Pika turistike e Kapinovës zhgënjen turistët gjerman

85

Banori Selfo Domi: “Turistët kur e panë në këtë gjendje zunë kokën me dorë dhe thanë se kishim bërë një krim”

Dikur në kohën e komunizmit ishte ndërtuar një pikë turistike në zonën e Tomorrit, pikërisht në fshatin Kapinovë, e cila ka qenë shumë e preferuar për shqiptarët, por dhe për turistët e huajë që vinin me lejen e atij sistemi për të vizituar parkun kombëtarë të malit të Tomorrit. Kjo pikë turistike ishte dhe si qendër pushimi kur të rinjtë marshonin drejtë malit të Tomorrit, në Çukën Partizane, e cila ndodhet në majën e malit. Pika turistike e Kapinovës ishte ndërtuar në mes të pllajës me pisha dhe bredhë, rrëzës malit Tomorr. Një grup turistësh që kishte qenë për të vizituar parkun kombëtarë të malit Tomorrit dekata më parë, niset sërish për të shkuar edhe atje, në Kapinovë. Ata orientoheshin me një hartë që e kishin që nga koha e komunizmit, sepse atëherë e kishin vizituar këtë zonë dhe u kishte mbetur në mendje. Tani të moshuar, kishin vendosur ta vizitonin sërish, me shpresën se aty do të gjeni një vend akoma më të bukur. Turistët gjermanë në moshë, pasi kaluan një natë në hotel nisen me hartën në dorë drejtë pikës turistike të Kapinovës. Pasi kishin udhëtuar një pjesë të rrugës në këmbë, më në fund kishin arritur atje, në ish-pikën turistike të Kapinovës. Në momentin, që kishin arritur, ishin befasuar, kur kishin parë që ish-ndërtesa e kësaj pike ishte kthyer në haure dhe ishte shkatërruar. Sipas një banori të kësaj zone, që ishte prezent aty, Selfo Domi 34 vjeç, bëhet e ditur se “turistët kur e panë këtë gjendje zunë kokën me dorë. Një perlë e tillë të kthehet në një gërmallë është krim. Njëri nga ata turistë dinte pak shqip dhe mu drejtua mua që ndodhesha aty pranë dhe më tha “Ne nuk i kemi këto natyra të bukura, ndërsa ju shqiptarëve ua ka falur natyra dhe nuk dini t’i mbani. Nuk kemi nostalgji për sistemin e Hoxhës, por për atë që ai ndërtojë ne kemi respekt dhe e respektojmë. Ne mendonim se do të gjenim një perlë të vërtet me ndërtime të bukura dhe kishim bërë plan që të pushonim disa ditë. Kjo zonë është një zone fitimprurëse dhe si e tillë ajo do të ndikonte në rritjen e mirëqenies për banorët e kësaj zone malore. Sistemi i Enverit ndërtojë aq sa ishte e mundur, ndërsa tashmë në demokraci, duheshin të ishin kryer ndërtime dhe jo shkatërrime”, ishte shprehur turisti gjerman 67-vjeçarë. Të zhgënjyer ata janë kthyer përsëri atje, ku kishin lënë automjetet e tyre dhe më pas kanë marrë rrugën në drejtim të pikës turistike të Bogovës, ku dhe kanë pushuar. Fatin e pikës turistike të Kapinovës nuk e ka patur vetëm ajo, por dhe shumë pika të tjera në rajonin e Beratit. Gjithsesi është detyra e qeveritarëve të rinj që të interesohen dhe të rikthejnë në gjendjen e mëparshme këto pika, të cilat janë tepër të preferuara për turistët e huajë, por dhe ata vendas. Berati ka patur dhe pikën turistike në lagjen “Kala”, e cila ndodhet në majë të shkëmbit, por pas hyrjes së demokracisë me këtë pikë nuk dihet se ç’po bëhet, sepse dera e saj ka një drynë prej disa vjetësh.