Piro Mosi: Si u hodh në erë banka “Di Napoli” në Sarandë

717
Piro Mosi është nga familjet e ardhura herët në Sarandë qysh në fundshekullin e 19-të. Familja e tij me origjinë shkodrane, ka ushtruar zanatin e fotografit, zanat të cilin e trashëgoi për vite e vite edhe vet Piro duke u kthyer në një nga dëshmitarët e rrallë të zhvillimeve historike dhe sociale të Sarandës. Fototeka e tij regjistronte mijëra fotografi dhe filma fotografik deri në vitin e mbrapsht 1997 , kur masakra dhe dora kriminale nuk u ndal as ndaj kësaj pasurie me vlera të rralla historike, por u vuri flakën duke zhdukur këto thesare dokumentare. Piro Mosi, babai i aktorit të mirënjohur Zef Mosi, nuk rrëfehet për herë të parë në faqet e gazetës”Telegraf”.Si dëshmitarë okular i shumë ngjarjeve ai ka rrëfyer pushtimin e Sarandës nga Italia fashiste duke sjellë përjetimet e asaj dite fatkeqe për shqiptarët. Ka rrëfyer çlirimin e Sarandës, gjithashtu episode nga sakrificat e ndërtimit të socializmit dhe frikën nga sigurimi i shtetit. Në rrëfimin e sotëm tregon momentet e hedhjes në erë të bankës që funksiononte në Sarandë, “Di Napoli”. Musolinit i pëlqeu shumë Saranda dhe i vuri emrin e vajzës së tij, Porto –Eda, dhe për këtë , për ta fuqizuar edhe ekonomikisht me krijimin e hapësirave tregtare dhe bankare, hapi bankën “Di Napoli”Ja ç’tregon Piro për hedhjen në erë të sajë:
“Hedhja në erë e bankës “Di Napoli” në Sarandë ka ndodhur në vitin 1945. Mungesa e përvojës xheniere për të trajtuar dhe përdorur lëndët plasëse ushtarake detyruan komandën e Brigadës së XIV S ta caktonte si depo magazinimi mjediset e kësaj banke për magazinimin e grumbullimit të mjeteve dhe lëndëve luftarake të lëna nga ushtritë pushtuese ku e si të mundnin duke sjellur kështu rrezikun e jetës së banorëve, sidomos të fëmijëve që i quanin lodra dhe shumë prej tyre humbën jetën dhe u gjymtuan prej tyre. Dhe këto ishin shumë materiale e municion luftarak, që nga predha artilerie të kalibrave të ndryshëm si dhe mjaft mina antitanke. Për ruajtjen e depos së bankës, tanimë të kthyer në depo municioni , ishte caktuar një skuadër partizane, pjesë e së cilës ishte edhe piqerasjoti Vasillaq Mëhilli(dëshmor) i cili kishte edhe pasion gjuetinë e peshkut me dinamit. E pashë vet personalisht 30 minuta para ngjarjes fatale që i mori edhe jetën. Ishte duke hapur mina. U largova, po pa shkuar në molo ndjeva një plasje të fuqishme, toka u tund e u drodh si tërmet. Erdhi nga depot e bankës. Kuptova menjëherë se ç’farë kishte ngjarë, po nuk kisha guxim të shkoja aty. Vendi qe në flakë, tym dhe erë baroti. Nuk ma mbajti edhe pse njihesha me viktimën. Në hyrje të depos, në të djathtë të sajë, një tricikli gjerman i qe çarë sarbatori dhe qe përfshirë në flakë, dhe flaka shpërndahej përgjatë murit drejt vendit të minave që ishin grumbulluar. Në atë kohë në Sarandë kish mbetur edhe një ushtar gjerman i cili u thirr për ndihmë. Ai e pa rrezikun dhe tha që të merreshin masa të largohej popullata sepse shpërthimi i hatashëm qe gati-gati pas 20 minutash. Dhe vërtet pas pak kohësh , ndoshta dy orësh, një shpërthim i tmerrshëm tronditi Sarandën, shpërthim që thanë se qe ndjerë e dëgjuar deri në Vlorë e Korfuz. Edhe sot në breg të gjirit të Sarandës shihen pjesë nga muri i bankës zhvendosur nga fuqia shpërthyese. Kjo është ngjarja që i mori jetën një personi dhe u përjetua me emocione tronditëse. Prania se një koloneli gjerman në këtë ngjarje është plotësisht i vërtetë se e kam parë vet. Më vonë ky kolonel ju dërgua për hetime shtabit të përgjithshëm. Në ato çaste edhe nxënësit e shkollave u nxorën nga klasat e mësimit dhe bashkë me shumë familje sarandjote u strehuan pranë molos së Sarandës”
Agron MEMA
Shënim:Foto 1 Piro Mosi dhe foto 2 pjesa e murit të bankës që nga shpërthimi i asaj dite ndodhet në ujërat e detit të Sarandës. Vihet re trashësia dhe forca e murit ndaj erozionit ujor dhe atmosferik, ndonëse vite të shumta, nuk e kanë dëmtuar murin.
Sigal