Planet e reja urbanistike rrafshojnë 21 mijë objekte të hipotekuara

989
Projektet e qeverisë për zhvillimin urbanistik të qendrave të banuara dhe zonave në funksion të tyre brenda e jashtë “vijave të verdha” të qyteteve të vendit, kanë qenë objekt i vendimeve të qeverisë, për të ndërhyrë në rehabilitimin e tyre si imazh e funksion komunitar. Këtë prioritet, qeveria e ka shpallur në disa “Fletore Zyrtare” gjatë viteve 2015-2016, duke publikuar bashkitë e përzgjedhura si “emergjencë” për zhvillimin urbanistik e po kështu ka miratuar e shpallur objektin, fondin, kohën dhe fazat e investimeve që do të bëhen. Faktikisht, sipas listës së publikuar nga qeveria, në këto ndërhyrje urbanistike janë përfshirë pothuajse të gjithë territoret e bashkive të reja, paçka se 80% e projekteve të investimeve infrastrukturore që do të bëhen janë lungomare, ngjyrosje fasadash të objekteve, parqe e statuja dhe paçka, se ka edhe një tregues propagande klienteliste politike ndaj zonave, që shfaqet në faktin, se të parat në listën e investimeve të shpallura janë ato bashki e zona që kanë deputetë emrat “fuqi-plotë” të kupolës së “Rilindjes”, të cilët e kanë shfrytëzuar këtë projekt infrastrukturor, për të krijuar bindjen se “punojnë për zonat e tyre”! Mirëpo, ndërsa këto projekte duhen përshëndetur si “zhvillim komunitar”, një lajm nga brenda qeverisë zbulon e bën prezent një problem social-ekonomik që cënon shumë familje e biznese në disa nga 61 bashkitë e reja! Çfarë “sekreti” fshihet brenda këtyre projekteve investuese? 
Planet infrastrukturore do të rrafshojnë edhe objekte që kanë marrë “tapitë” nga kryeministri
Edhe pse nuk ka asnjë lidhje me projektet e legalizimeve të vrullshme që po bëhen nga ALUIZNI, “viktima” të vendimeve të qeverisë për ndërhyrjet rehabilituese në territoret e bashkive, janë ndërtimet informale që janë futur në proces legalizimi, objekte që janë legalizuar e kanë marrë “tapinë” nga kryeministri dhe disa ministra si dhe objekte banesa e biznese që kanë shkuar drejt hipotekave për regjistrim pronësor. Po e nisim me vendimin e fundit qeveritar, që ka miratuar projektet zhvilluese urbanistike: “Vendim i Komitetit për Zhvillimin e Rajoneve Nr. 34, datë 13.7.2016, me objekt:- Për miratimin e financimit për vitin 2016, për disa projekte në vazhdim të grandit “Infrastruktura vendore dhe rajonale”, programi i zhvillimit vendor dhe rajonal”. Në këtë vendim përcaktohet edhe lista me financimet dhe projektet që përfitojnë disa nga bashkitë e vendit. Eshtë krejt normale një ndërhyrje e tillë, mbasi territori i Shqipërisë është bërë “xhungël” ndërtimore e infrastrukturore, për shkak të mungesës së kontrollit mbi territorin e për shkak të “lejes politike” që u është dhënë njerëzve edhe “fshatçe” për të zaptuar toka buke, oborre shkollash, ish-ndërmarrje të mbyllura, kënde sportive, oborre pallatesh, parqe, kënde lojërash e gjithçka të lirë! Kjo batërdi infrastrukturore e urbanistike 25-vjeçare nuk u ndal, por u mbështet edhe me ligje e VKM për t’i quajtur të ligjshme ndërtimet e bëra pa ligj e pa leje, mbi sipërfaqe pronë shteti, pronë mjedisore komuniteti e pronë private! Kjo masakër masive me epiqendër Tiranën dhe 8 qendra të mëdha banimi, ka nisur të ndalet, me planet e reja infrastrukturore e urbanistike që kanë nisur të futen në zbatim në qendrat, periferitë dhe territoret e 61 bashkive! Por ka një problem social që krijohet nga zbatimi i këtyre planeve urbanistike. 
Në listën e parë janë futur 21 mijë objekte që do të zhduken
Sipas informacioneve që na kanë ardhur nga Ministria e Zhvillimit Urban, mësohet se këto projekte do të rrafshojnë shumë objekte që janë në proces legalizimi, por edhe që janë legalizuar e madje që janë hipotekuar. “Tërmeti” shkatërrues shtetëror mbi këto objekte që kanë marrë “letrat” e legalizimit, ose që sipas ligjit në fuqi presin t’i marrin ato prej zyrave të ALUIZNI-t, do të veproj në 13 bashki të vendit, ku ka edhe numër të madh ndërtimesh informale. Sipas planeve urbanistike dhe projekteve të hartuara, të miratuara e të dërguara për zbatim në njësitë e pushtetit vendor prej Komitetit për Zhvillimin e Rajoneve, rezulton se do të ketë shumë “njolla” (objekte) që do të “fshihen” nga terreni. Këto “njolla” që gjenden në hartat e reja zhvillimore infrastrukturore, krahas disa objekteve të përpara viteve 1990, në numrin më të madh janë objekte informale, të ndërtuara gjatë këtyre 25 viteve mbi sipërfaqe tokash e trojesh pronë shteti, mjedise komunitare e pronë private dhe që prej 11 vitesh janë futur në proces legalizimi! Rrafshimi i këtyre objekteve është i pashmangshëm, për shkak të projekteve urbane që tashmë janë miratuar e që kanë nisur të futen në zbatim nga bashkitë! Ky rrafshim objektesh informale si banesa, objekte sociale-kulturore- turistike e biznese private, ka nisur e po vazhdon në vijën bregdetare dhe në lagjet ku “shkelin” planet e lëvizjes urbanistike kombëtare me objekt “Infrastruktura vendore dhe rajonale”. Këto 13 bashki, rezulton se janë Tirana, Durrësi, Elbasani, Shkodra, Korça, Berati, Fieri, Vlora, por edhe bashki të tjera si Divjaka, Pogradeci, Kamza, Lezha, Gjirokastra, Kuçova, Malësi e Madhe, Shijaku, Vora, Fushë-Kruja, Kruja, Burreli dhe njësi të tjera administrative që kanë brenda tyre ndërtime informale. Por, në këtë listë objektesh që do të rrafshohen janë edhe ndërtimet përgjatë autostradave, rrugëve dytësore e rurale, të cilat janë në legalizim, ose janë legalizuar e hipotekuar. Sipas projekteve të reja rehabilituese e zhvilluese të bashkive dhe zonave nëpër rajone, konstatohet se nga bashkitë janë evidentuar objektet që do të rrafshohen në çdo zonë e qendër banimi, duke e shoqëruar këtë “sulm spastrimi” me masa konkrete për të mbyllur me sukses e pa konflikte ekstreme me ata individë, familje e grup-familjesh që dëmtohen. Aksioni do të realizohet, siç po bëhet në krejt zonën dhe vijën e bregdetare, konkretisht si Vlorë, Sarandë, Tiranë, Durrës, Velipojë, Lezhë, Kavajë, Divjakë e Shkodër, ku për shkak të zbatimit të projekteve të reja zhvillimore infrastrukturore po shkatërrohen ndërtime informate, të cilat janë jo vetëm në proces legalizimi e hipotekimi, por edhe objekte të përpara viteve ‘90. Ky aksion do të nis në fillim të shtatorit 2016, paralelisht në 13 bashki, sidomos në ato bashki e njësi administrative që janë qendra muzeale, apo zona turistike. Në listën e parë të këtij shkatërrimi për efekte zhvillimi infrastrukturor, janë “skeduar” 21 mijë objekte që do të zhduken. 
Statistikë/ Objekte informale të rrafshuara prej projekteve infrastrukturore në 3 vitet e fundit 
Në 3 vitet e fundit, duhet pranuar që është punuar intensivisht për legalizimin e ndërtimeve informate, por nga ana tjetër, disa prej këtyre objekteve e madje jo pak në numër, janë bërë “viktimë” e projekteve të reja zhvilluese të infrastrukturës sociale, arsimore, të transportit, të energjisë etj., duke u shkatërruar edhe pse kanë qenë në proces legalizimi, siç e parashikon ligji në fuqi. Në Tiranë edhe së fundi, u rrafshuan disa objekte banesa informale në proces legalizimi, për shkak të ndërtimit të ndërtimit të Unazës së Madhe e të mbikalimit mbi të! Ka një statistikë konkrete lidhur me numrin e objekteve informale që rrafshuar për shkak të zbatimit të projekteve infrastrukturore në 3 vitet e fundit në Tiranë dhe në 6 bashki të tjera! Sipas të dhënave, në këto 3 vite janë shembur afro 15% e objekteve informale në proces legalizimi e që janë legalizuar, ndërkohë që mendohet se përveç 21 mijë objekteve që janë planifikuar të prishen duke nisur në muajin shtator 2016, në të gjithë vendin do të rrafshohen në total edhe 25% e këtyre objekteve Konkretisht, janë shkatërruar 102 objekte në vijën bregdetare Vlorë-Sarandë, 175 në Unazën e Re, 73 në Unazën e Madhe, 81 në zonën bregdetare Durrës, 176 në Shëngjin e po kështu në Divjakë, Velipojë, Lezhë, Kavajë etj. 
——————————————————
Ja pjesë nga Ligji Nr. 9482, datë 03.04.2006, që njeh legalizimet 
(Ndryshuar me Ligjin nr .9786, datë 19.07.2007, Ligjin Nr. 9895, datë 09.06.2008, vendimin nr 3, datë 02.02.2009, të Gjykatës Kushtetuese, Ligjin Nr. 10 099, datë 19.3.2009, Ligjin nr. 10 169, datë 22.10.2009 Ligjin Nr. 10 219, datë 4.2.2010 dhe Ligjin Nr. 141/2013, datë 02.05.2013.) “PËR LEGALIZIMIN, URBANIZIMIN DHE INTEGRIMIN E NDËRTIMEVE PA LEJE”: 
Neni 1
Objekti i ligjit .Ky ligj ka për objekt: 
1. Legalizimin e ndërtimeve informale dhe të objekteve me leje, me shtesa informale në objekt”. 
2. Kalimin e pronësisë së parcelës ndërtimore, ku është ngritur ndërtimi pa leje, sipas përcaktimit të bërë në nenet 19, 20, 21 e 22 të këtij ligji. 
3. Urbanizimin e zonave, blloqeve informale e të ndërtimeve informale, si dhe integrimin e tyre në zhvillimin territorial dhe infrastrukturor të vendit, duke përmirësuar kushtet e jetesës. 4. Procedurat për realizimin e legalizimit të ndërtimeve informale/objekteve me leje me shtesa informale në objekt dhe ngritjen e funksionimin e strukturave përgjegjëse për realizimin e tyre. 
Neni 2 
Fusha e zbatimit 
1. Ky ligj zbatohet për të gjitha objektet e ndërtuara pa leje, të ngritura para datës së hyrjes në fuqi të këtij ligji, pavarësisht nëse ato kanë funksion strehimi, veprimtarie ekonomike apo funksione të tjera social-kulturore, të ngritura dhe që disponohen nga individë apo persona juridikë të regjistruar e që veprojnë sipas të drejtës tregtare shqiptare. Në ndryshim nga kushti i përcaktuar në paragrafin e parë të kësaj pike, ky ligj mund të zbatohet për objektet e ndërtuara pa leje, të ngritura pas datës së hyrjes në fuqi të këtij ligji, vetëm në rast se për to procedura e legalizimit nuk kërkon kalim pronësie mbi truallin. Këshilli i Ministrave përcakton kriteret, procedurat dhe dokumentacionin e zbatueshëm për të kualifikuar objektet në ndërtime, që legalizohen ose jo. 
2. Ngrehinat funksionale (mure rrethuese) dhe objektet ndihmëse (garazh etj.) në shërbim të ndërtimeve pa leje, të përfunduara brenda afatit të parashikuar sipas pikës 1 të këtij neni, legalizohen vetëm në qoftë se janë ngritur brenda sipërfaqes së parcelës ndërtimore, që legalizohet sipas neneve 19, 20, 21 e 22 të këtij ligji. 4. Fusha e veprimit të këtij ligji nuk shtrihet për ndërtimet pa leje të ngritura mbi troje private brenda vijës së verdhë, kur planet rregulluese urbanistike parashikojnë ndërtime mbi 5 kate nga niveli zero.
Sigal