Piloti italian i drogës do të transferohet në Itali

533
Sigal

Gjykata për Krime të Rënda pranoi kërkesën e pilotit italian, Xhorxho Riformato për ta kryer dënimin në vendlindjen e tij, Itali, çka do të thotë se pas këtij vendimi atij i hapet rruga për t’u ekstraduar. I dënuar me 12 vjet burgim, riformato kërkoi të vuajë dënimin në Itali për shkaqe shëndetësore dhe për të qenë pranë familjes.

Pas këtij vendimi, dosja për Riformaton, së bashku me procesverbalin i përcillen prokurorisë, e cila përmes organit qendror të akuzës e delegon në Ministrinë e Drejtësisë e mandej nis procedura e ekstradimit të tij. Riformato u arrestua në 2014 dhe më pas u shpall fajtor për trafikimin e mbetur në tentativë të mbi 300 kilogramëve hashash që do të transportoheshin në Itali nëpërmjet ajrit me një avion Piper, që drejtohej nga italiani. Avioni u bllokua në plazhin e Divjakës për shkaqe teknikë. Bashkë me Xhorxho Riformaton u shpallën fajtorë edhe gjashtë persona të tjerë, të cilët morën në total 47 vite burg.