Platinia dhe kryeministrat Nano, Berisha e Rama

1007
Sigal


Legjenda franceze rekordin e takimeve e ka me kryeministrin aktual shqiptar

Mishel Platini e ka vizituar gjashtë herë Shqipërinë, tri herë si President i UEFA-s (2006, 2008, 2010, 2014), një herë si zëvendëspresident i FIFA-s (2004) dhe një herë si trajneri i Kombëtares së Francës (1990). Gjatë këtyre vizitave ai ka pasur fatin të zhvillojë bisedime me tre nga kryeministrat e fundit të vendit tonë, Fatos Nano, Sali Berisha dhe Edi Rama, teksa të këtë fundit e ka takuar dy herë edhe në rolin e Kryebashkiakut të Tiranës (2004, 2006). Mishel Platini është pritur në një ceremoni të veçantë edhe nga ish-Presidenti i Republikës, Bamir Topi, teksa bosi i UEFA-s është nderuar në vendin tonë me “Urdhrin Nënë Tereza” (nga Presidenca) dhe “Urdhrin Olimpik” (nga KOKSH-i).

  TAKIMI ME NANON

25 mars 2004 – 14 vjet pas ardhjes së tij në krye të Kombëtares franceze, Platini mbërriti për herë të dytë në vendin tonë, për Mishel Platininë kjo ishte vizita e parë me kostumin e zyrtarit, pasi ai erdhi me statusin e zëvendëspresidenti të FIFA-s. Tri herë fituesi i “Topit të Artë” u prit në takim nga ish-Kryeministri Fatos Nano, me të cilin bashkërisht inauguruan kompleksin sportiv të Kombëtare në Kamëz, të ndërtuar me fondet e FIFA-s. Kryeministri Fatos Nano: “Nuk është e rastit që përmasat e këtij investimi të përbashkët do t’i ndajmë me një nga personalitetet më të shquar të futbollit botëror Mishel Platini, pa të cilin nuk do të ishim në këtë përurim sot”. Nano dhe Platini shkëmbyen shumë batuta mes njëri-tjetrit, teksa aparatet fotografike i fiksuan edhe me nga një gotë shampanjë.

 TAKIMI ME BERISHËN

19 tetor 2010  – Presidenti i UEFA-s  Mishel Platini mori pjesë në festimet për 80-vjetorin e Federatës Shqiptare të Futbollit. Mishel Platini pas takimit me Kryeministrin Sali Berisha ku u diskutua mbi projektin e ndërtimit të një stadiumi modern në Tiranë, u shpreh: “Pasioni, qetësia, e përzier kjo me një frëngjishte shumë të bukur të zotit kryeministër më bën mua sot të lumtur edhe pas premtimit të kryeministrit se do të kemi një stadium modern këtu në Tiranë”, tha Platini, duke e quajtur si “një dhuratë shumë të bukur për Federatën Shqiptare të Futbollit”. Por, stadiumi nuk u ndërtua, edhe pse u premtua për 100-vjetorin e Pavarësisë.

 TAKIMET ME RAMËN

8 nëntor 2006 – Mishel Platni kishte vendosur kandidaturën e tij “fronin” e UEFA-s, dhe në axhendën e rivalit te Presidentit aktual, suedezit Lenart Johanson, ishte dhe inaugurimi i fushës së futbollit të shkollës “Hasan Vogli” në Tiranë. I pranishëm ishte dhe ish-Kryetarit i Bashkisë së kryeqytetit, Edi Rama. Tri herë fituesi i “Topit të artë”, i entuziazmuar nga pritja në kryeqytetin shqiptar tha se këtu të presin më mirë se askund tjetër.

19 tetor 2010 – Kreu i UEFA-s mori pjesë edhe në përurimin e fushave stërvitore në kompleksin “Skënder Halili”, atje ku stërvitet Tirana, të ndërtuar me fondet e programit “Hat-Trick” të UEFA-s. Në këtë inaugurim, përveç presidentit të UEFA-s, Mishel Platini, ishte i pranishëm edhe ish-Kryetari i Bashkisë së Tiranës Edi Rama, i cili deklaroi: “Do të doja të kujtoja që disa vite më parë, së bashku me Platini ne inauguruam një fushë të vogël futbolli në oborrin e një shkolle. Sot inaugurojmë një fushë të madhe në oborrin e skuadrës më të madhe të Shqipërisë, Tiranës”.

19 shkurt 2014 – Për Platinë kjo ishte e vizita e gjashtë dhe hera e tretë që, ai takohej me Edi Ramën, por kësaj radhe me statusin e Kryeministrit të Shqipërisë. Rama dhe Platini u treguan shumë komodë me njëri-tjetrin, kjo për shkak edhe të njohjes së tyre në të kaluarën, madje Presidenti i UEFA-s e dinte se, Rama kishte luajtur më parë basketboll. Rama: “Është kënaqësi e dyfishtë, pasi fati ka dashur që për shkak të detyrës ta njoh Mishel Platini prej kohësh dhe ta konsideroj mik, është një mik që është vazhdimisht i vëmendshëm për mbarëvajtjen e futbollit në Shqipëri”. Platini: “Futbolli është në duar të mira mes kryeministrit dhe Presidentit Duka”.

TAKIMI ME TOPIN

12 nëntor 2008 – Vizita e kreut të UEFA-s erdhi pesë muaj pas heqjes së pezullimit ndërkombëtar të vendit tonë nga FIFA e UEFA, për shkak të ndërhyrjes politike të shtetit (Qeverisë “Berisha”).

Duke folur në Asamblenë Vjetore të Federatës, Platini deklaroi se UEFA nuk do të pranojë asnjë lloj ndërhyrje që cenon pavarësinë e Federatave. Platini bëri edhe njëherë të qartë se nuk do të tolerohet për asnjë moment cenimi i pavarësisë së Federatave: “Unë e di që situata në Shqipëri nuk ka qenë e thjeshtë, por në takimin me Presidentin Topi kuptova se gjërat janë përmirësuar. Duhet ta dini se UEFA do të jenë gjithnjë në anën tuaj”.

  41 gola me “Gjelat”

 Me kombëtaren franceze Platini ka zhvilluar 72 ndeshje duke shënuar 41 gola. Platini ka qenë trajneri i Kombëtares së Francës.

 “Urdhri Nënë Tereza”

 Presidenti i UEFA-s, Mishel Platini, është nderuar me “Urdhrin Nënë Tereza”, të akorduar nga ish-Presidenti shqiptar i asaj kohe, Bamir Topi.

 “Urdhri Olimpik”

 Mishel Platini është dekoruar edhe me Urdhrin Olimpik të akorduar nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, të dorëzuar nga ish-Presidenti i KOKSHI-t, Hysen Domi.

Më 28 shkurt 2014 do të zhvillohet Asambleja Zgjedhore. Kreu i FSHF-së, drejt mandatit të katërt

  Platini, sponsori i… Dukës

 Vizita e Mishel Platinisë është konsideruar nga opinionistë të futbollit, si një mbështetje indirekte ndaj Presidentit aktual të FSHF-së, njëherësh edhe kandidat për mandatin e tij të katërt duke e çuar në 16 vjet periudhën e “mbretërimit” të tij në krye të futbollit kuqezi. Komiteti Ekzekutiv aktual, i dalë nga zgjedhjet e shkurtit të vitit 2010, ka përcaktuar datën e zhvillimit të Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme Zgjedhore 2014, më datë 28 shkurt 2014 ora 09:00 në hotel “Tirana International”. Deri tani nuk ka kandidat tjetër të regjistruar, përveç kreut aktual të FSHF-së. Armand Duka është zgjedhur president i FSHF-së nga viti 2002, kur pasoi ish-presidentin Miço Papadhopulli, sot i rreshtuar me kritikët e butë të Dukës. Në fakt, Dukën dhe Platininë i lidh një miqësi e vjetër tashmë, por dhe me detyrime reciproke, boll të kujtojmë batutën e francezit gjatë vizitës së tij në vendin tonë, më 8 nëntor 2006, kur Mishel Platni kishte vendosur kandidaturën e tij “fronin” e UEFA-s, kundër Presidentit të asaj kohe, suedezit Lenart Johanson. Platini mori pjesë në inaugurimin e fushës së futbollit të shkollës “Hasan Vogli” në Tiranë, por vizita kishte dhe një prapaskenë jo të vogël. Platini donte të bindte presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, për t’i dhënë votën atij dhe jo Johansonit. Francezi bëri dhe një shaka të vogël: “Nëse zoti Duka nuk më jep votën, unë nuk do të rikthehem më kurrë në Shqipëri”. Mishel Platini fitoi zgjedhjet presidenciale të UEFA-s, më 27 janar 2007, duke mundur me ndihmën e votave të vendeve të vogla Johansonin.

 Katër votimet për President

 2002

Armand Duka ishte një njeri i panjohur më parë në botën e futbollit, por me kandidimin e tij të parë ai arriti t’i imponohej Asamblesë Zgjedhore së vitit 2002, duke marre shumicën e votave në raport me kandidatin tjetër, Mehdi Bushatin

2006

Më 27 shkurt 2006, Armando Duka rizgjidhet President i Federatës Shqiptare të Futbollit. Me 51 vota në favor të tij, Duka mbetet President i Federatës së Futbollit Shqiptar dhe për katër vitet e ardhshëm. Dy rivalët e tjerë, menaxheri i FIFA-s, Edmond Haxhia mori 16 vota, ndërsa Salvador Kaçaj mori vetëm një votë. Ky i fundit deklaroi pas shpalljes se rezultateve se nuk do t’i njohë zgjedhjet e Asamblesë së FSHF-së.

2010

Më Armand Duka është rizgjedhur për herë të tretë në krye të Federatës Shqiptare të Futbollit, përmes një procesi tejet të qetë, edhe pse nën masa të rrepta sigurie të sallës ku u mbajtën punimet e Asamblesë Zgjedhore të zhvilluara, më 9 mars në Durrës. 65 anëtarët e Asamblesë Zgjedhore të futbollit shqiptar i dhanë Armand Dukaës, plot 49 vota, ndërsa 15 vota të tjera i ka marrë kandidati tjetër, Refik Halili. Vetëm një votë ka marrë Rudi Vata, kandidati i tretë.

2014

Armand Duka duket se është i sigurt, për të qenë sërish në krye të Federatës Shqiptarë të Futbollit, në zgjedhjet e 28 shkurtit. Dje ishte në Shqipëri, Presidenti i UEFA-s, Mishel Platini, i njohur si një nga miqtë e afërt të Dukës. Por, dhe pa ndihmën e Platinisë, Duka e ka të garantuar suksesin në krye të qeverisë së futbollit shqiptar, një organizate krejtësisht të pavarur.