Plazhet janë kthyer në “dogana haxhiqamilçe”, deri tani, 114 “pushtues” rëre

781
Sigal

Sipërfaqet e rërës janë zaptuar pa asnjë pagesë taksimi, ndërkohë që pushteti qëndror e ai lokal hesht

 Edhe këtë vit, pavarësisht vendimit që qeverisë dhe garancisë së kryeministrit Rama për “plazhe të lirë”, të pa rrethuar nga gardhe, arka, blloqe betoni  dhe “boksierë”, plazhet shqiptare vazhdojnë të gjenden sërish si këto 20 vitet e fundit: të “pushtuar” nga të fortët, pronarët e lokaleve të afërmit e krerëve të pushtetit lokal e qëndror. Ky “pushtim” është bërë në gjithë vijën bregdetare shqiptare. Shqetësimi pushtimit të plazheve, bëhet alarm çdo stinë vere nga pushuesit. Por, po me kaq shpërfillje ndaj këtij shqetësimi, vepron pushteti lokal e ai qëndror, në bashkëpunim pazarxhinjsh me pushtuesit e plazheve. Gjithë sipërfaqja e rërës buzë detit Adriatik e Jon, madje edhe buzë liqenit të Pogradecit deri në Tushemisht, pothuajse është krejt nën kontrollin privat të pronarëve të hoteleve, ose të zaptuesve të dhunshëm e të paligjshëm. Sipas informacioneve dhe vëzhgimeve tona në terren, sipërfaqet e rërës i kanë zaptuar pa asnjë pagesë taksimi edhe vetë drejtues tatimorë e të pushtetit lokal, duke i lëshuar sipërfaqet e plazhit fiktivisht “me letra”, në përdorim për persona të tjerë të afërm, të besuar ose qiraxhinj të tyre, me qëllim fshehjen e abuzimit që bëjnë me pasuritë dhe mjediset publike. Kur ndeshesh me pushtuesit e plazheve, ata ose të hakërrehen e të tregojnë “muskujt”, ose nxjerrin letra false me vula e firma të pushtetit lokal e të tatimeve, sikur gjoja kanë leje shfrytëzimi. Madje disa prej këtyre “kolonizatorëve” të plazheve, deklarojnë se janë edhe pronarë rëre! Në fakt, ata janë krejt të paligjshëm. Të kesh një copë letër nga pushteti lokal, e cila është lëshuar në kundërshtim me ligjin, kjo nuk do të thotë se je i ligjshëm, pasi me këtë logjikë mund të ndodh psh, që kreu i bashkisë, qarkut, apo prefekturës mund të të jap edhe zyrën e tij me qera për t’ i bërë bingo, kazino e bilardo dhe ti të dalësh e të thuash se je i ligshëm! Kjo logjikë pazarxhinjsh, po ndodh edhe këtë sezon veror me plazhet shqiptare. Pushteti qëndror e ai lokal edhe pse janë pronarë e administratorë të këtyre hapësirave bregdetare të plazheve, i lejojnë individët dhe pronarët e hoteleve lokaleve, të zaptojnë rërën dhe detin.

 Futja në plazh, me “tra dogane” banditeske

Vija bregdetare e plazhit shqiptar, sidomos qendrat e plazheve edhe këtë vit janë të mbipopulluara me pushues, kryesisht me pushues ditorë. Po a mund të futen ata lirshëm në mjediset e plazheve? Jo! Atëhere, si mund të futen brneda tyre? Si në doganë, me pagesë. Që në hyrje të brezit të rërës, pushuesit gjenden përballë “gardistëve” të vendosur prej pushtuesve të plazheve. Qytetarët ndeshen e futen në konflikt deri fizik me individë,  që nuk të lejojnë të futesh pa paguar një taksë financiare pirate, që shkon në xhepat e bosëve që kontrollojnë shfrytëzimin e plazheve. Pra, nuk ta hapin rrugën për t’ u futur në hapësirën e rërës që ata kanë zaptuar. Po kështu, askush nuk ka të drejtë të përdor shezlon e çadër të sjell me vete, pasi nëse do futesh në “zonën e pushtuar”, duhet të paguash 300-400 deri në 500 lekë të reja shezlonin e pushtuesit. Madje “ligji” i vendosur prej bandave pushtuese të plazheve, të miratuara në “heshtje mirëkuptuese” edhe prej krerëve të pushtetit lokal, nuk lejon të vendosësh jo më shezlon, por as çadër, e madje as të shtrihesh në rërën e tyre. Po kështu, nuk ke të drejtë as të parkosh makinën, apo të shkosh me ruletë-kabinë në këto hapësira, pasi pushtuesit e plazheve e kanë zaptuar terrenin që në hryje të rrugës automoblistike dhe duhet të paguash taksë parkimi makine në xhepin e këtyre horrave, ndërkohë që toka është pronë publike! Sipas një evidentimi të bërë për këtë batërdi antiligj, rezulton se hapësirat e plazheve shqiptare janë zapatuar me letra false, me letra “miku” e pa letra. Sipas këtij treguesi abuziv, hajdutëror:  në Durrës, plazhi është pushtuar nga piratët e privatët në masën 90%. Në Sarandë është zaptuar në masën 60%. Në Vlorë është zaptuar në masën 75%. Në masën 70% është zaptuar në Shëngjin. Në masën 50% është zaptuar në Velipojë. Në masën 40% ëshët zaptuar në Divjakë. Në masën 35% është zaptuar në Seman. Në masën 60% është zaptuar në Pogradec. Në masën 90% është zaptuar në Golem. Në Himarë është zaptuar në masën 60%. Në Borsh është zaptuar në masën 40%. Kujtojmë, që janë zaptuar sipërfaqet në zonat më të frekuentuara. Sipas evidentimit, në krejt vijën bregdetare janë 114 taksidarë pushtues plazhesh, 72 prej të cilëve kanë zaptuar sipërfaqe të mëdha “rërë të pushtuar” nga Velipoja deri në Ksamil, duke i kthyer plazhet shqiptare në “dogana haxhiqamilçe”. Të gjitha këto sipërfaqe plazhi, në “inventarin” e shtetit shqiptar figurojnë pronë publike e jo private. Por, këto janë zaptuar forcërisht, me “letra false nën dorë” dhe me pagesa taksash “1 kacidhe” m2, duke lënë qytetarët pa plazhe të lirë, ose duke u imponuar pagesat e vendosura prej tyre.

  Ligji jep 200 m2 shfrytëzim, pushtuesit kanë zënë nga 4-5 deri në 10 dynymë rërë

Lidhur me shfrytëzimin e ambjenteve ose mjediseve pronë shtetërore si ndërtesa, breg lumi, breg deti, lëndinë, pyll, fushë, rezervuar, kullotë, mal, gurore etj, ligji përcakton se një subjekt privat që kërkon të shfrytëzojë sipërfaqe publike, i lejohet të marrë në administrim ligjor prej pushtetit lokal vetëm 200 metër katrorë. Nëse kërkon më tepër kjo bëhet me vendim qeverie, konkretisht me vendim të Ministrisë së Ekonomisë, që është pronare përfaqësuese e vetme ligjore shtetërore e gjithë pasurive publike. Ky ligj është në fuqi edhe për sipërfaqet e plazheve publike, pasi plazhe private në Shqipëri, ende nuk ka asnjë centimetër katrorë. Po sipas ligjit, si pushtetit lokal edhe pushtetit qëndror, në të drejtën për të dhënë plazhet për shfrytëzim, nuk u lejohet që sipërfaqja e plazhit publik e dhënë në administrim privat, të jetë më e madhe se 30% e sipërfaqes totale të plazhit. Realiteti flet të kundërtën. Ata pushtues plazhesh, që kanë marrë leje shfrytëzimi nga pushteti lokal, kanë në letra miratimin për 200 metër katrorë sipërfaqe plazhi, por në fakt kanë zaptuar 20 e 30 herë më tepër sipërfaqe se sa lejon ligji. Bëjmë me dije, se deri sot, nuk ka asnjë leje të dhënë nga Ministria e Ekonomisë për adminsitrim plazhi mbi 200 metër katrorë, ndërkohë që ka leje të dhëna nga bashkitë e komunat, për sipërfaqe deri në 3000-5000 e 10 mijë metër katrorë plazh, në kundërshtim me kompetencat e tyre ligjorë. Bashkitë dhe komunat nga Velipoja deri në Sarandë e Ksamil, nuk kanë nisur të bëjnë asnjë ndërhyrje për të “çliruar” plazhet, paçka se ka një urdhër të kryeministrit Rama dhe një vendim qeverie.

 Përparim HALILI