Pikat e shitjes: Librat kanë ardhur pa pullë fiskale nga MASH

605
Ashtu si edhe viti i kaluar, edhe ky vit shkollor, ka nisur mbrapsht në qarkun e Elbasanit. Pavarësisht se Ministria e Arsimit njoftoi se “duke nisur nga data 25 gusht deri në 12 shtator 2016, do të gjeni librat në pikat e shitjes”, duket se e gjithë kjo rezultoi një mashtrim i hapur. Qytetarët dhe nxënësit e shkollave të qarkut të Elbasanit janë nisur të blejnë librat e këtij viti të ri shkollor, por në pikat e shitjes (në ato pika që ka miratuar MASH sipas interesave të tyre) ata janë përballur me reagimin e shitësve se “librat nuk janë të gjitha, por edhe ato që kanë ardhur janë pa pullën fiskale, hajdeni nga java tjetër”. Skandali me shitjen e librave shkollorë, ka vite që është futur në hullitë e aferave korruptive, ku përfitojnë shefat e MASH, shefat e DAR-eve, drejtorët e shkollave apo dhe sekserët e tyre. Një aferë korruptive, e cila po mbush me para xhepat e drejtuesve, që nga “nxitimi” harrojnë dhe nxjerrin pa pullën fiskale në treg, shumicën e librave shkollorë.

 Një shitëse librash shkollorë në Elbasan u shpreh se “është viti dytë që ndodhin skandale të tilla me librat, na detyrojnë të shesim libra nga subjekte që na i sjellin pa pullën fiskale, ndryshe ne penalizohemi, na pritet buka e fëmijëve, e kemi bërë problem në DAR dhe MASH, dhe përgjigja ka qenë “të është mërzitur puna, mbylle biznesin”. Nga ana e tyre prindërit e nxënësve të ciklit 9 vjeçar, dhe nxënësit e shkollave të mesme shprehen se “u bë viti i tretë që sillemi vërdallë, na thonë po merremi me “Altertekstin”, po merremi me seleksionimin e librave, nuk është kjo shtëpia botuese e shkollës tuaj, dhe shumë broçkulla të tjera të cilat nuk e dimë deri kur do të mbarojnë”. Nxënësit e shkollave duhet të kishin nisur të pajiseshin me librat e nevojshme të këtij viti të ri shkollor, por duket se “mungesa e pullave fiskale” , që mbetet skandali i radhës, tek sasia e cila u është shpërndarë rretheve ditët e fundit, ka nxjerrë në sipërfaqe ndoshta pa dashur aferën korruptive të gatuar lart në dikasterin dhe drejtoritë e arsimit në rrethe. 

Ndërkohë disa administratorë shtëpish botuese shprehen se “MASH dhe drejtuesit e DAR në rrethe janë të lidhur bashkë, dhe punojnë vetëm me klientët e tyre, nuk të qasin në rast se ti, nuk u jep në dorë përqindjen e kërkuar, madje nuk ke shansin të futesh në tender, gjithçka vendoset nga sekserët, të cilët shpesh në këto vite kanë qenë dëmtuesit e biznesit tonë, kur ne nuk kemi pranuar të japim përqindjet e tyre të larta, kurse më e keqja është se askush nuk guxon të flasë sepse të mbyllet biznesi qysh të nesërmen”. Bllofi i MASH dhe DAR-eve, qëndron edhe në faktin se, edhe kur shkollat kanë përzgjedhur me short libra të atyre shtëpive botuese, që u përshtaten mësimit dhe formimit të nxënësve, ka ndodhur që gjithçka është anulluar me urdhër “nga lart”. Edhe në të tilla raste, askush nuk ka guxuar të flasë, madje as drejtorët e shkollave, pasi u është treguar “largimi nga detyra për mosbindje”. Ky është realiteti skandaloz që ka vite që ka mbërthyer veç të tjerave, edhe sektorin e botimit, ndarjes dhe shitjes së librave, një fushë nga ku luhet fort nga sekserët e aferave korruptive, që po mbushin me para çdo vit xhepat e drejtuesve të lartë të arsimit nga qendra në bazë. 
Sigal