Plazh i pastër dhe kushtet për turistët

713
Kryetari i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, tha se po punohet çdo ditë që të kemi një plazh sa më të pastër, sa më të bukur, me kushte sa më të mira në shërbim të vizitorëve që vijnë nga Kosova. “Jam i bindur që e ardhmja e Durrësit janë turistët nga Kosova dhe ne duam t’i japim mundësinë që ata të vijnë të bëjnë turizëm siç bëhet në çdo vend të botës, ku lëvizshmëria e njerëzve të jetë sa më e mirë, disiplinimi i trafikut të jetë sa më i mirë, për të pasur një plazh të sigurt dhe një vendqëndrim sa më të pëlqyer nga vizitorët”, shpjegoi Dako. Sipas tij, vendimi për autobusat që vijnë nga Kosova, është i njëjtë edhe për furgonët që furnizojnë dhe japin shërbimet e tyre në të gjithë zonën e plazhit, të cilët nuk lejohen të qarkullojnë në këtë zonë nga ora 7:00 deri ne orën 24:00. “Shërbimet e tyre mund t’i kryejnë gjatë natës. Shërbimet frigoriferike, të cilët mund të kenë raste emergjente, i kemi përcaktuar një orë, dy herë në javë për të bërë furnizime. Kemi gjetur alternativën e duhur për të mbajtur ekuilibrin mes furnitorëve dhe trafikut në këtë zone”, tha Dako. Ai i ftoi të gjithë pushuesit të vijnë në plazhin e Durrësit, pasi plazhi është i pastër, nuk ka asnjë derdhje ujërash të zeza në det, ka përmirësim të jashtëzakonshëm të furnizimit me ujë të pijshëm në të gjithë plazhin dhe nuk mungon as furnizimi 24 orë i energjisë elektrike. “Pra kemi disa risi në këtë zonë të cilat kanë përmirësuar ndjeshëm jetesën, jo vetëm të banorëve të asaj lagjeje, por edhe të turistëve”, u shpreh Dako.
Sigal