fondit të plehrave
2. Për Statusin e Minatorit, që nuk po miratohet qëllimisht prej 20 vitesh, nevojiten 1.8 milionë euro pagesa, ose sa 0.5% e fondit që u jepen plehrave
3. Për Statusin e Policit që është miratuar gjysmak, nevojiten 4.8 milionë euro, ose sa 1.2% e pagesës për plehrat
4. Për Statusin e të Verbërve, që nuk zbatohet qëllimisht prej 23 vitesh, nevojiten 1.1 milionë euro, ose sa 0.3% e fondit të akorduar për plehrat
5. Për strehimin e familjeve të pastreha të Komunitetit Rom&Egjiptian, nevojiten 3.6 milionë ose, ose sa 1% e fondit të caktuar për plehrat
6. Për Statusin e Jetimit, zbatimi i të cilit po vonohet qëllimisht prej 22 vitesh, nevojiten 1.4 milionë euro, ose sa 0.3% e fondit që është caktuar për plehrat
7. Për Statusin e Invalidëve Tetra&Paraplegjikë, i cili nuk po zbatohet prej 20 vitesh, nevojiten 3.6 milionë euro, ose sa 1% e shumës që do jepet për plehrat
8. Për Statusin e Femrave të Trafikuara në Rehabilitim, nevojiten 1.8 milionë euro, ose sa 0.5% e fondit të plehrave
9. Për kompensimin e ish-të Përndjekurve Politikë (dëmshpërblimi financiar), qeveria ka akorduar 20 milionë dollarë, ose sa 4% e fondit të akorduar për plehrat.
10. Për kompensimin e ish-pronarëve, qeveria ka akorduar 30 milionë dollarë (kompensim financiar), ose sa 7.5% e fondit të akorduar për plehrat. 
Pensionet rriten me 300 lekë në muaj, sa ushqimi javor i një kanarine!
Politikat qeveritare të mbështetjes sociale, po vijojnë edhe me rritjen e pensioneve, duke njoftuar lajmin e rritjes së tyre, në kuadrin e miratimit të buxhetit 2018. Por edhe këtë herë, rritja e pensioneve do të jetë vetëm 2% në muaj. Sipas llogarisë, rezulton se pensionet minimale rriten me 300 lekë në muaj, ose siç shprehen pensionistët, kjo rritje është sa ushqimi javor, që konsumon 1 kanarinë e mbyllur në kafaz. Kjo vlerë është “thërrime” tallëse me pensionistët që kanë pensione mujore minimale e që faktikisht janë 90% e kësaj kategorie. Nga 635 mijë pensionistët, që do të përfitojnë rritjen mujore 2%, vetëm 22 mijë e 467 persona janë me pensione mujore maksimale, mbi 41 mijë janë me pensione mesatare, ndërsa pjesa tjetër janë pensione minimale, ku bëjnë pjesë edhe pensionistët në fshat, të cilët nga kjo rritje përfitojnë vetëm 200 lekë në muaj! Se sa fuqi blerëse ka në tregun ushqimor, të energjisë, transportit, ujit e trajtimit mjekësor një pension pleqërie minimal, apo edhe mesatar qoftë, kjo tashmë dihet, mbasi vlera e tyre është sa 30-40% e minimumit jetik mujor financiar real, që i duhet një personi në Shqipëri, për të përballuar jetesën në nivel varfërie! Ndërkohë që pensionet minimale rriten me 200-300 lekë në muaj, bosëve të plehrave, qeveria u dhuron fonde nga taksat publike, të barabarta me vlerën e ndërtim-mobilimit të 50 shkollave dhe 15 spitaleve.
Dy fakte pa koment, nga “çudirat” me shpërdorimin e fondeve para festave të fund-vitit
Hemodializa është dhënë me koncesion 86 milionë USD për 10 vite, QSUT bën tender 126 milionë lekë për solucione të këtij shërbimi
KESH shton edhe një shërbim tjetër, tjetërsohet në agjenci shëndeti publik, tender 84 milionë lekë për matjen e treguesve mjedisorë në zyra