Plagjiatura e frikshme me librat shkollorë, ja shtëpitë botuese më të favorizuara

1135
Sigal

MAS krenohet se hodhi në kosh tekstet pa vlerë dhe po miraton tekste të reja që i përkasin “Rilindjes”. Po a e dini ju, Zonja ministre, se edhe tekstet e reja të miratuara nga ju (2015) janë po ato të koshit të plehrave? A do të miratohen përsëri për vitin shkollor 2016-2017 në konkursin e teksteve shkollore po ato të vitit 2009? Kemi 10 vjet që bëhen konkurse të teksteve dhe në çdo konkurs paraqiten po ato, që fitojnë përsëri! “Gjuha shqipe 6” Albas 2015, fituar me tekstin e 2009, tregon që jemi po aty ku e gjete arsimin zonja ministre! Kryetarja e Komisioni të Vlerësimit të Teksteve zonja A. Paparisto e ka për detyrë të mbledhë komisionin e gjuhës shqipe dhe të analizojë problemet e ngritura në shkrime të ndryshme. Sa qëndrojnë dhe sa është përgjegjësia që duhet të marrin, për një punë të paguar? Temën e artikullit si mësues të gjuhës shqipe ne e argumentojmë mbi bazën e fakteve të marra nga dy tekstet 2009 dhe 2015. Drejtojmë pyetjen hartuesve të “Standarde të tekstit mësimor”. Standardi 13, fq 32. 1. A duhet të jenë pjesë e konkursit Teksti /udhëzuesi i mësuesit dhe përdorimi i tij? Standardi 14, fq 33. A duhet të jenë pjesë e konkursit fletorja e punës, CD, antologji, fletë pune, etj? Materialet plotësuese janë orientime dhe nuk ka pse të paraqiten në konkurs. Teoria se kush dorëzon më shumë materiale ndihmëse fiton konkursin funksionoi edhe në konkursin e 2015-s. Vëmendja e komisioneve duhet të recenzojë vetëm tekstin mësimor. Mësuesit tashmë janë kthyer thjesht në kopjues të materialeve ndihmëse, që nuk i marrin si ndihmesë për realizimin e procesit mësimor, por si një detyrim mbasi janë miratuar nga Komisioni i Miratimit të Teksteve.

Pjesa e parë “Njohuri për tekstin”. 
Analizojmë linjën “Të lexuarit”. Në gjininë e prozës, poezisë dhe dramës janë përzgjedhur 25 tekste letrare. Nga këto 20 tekste letrare janë kopjuar pa asnjë ndryshim nga teksti “Gjuha shqipe 6”, 2009 po të kësaj shtëpie botuese. Vetëm 5 tekste letrare me përralla janë të reja. Renditim këtë kopjim: Me numër rendor janë tekstet letrare në “Gjuhë shqipe 6”, 2015, ndërsa në kllapa është faqja e tekstit letrar të kopjuar të vitit 2009. 1. Liqeni i Prespës”, fq. 16 (fq.147). 2 “E bija e hënës dhe e diellit”, fq. 18, (fq. 98). 3. “Fuqia e Mujit”, fq. 33 (fq. 104) 4. “Vilhelm Teli”, fq. 36 ( fq.141) 5. “Gjahu i malësorëve”, fq. 44 ( fq.113) 6. “Bora”, fq. 48 (fq.148) 7. “Atdheu”, fq. 56 ( fq. 76) 8. “Zoga”, fq. 60 (fq. 82). 9. “Mëngjes”, fq. 62 (fq. 84) 10. “Djali dhe deti” fq. 68 (fq. 23) 11. “Poezia e parë”, fq. 72 (fq. 58) 12. “Nuk është e lehtë të harrosh”, fq. 76 (fq. 35) 13. “Ditari i një vajze”, fq. 79 (fq.51) 14. “Tomi dhe Haku marrin një ftesë”, fq. 84 (fq. 55) 15. “Viti 999”, fq. 91(fq. 164) 16. “Harri Potter” fq. 94 (fq. 62) 17. “Kur Uendi u rrit”, fq. 98 (fq. 26) 18. “Fleta e shkrimit”, fq. 106 (fq. 157) 19. “Pylli qan për sorkadhen”, fq. 108 (fq.156) 20. “Me jetue” fq. 112 (fq. 160). Një tekst letrar për vlerat e edukative mund të vendoset në librin e ri, por aparati pedagogjik i analizës së tekstit nuk mund të kopjohet me të njëjtat rubrika dhe pyetje nga teksti 2009, siç është vepruar në këtë tekst. Ç’kuptim ka përgatitja e programeve të reja, kur teksti vazhdon analizën e pjesëve mbi bazën e kërkesave të programit të 2004 dhe 2009? Japim tri shembuj:
Tekste të kopjuara me pikë dhe presje 
Shembull: “Harri Potter”, Gjuha shqipe 2009, fq. 64. a. Shënoni me v fjalinë e saktë dhe me x fjalinë jo të saktë. b. Ritregojeni pjesën pasi të keni shkruar… c. I keni lexuar librat për Harri Potterin? Gjuhë shqipe 2015 fq. 96. a. Shënoni me v fjalinë e saktë dhe me x fjalinë jo të saktë. b. Ritregojeni pjesën pasi të keni shkruar… c. I keni lexuar librat për Harri Potterin? Kështu mund të vazhdojmë dhe me pjesë të tjera letrare. Aparati pedagogjik në të gjitha pjesët është i njëllojtë me 2009. Të gjitha tekstet letrare analizohen me rubrikat: a. “Kuptimi dhe mesazhi”. b. “Interpretimi dhe vlerësimi”. c. “Gjuha”dhe stili. Janë shtuar vetëm fjalët mesazh, stil. Fjalët mesazh, stil, krijojnë paqartësi të pariparueshme tek nxënësit. Së pari: Fjala mesazh në “Fjalori i Shqipes së Sotme” përdoret në dy kuptime: Është një letër përshëndetëse e një udhëheqësi dërguar një udhëheqësi tjetër ose përmbajtja e asaj që i transmetohet dikujt. Me të drejtë programi i ri e ka zëvendësuar fjalën mesazh me fjalën ide. Së dyti: Fjala stil në një vepër letrare është tërësia e veçorive ideoartistike të krijimtarisë së shkrimtarit i pakuptueshëm për një nxënës 12-vjeçar. Ai sapo ka filluar të mësojë figurat letrare, kuptimin e figurshëm të fjalës. Edhe po të shfletosh programin e ri nuk e gjen fjalën stil si veçori kryesore në ndërtimin e një vepre letrare.
Në disa pjesë është ndryshuar vetëm numri rendor i pyetjeve. Shembull: “Liqeni i Prespës”: fq. 147(2009) dhe fq. 16 (2015). Përsëritje të temave mësimore pa asnjë ndryshim kemi edhe në rubrikat Të folurit, Të dëgjuarit, Të shkruarit, si: “Përmbledhja” fq. 22 (fq.102); “Drama” fq. 39 (fq.145); “Malli për atdheun” fq. 58 (fq.79); “Përshkrimi i një vendi” fq. 59 (fq.87); “Shkrimi i poezisë” fq. 64 (fq.96); “Si shkruhet një tregim” fq. 71 (fq.15); “Ritregim i përmbajtjes” fq. 88 (fq.30); “Shkruajmë me imagjinatë” fq. 97 (65); “Lotët e zjarrit” fq. 129 (fq.178) etj. Në pjesën e parë “Njohuri për tekstin” ndërtuar në 145 faqe, njohuri të reja janë: 1. Vetëm pesë tekste letrare me legjenda dhe histori fëmijësh. 2. Pesë tekste joletrare me karakter informativ. 3. 10 udhëzime në linja të ndryshme. 4. Rubrika informative “Bota e medias dhe ekranit”. 5. Projekt “Revista për fëmijë”, (4 faqe). Nuk e kuptojmë vendosjen e tyre. Komisioni i specializuar në këtë fushë vetëm për këto pjesë të reja, që shumica ka karakter informativ i dha pikët fituese pjesës së parë “Njohuri për tekstin”.
B. Në faqen 16 të programit të gjuhës shqipe miratuar nga MAS 2015 lexojmë
“Në kornizën kurrikulare dhe në kurrikulat bërthamë janë përcaktuar temat ndërkurrikulare ku ndër pesë kërkesat lexojmë: a. Identiteti kombëtar dhe njohja e kulturave…Identiteti kombëtar dhe njohja e kulturave mungon në pjesët e përzgjedhura. Vlera e një teksti mësimor të gjuhës amtare qëndron edhe sa ai transmeton me artin e fjalës data të rëndësishme historike dhe aktuale të kombit; simbolet e tij, si: gjuha, flamuri, veshja popullore, krenaria kombëtare, shqiponja etj. Vitet e fundit është rritur ndjeshëm ndjenja kombëtare ku shpërthen fuqishëm krenaria për emrin shqiptar, ndërsa brezi i ri edukohet në shkolla me pjesë që nuk kanë asnjë vlerë edukative kombëtare. Vetëm poezia “Atdheu” e vendosur në këtë tekst nuk realizon edukimin e brezit të ri me elementet e rëndësishme të qenësisë si komb. Po të shfletosh librin shkollor të leximit, klasa e pestë, 2001, miratuar nga Ministria Arsimit në Maqedoni, për shkollat shqipe lexojmë dy poezi për gjuhën shqipe nga Naim Frashëri dhe Gjergj Fishta, dy krijime për atdheun, dy krijime për heronjtë e lirisë etj. Tek të gjitha librat shkollorë të gjuhës shqipe në përdorim nga 2005 e në vazhdim është lënë në harresë kjo temë, aq e rëndësishme në edukimin e brezit të ri nëpërmjet artit të fjalës. b. Edhe ndarja e kapitujve në 4 rubrika është e njëjtë në të dyja tekstet: “Legjenda dhe histori të vërteta”, “Faqja e poezive”, “Miqtë tanë”, “Bota e medies dhe ekranit”, sikur është një revistë me rubrika dhe jo tekst mësimor, dëshmon sa pak ndryshime kanë të dyja tekstet. Një tekst mësimor ku gërshetohen 5 kompetenca a mund të ndahet në rubrika apo në kapituj? Të na e shpjegojnë autorët e udhëzimit “Standardi i teksteve shkollore”, ku lexojmë si kërkesë kryesore për pranimin e teksteve në konkurim, fq.16: “Teksti shkollor organizohet sipas kapitujve që fillojnë me faqen hyrëse ku duhet të shënohen përmbajtja-fjalë kyçe-përmbledhja e kapitullit…”. Këtu merr fund integrimi ndërlëndor në tekstin e gjuhës shqipe.
Pjesa e dytë “Njohuri për gjuhën”
Kopjimi nga teksti “Gjuha shqipe 6”2009 vazhdon edhe në gjuhë. Po renditim disa tema mësimore kopjuar pa asnjë ndryshim nga teksti i klasës së gjashtë 2009: Tema mësimore: 1. “Përbërësit e fjalës”, fq.154 e njëjtë me temën 2009, fq. 189. 2. “Fjalë të parme dhe jo të parme”, fq. 156 e njëjtë me temën 2009, fq. 191. 3. “Klasat e fjalëve”, fq. 167 e njëjtë me temën 2009, fq. 205. 4. “Emri”, fq. 169 e njëjtë me temën 2009, fq. 207. 5. “Mbiemri. Gjinia dhe numri i mbiemrit”, fq.178 e njëjtë me temën 2009, fq. 213. 6. “Folja”. Mënyrat e foljes, fq. 189 e njëjtë me temën 2009, fq. 230. 7. “Mënyra lidhore”, fq. 200 e njëjtë me temën 2009, fq. 230. 8. “Fjalia dhe përbërësit e saj”, fq. 227 e njëjtë me temën 2009, fq. 249 (ndryshon vetëm titulli), etj. Nga autorët e tekstit dhe anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Teksteve studimi i programit të ri 2015 ka qenë i sipërfaqshëm, pasi janë shtuar disa tema mësimore që nuk i përmban programi mësimor i klasës së gjashtë, por i klasës së shtatë ose tetë. Po renditim disa tema mësimore që nuk i përmban programi i klasës 6. 1. Grupet kryesore të fjalisë së thjeshtë dhe grupi emëror fq. 231-233, nuk është kërkesë e programit në klasën e gjashtë, por kërkesë në programin e klasës së tetë. 2. “Kallëzuesi”, fq. 238. Pika –a-lexojmë: “Kallëzuesi që shprehet me folje në format e shtjelluara, quhet kallëzues foljor” dhe pika-b-lexojmë: “Kallëzuesi që shprehet me foljen jam të shoqëruar me mbiemër, numëror, emër, përemër quhet kallëzues emëror”. Kjo temë mësimore është vendosur në programin e klasës së tetë, fq. 62. Në klasën e gjashtë programi kërkon që nxënësi të dallojë në fjali kallëzuesin. a. Autorët e tekstit duhet të kishin lexuar me vëmendje programin e ri mësimor, dhe jo të përqendroheshin në rivendosjen e temave gjuhësore, që i përgjigjen programit të vitit 2004. b. Anëtarët e vlerësimit të tekstit duhet të mbajnë përgjegjësi, për papërgjegjshmërinë e tyre në hedhjen e firmës. Si mund të miratohet një tekst kur autorët shkruajnë pa parë programin dhe me tri kërkesa në një ushtrim! Në faqen 239 lexojmë: “Dalloni në tekstin e mëposhtëm foljen jam kur përdoret si kallëzues foljor dhe kur si këpujë e kallëzuesit emëror. Kini kujdes rastet kur folja jam përdoret si folje ndihmëse”. Të tilla ndërtime gjen në çdo faqe të tekstit. 
Përfshirja e mësuesve në hartimin e teksteve
Ka ardhur koha kur në komisionin e vlerësimit të teksteve të jenë edhe mësues, të cilët njohin mirë tekstin që janë duke punuar, dinë mangësitë dhe gabimet e tekstit, dallojnë të gjithë temat mësimore që përsëriten nga teksti i vjetër. Pothuajse të gjitha tekstet e reja me pak ndryshime janë përsëritëse të teksteve të mëparshme, tekste 10-vjeçarë. Kush më mirë se mësuesi është vlerësues i tekstit të ri mësimor? Komisioni ministror, i cili katër orë para komunikimit të Konkursit 2015, u mbyll në shkollën “Avni Rustemi” dhe piketoi sipas ofertave tekstet fituese? Dhe mësuesi është i paaftë. Paaftësia duhet të fillojë nga lart-poshtë! 3. Përshtatja e kryefjalës dhe kallëzuesit, fq. 240, është kërkesë e programit në klasën e shtatë në fq. 35. C. Në disa tema mësimore është tejkaluar programi rekomandues 2015 dhe udhëzimi “Standarde të teksteve shkollore të miratuara nga MAS. Në “Standarde të pranimit të teksteve shkollore faqe 15, pika 7, tabela 2 lexojmë: “Teksti shkollor nuk miratohet nëse nuk respekton përcaktime të paketës kurikulare dhe në pikën 7 lexojmë: në tekstin shkollor konstatohen mospërputhje ndërmjet ngarkesës së tekstit dhe moshës së nxënësve. Shembuj: 1. Programi i ri fq. 44 për pjesën e ligjëratës “Emri” orienton që nxënësi të marrë njohuri, për gjininë, numrin, rasën dhe trajtën e emrit, por teksti mësimor i tejkalon këto kërkesa. Së pari: Në tekst, fq. 169 kemi analizën e ndarjes së emrave të përgjithshëm në konkretë, abstraktë, përmbledhës, të lëndës, që nuk është kërkesë e programit të ri. Po në këtë kapitull është vendosur tema mësimore “Lakimi i emrave të gjinisë asnjanëse” fq.175, që është në programin mësimor klasa e shtatë. 2. Tejkalim të programit mësimor kemi edhe në temën mësimore “Përemri vetor, trajtat e shkurtra dhe lakimi i tyre. fq. 184. Në programin e ri mësimor fq. 48 njohuritë për trajtat e shkurtra dhe lakimi i tyre janë vendosur në klasën e shtatë. 3. Tejkalim të programit mësimor kemi edhe në temën mësimore: Theksi i fjalës dhe fjalisë”,fq. 148. Programi mësimor udhëzon analizën e theksit të fjalës. Theksi i fjalisë është vendosur në programin mësimor, klasa VII. Rrjedhimisht në klasën e shtatë do të kemi përsëritjen e shumë temave të mësuara në klasën e gjashtë. Lind pyetja: Sa i shërbejnë këto tema nxënësit ku ngarkesa e nocioneve të reja gjuhësore është e papërballueshme për moshën? Në faqe të ndryshme kemi edhe pasaktësi gjuhësore dhe letrare. Përkufizimi gjuhësor në fq. 154: “Tema është ajo pjesë e fjalisë që mbetet pasi heqim mbaresën” bie në kundërshtim me ushtrimet 2, 3, fq. 157, ushtrimi 2, fq. 159, Në këto ushtrime si temë e fjalës janë shënuar fjalët: gëzoj, punoj, fluturoj, organizoj, orientoj. Mbaresa e këtyre fjalëve –j- trajtohet si pjesë përbërëse e temës së fjalës. Ose në faqen 39 lexojmë: “Drama është një lloj letrar në prozë ose vargje”…Drama është gjini letrare dhe jo lloj letrar…