Plakja e mashkullit apo fundi i burrërisë, përpjekje për të rivendosur mitin e seksit të fortë

1213
Rezear Rusi

Plakja, procesi që ndodh në moshën e thyer, përfshin grumbullimin e ndryshimeve që qenia njerëzore pëson me kalimin e viteve, duke përfshirë ndryshimet fizike, psikologjike dhe sociale. Shkaqet e plakjes janë të paqarta. Në teoritë e fundit përmenden: a) koncepti i dëmtimit, sipas së cilës akumulimi i dëmtimeve të ndodhura gjatë jetës, mund të influencojë në dështimin e sistemeve biologjike dhe b) koncepti i programimit të plakjes, sipas së cilës proceset e brendshme mund të shkaktojnë plakjen. Plakja bën pjesë midis faktorëve më të mëdhenj predispozues për shumicën e sëmundjeve të njerëzimit. Afërsisht 150,000 vetë vdesin çdo ditë në botë, dy të tretat e të cilëve nga shkaqe të lidhura me moshën. Në kohët e lashta mashkulli përshkruhej si seksi më i fortë (personifikimi i fuqisë, jetëgjatësisë dhe diturisë), e kundërta, në ditët tona është e sigurt se femrat kanë një jetëgjatësi shumë më të madhe se meshkujt. Ende nuk ka një shpjegim të qartë në lidhje me diferencat e mëdha gjinore për jetëgjatësinë dhe semundshmërinë megjithëse ekzistojnë të dhëna që duhet të merren parasysh. Së pari, sipas një teorie interesante, hormonet riprodhuese veprojnë në mënyrë antagoniste (të kundërt) në qelizë duke mbajtur nën kontroll plakjen; në këtë kuptim, estrogjeni (hormon femëror) mund të jetë i dobishëm te femrat. Në etapat e para të jetës, hormonet nxisin rritjen dhe zhvillimin për të arritur riprodhimin, por më vonë, ato çrregullohen dhe përkeqësohen duke rezultuar në një përpjekje të kotë për të mbajtur riprodhimin. Së dyti, veprimtaritë me rrezik të lartë dhe përdorimi i pakët i shërbimeve shëndetësore mund të kontribuojnë në vdekjen më të hershme të meshkujve. Në ndryshim nga femrat të cilat kujdesen për shëndetin e tyre që në moshë të re, shpesh për arsye të problemeve obstetrike dhe gjinekologjike, meshkujt e kanë të vështirë për të kërkuar ndihmë, ndoshta për arsye të mungesës së referimit të një problem mjekësor. Duke marrë parasysh rritjen e incidencës së problemeve urologjike te meshkujt e moshuar si dhe fakti që shumica e shqetësimeve urologjike janë të lidhura ngushtë me shkaqet e vdekjes së tyre, mund të thuhet se urologët mund të jenë një pike reference për pacientët meshkuj për sa i përket çështjeve shëndetësore të përgjithshme. Ka shembuj që tregojnë se si disa probleme urologjike ndërlidhen me disa faktorë të zakonshëm që kërcënojnë shëndetin. Shembulli i parë është lidhja midis duhanpirjes dhe rrezikut të lartë për shfaqjen e disa sëmundjeve urologjike siç janë ato malinje (ku përfshihen kanceri i prostatës dhe kanceri vezikës urinare) si dhe çrregullimet e ereksionit (impotenca). Një shembull tjetër i përcaktuar mirë është lidhja midis çrregullimit të ereksionit dhe sëmundjeve kardiovaskulare. Konstatimi i një problemi me ereksionin mund të jetë një sinjal i heshtur i ekzistencës së një sëmundje të zemrës. Ky konstatim ju mundëson pacientëve me çrregullime të ereksionit që t’i nënshtrohen një vlerësimi të veçantë për të përjashtuar një rrezik i cili mund të variojë nga mesatar në i lartë për shfaqjen e sëmundjeve kardiovaskulare. Studimet kanë treguar gjithashtu në mënyrë të ngjashme se çrregullimi i ereksionit shoqërohet me një rrezik të lartë për vdekje të parakohshme. Një lidhje e fortë është konstatuar midis nivelit të ulët të hormoneve mashkullore dhe sindromit metabolik. Obeziteti dhe sindromi metabolik mund të luajnë rol në shfaqjen e çrregullimeve të ereksionit dhe të çrregullimeve të urinimit të shoqëruara me zmadhimin beninj të prostatës. Në këtë lidhje përfshihen jo vetëm sëmundjet që janë të ndërthurura me njëra tjetrën, por edhe sëmundjet urologjike që kanë të bëjnë me moshën të cilat mund të kenë pasoja serioze për cilësinë e jetës dhe mbijetesës së burrave. Këtu kemi parasysh:Kancerin e prostatës dhe komplikacionet funksionale (dëmtimet seksuale dhe mos mbajtja e urinës) të cilat mund të jenë si pasojë e mjekimit të tij. Trajtimin kirurgjikal të tumoreve të vezikës urinare dhe pasojat psikike që vihen re mbas operacionit si rezultat i ndryshimit tërësor të mënyrës së urinimit. Komplikacionet seksuale si rezultat i trajtimit me medikamente dhe me ndërhyrje kirurgjikal të çrregullimeve të urinimit. Ndërlidhja midis çrregullimeve të ereksionit dhe çrregullimeve të urinimit, të cilat shpesh shoqërojnë njëra tjetrën. Kërkesa gjithnjë në rritje për të pasur një aktivitet seksual sa më të mirë dhe dëshira për të pasur fëmijë bile edhe nga burra të moshuar. Ka hipoteza spekuluese që bashkojnë shumicën e këtyre problemeve komplekse ndërvepruese duke i konsideruar ato të lidhura me procesin e plakjes. Në fakt studimet tregojnë se testosteroni është hormoni kryesor që kontrollon shumicën e këtyre mekanizmave. Për arsye se të dhënat e përfshirjes së testosteronit në funksionimin e një sërë organesh dhe indesh, përveç organeve gjenital mashkullore, janë në ngritje të vazhdueshme, ka kuptim që niveli i testosteronit të mbahet në nivele normale si një bazë e fortë për një plakje të mirë. Është përcaktuar mirë që Testosteroni luan një rol kryesor në integritetin dhe mirëmbajtjen e funksioneve të disa sistemeve dhe organeve (ku përfshihen sistemi seksual dhe riprodhues mashkullor, prodhimi i rruazave të kuqe dhe metabolizmi [i kockave, yndyrës dhe glukozës]).Si pasojë e këtij përcaktimi, nivelet e ulëta të hormoneve mashkullore mbas pubertetit dhe përgjatë moshës së rritur dhe pleqërisë, mund të prekin cilësinë e jetesës (si, ulja e dëshirës seksuale, çrregullimet seksuale, ndryshimit të humorit dhe funksionit njohës), mund të ndryshojnë fiziologjinë ( e cila bëhet shkak për infertilitet, pakësim të masës muskulore dhe të mineralizimit të kockave me pasojë osteopeni ose osteoporoze), si dhe të dëmtojë metabolizmin si, ndryshime të metabolizmit të yndyrave, të fortësisë muskulore, të aktivitetit dhe funksionit fizik. Duke parë rëndësinë e çështjeve të përshkruara më lart si dhe duke arritur në përfundimin që shumë probleme të pleqërisë të meshkujt janë pasoje e pakësimit të hormoneve mashkullore, po mendohet gjithmonë e më tepër si të mbështetet përmirësimi i cilësisë së jetës dhe stili i saj si dhe kujdesi mjekësor i burrave të moshuar nëpërmjet menaxhimit të rasteve që kanë hormone mashkullore në nivel të ulët dhe të mjekimit të tyre me hormonin testosteron. Në këtë mënyrë burrat nuk do të jetojnë më gjatë, por do të jetojnë më mirë. 
Sigal