Pingpongu i rritjes së çmimeve, urdhri i stomatologut bën tjetër gafë

1176
Sigal

Denoncimi i bërë një ditë më parë i vendimmarrjes së fshehtë të Urdhrit të Stomatologut që kërkon rritjen e çmimeve bazë në rrjetin e klinikave dentare ka vënë në pozita mbrojtëse Ministrinë e Shëndetësisë që ka nxituar të padisë në gjykatë USSH.

“Pas kundërshtisë në votimin për vendosjen e tarifave për shërbimet dentare, Ministria e Shëndetësisë ka ndërmarrë një tjetër hap për të bllokuar vendimin e Urdhrit të Stomatologut për rritjen e tarifave: Dërgimin në gjykatë të këtij vendimi, me argumentin se Urdhri i Stomatologut ka tejkaluar kompetencat. Nuk do të ketë rritje tarifash sepse vendimi i Urdhrit të Stomatologëve është i paaplikueshëm”, deklaron MSH.

Por edhe pas reagimit të dytë në më pak se 24 orë ministria e linjës nuk ka sqaruar pozicionin e saj në vendimmarrjen e Urdhrit të Stomatologut të datës 6 dhjetor ku nga rezultati i votimit i publikuar në dokumentin zyrtarë të USSH del se kanë marrë pjesë të paktën dy nga tre anëtarët e përhershëm të këshillit që i përkasin respektivisht, 1 Ministrisë së Shëndetësisë, 1 FSDKSH dhe një përfaqësues i arsimit të lartë.

Jo vetëm kaq, pasi Urdhri i stomatologut bën një tjetër gafë. USSH bën rolin e avokatit mbrojtës të Ministrisë së Shëndetësisë në këtë skandal të mbajtur të fshehtë pasi këmbëngul se në votim nuk kanë marrë pjesë tre përfaqësuesit e qeverisë, megjithëse dokumenti i votimit tregon që s’ka votë kundër.

Dok I Votave Stomatologet

“Në votimin e Këshillit Kombëtar pas votimit të zakonshëm si për të gjithë vendimet e tjera, Presidenti kërkoi vendim nominal dhe kërkoj në mënyrë paqësore të mos implikoheshin në votim përfaqësuesit e Ministrisë së Shëndetësisë në votimin për përcaktimin e çmimeve referuese dysheme në dentistri.
Përfaqësuesja e Ministrisë së Shëndetësisë Znj. Antoneta Njehrrena ishte kundër këtij vendimi”, deklaron USSH kur në fakt në dokumentin e Këshillit Kombëtar të USSH nuk ka asnjë votë kundër.

Rezultati i votimit në këshillin kombëtar të urdhrit të stomatologut nuk lë asnjë alibi për koment. Në të shkruhet se nga 25 anëtarë të përhershëm në votim kanë marrë pjesë 24, prej të cilëve 22 kanë votuar pro dhe 2 abstenim dhe asnjë votë kundër.

Pra gjithçka është e qartë që të paktën 2 nga 3 përfaqësuesit ligjor në këshillin e USSH kanë marrë pjesë në votim ku minimalisht mund të kenë abstenuar dhe jo votuar kundër rritjes së tarifave sikundër pretendon Urdhri.

Justifikimi se ministria e shëndetësisë nuk ka pasur dijeni për ngjarjen vjen në një moment kur vetë urdhri është paditur nga Ministria e Shëndetësisë për të njëjtën ngjarje që po përpiqet ta justifikojë.

Po sot ka reaguar edhe autoriteti i konkurrencës që thotë se ka nisur kontrollin për të parë nëse ka shkelje ose jo në aktin normativ të marrë nga vetë urdhri.
Ndërkohë vendimi i asamblesë kombëtare që përcakton çmimet dysheme për klinikat dentare ka marrë një shuplakë të fortë nga zyra e mbrojtjes së konsumatorit që rendit një sërë shkeljesh ligjore të konsumuara prej saj.

Në fund si gjithmonë ata që e vuajnë më shumë janë qytetarët ku shumica thonë se janë të varfër dhe se me shumë mundim arrijnë të përballojnë çmimet ekzistuese në klinikat dentare.
“Shumica janë me 500 mijë lekë të ardhura, si do e rrisin çmimin e dhëmbëve. Tani me vështirësi. Do mendohemi 100 herë para se të shkojmë”, tha një qytetar.
“S’jemi dakord”, tha një grua tjetër.

“Çmimet sot me këto rroga, me këto pensione që janë e me u ngrit është një gjë e papashme”, shprehet një pensionist.
“Mua më duket shumë negative. Nuk qëndron në Shqipëri kjo”, thotë dikush tjetër.
“Jemi të detyruar të shkojmë tek dentisti por do heqësh dorë nga një gjë tjetër për të vajtur tek dentisti”, u shpreh një qytetare.
“Shumë shtrenjtë. ne nuk kemi lekë o vëlla, copë-copë. Është e papërballueshme. Do i shkul të gjitha, do rri pa dhëmbë”, tha një qytetar tjetër.