Plani i investimit AlbChrome, mbi 20 milionë dollarë për gjitha objektet

1241
Sigal

 Ekspertët e kompanisë, në proces katalogimi të aseteve në Bulqizë, Klos, Elbasan dhe Burrel

Albchrome, pasi ka dorëzuar që në fillim të këtij muaji planin e investimeve në institucionet përkatëse, ka nisur punën me fazën e inventarizimit dhe katalogimit të të gjitha aseteve, mjeteve dhe materialeve në pronësi të kompanisë. Ky është hapi i parë që ka të bëjë me analizimin e plotë të situatës për të krijuar hapësirat e nevojshme për realizimin e investimeve pas blerjes së kompanisë nga ana e Grupit Balfin. Tashmë që është bërë pjesë e Grupit Balfin, kompania AlbChrome po i nënshtrohet një seri ndryshimesh me qëllim rritjen e efikasitet të kompanisë dhe përmirësimin e kushteve të punonjësve. Ekspertët e kompanisë kanë nisur një proces katalogimi të aseteve në Bulqizë, Klos, Elbasan, Burrel, etj. Inventarizimi dhe katalogimi i të gjitha aseteve që janë në pronësi të kompanisë AlbChrome do të paraqesë gjendjen reale të pajisjeve teknike që ka në përdorim kompania. Gjatë vlerësimit do të klasifikohen pajisjet që janë akoma të përdorshme, niveli i amortizimit të tyre dhe nevojat që duhen për zëvendësimin e tyre sipas prioriteteve. Gjithashtu, ky katalogim dhe inventarizim do të tregojë edhe historikun e lëvizjeve së pajisjeve teknike dhe mjeteve të punës brenda kompanisë apo jashtë saj duke evidentuar duke filtruar edhe rastet kur ka pasur abuzime. Me të gjitha pajisjet teknike të AlbChrome që do të klasifikohen si të papërdorshme do të ndiqen procedurat për riparimin e tyre, aty ku është mundësia, ose transferimin për të krijuar hapësirat e nevojshme për realizimin e investimeve. Plani investimit i AlbChrome parashikohet të jetë mbi 20 milion dollar për gjitha objektet koncesionare e jo vetëm minierën në Bulqizë. Sipas analizës paraprake të bërë, projekt prioritar konsiderohet përfundimi i zbatimit të Pusit nr. 9, që do të mundësoje fillimin e punimeve drejt thellësisë së minierës. Po sipas këtij plani, projekt i domosdoshëm për zgjatjen e jetës së minierës konsiderohet edhe seksionin e Qafë-Buallit, për të cilin janë parashikuar investimet e duhura në dy vitet e ardhshme. Ndërkohë që këtë javë është firmosur marrëveshja me kompaninë zbatuese të punimeve për hapjen e traverbankut të Klosit, nismë kjo që nuk është ndërmarrë prej mëse 20 vjetësh. AlbChrome ka nisur punën për rivënien në funksionim të Impiantit të Përpunimit e Seleksionimit në Klos dhe për vënien në punë shumë shpejt të furrës numër dy në Elbasan duke rritur edhe më tej edhe mundësitë për punësim.