Plakja e shqiptarëve. Shkaqe, rënia e lindshmërisë dhe emigrimi

471
Popullsia e Shqipërisë po plaket me ritme të shpejta. Një raport i sapopublikuar nga Instituti i Statistikave tregon se, mosha mesatare e popullsisë është rritur me 5.4 vite vetëm brenda 10 viteve të fundit.
Sipas INSTAT, nga 31.8 vjeç që ishte në vitin 2006, mosha mesatare e popullsisë arriti vitin e kaluar në 37.2 vjeç. Shkaku, sipas zyrës së statistikave, është rënia dramatike e lindjeve. Të dhënat tregojnë se vitin e kaluar, norma e lindshmërisë në shkallë vendi ishte 1.67 fëmijë për grua. Ky tregues është nën normën e zëvendësimit pasi, që një çift të zëvendësojë veten dhe popullsia të qëndrojë konstante duhet që norma e lindshmërisë të jetë të paktën 2.1 fëmijë për grua. Në vitin 1970, Shqipëria e kishte këtë tregues 5 fëmijë për grua.
Sipas Bankës Botërore, me këto ritme në rënien e lindshmërisë, Shqipëria është vendi i tretë në botë me plakjen më të shpejtë në historinë e njerëzimit, pas Koresë dhe Rusisë. Në Francë u deshën dy shekuj, që lindshmëria të binte nga 5 fëmijë për një grua, nën normën e zëvendësimit të popullsisë. Në Shqipëri kjo ndodhi për vetëm 34 vite. Plakja me ritme kaq të shpejta e popullsisë do të ketë pasoja jo të vogla në ekonomi, që prekin rritjen ekonomike, por edhe financat e shtetit, pasi një popullsi më e plakur, jo vetëm që do të ulë forcën e punës, por do të rrisë shpenzimet për mjekësi dhe barrën e pensioneve. Si një vend i varfër Shqipëria ka shumë sfida. Shumë shpejt do të ketë edhe një tjetër, atë të plakjes.
Sigal