Petro Stogoi/ Një ngjarje në Kakavi, 24 orë sfilitje dhe zhgënjim

637
Sigal

Të shtunën më dt. 12 prill, atë ditë, kur në Tiranë një grup njerëzish protestonin për torturat vdekjeprurëse të gardianëve grekë mbi të burgosurin shqiptar, Ilia Kareli (Kudret Kume), policët grekë në Kakavi, gjetën rastin të “përgjigjeshin” në mënyrën e tyre të zakonshme çnjerëzore mbi një grup nxënësish të vegjël të shkollës jo publike  “INTERNACIONAL “ .

Shkolla “ INTERACIONAL”  është një shkollë elitare e qytetit të Vlorës, me një personel të zgjedhur dhe me president Kristo Selenica, që një pjesë të jetës së tij e ka kaluar si emigrant në Greqi, të cilën ai e quan edhe si atdheun e tij të dytë, sepse shkoi si një djalë i ri beqar dhe u kthye që andej me dy fëmijë. Duke qenë kështu, kjo shkollë shpesh është bërë edhe qendër e ngrohtë e disa veprimtarive të ambasadës greke për raste të veçanta. Nxënësit e kësaj shkolle, duke patur edhe profilin e një konservatori artistik, i kanë pritur përfaqësuesit e kësaj ambasade, por edhe miq të tjerë grekë me koncerte të posaçme dhe ndere të tjera në shenjë respekti e mikpritje. Pra, kjo është shkolla “INTERNACIONAL”, nxënësit e të cilëve, përjetuan para disa ditësh në kufirin grek, atë që nuk e prisnin dhe as nuk e kishin parë, brutalitetin e disa policëve, që me siguri nuk e nderon shtetin grek.  Ata ishin nisur për një ekskursion mësimor në Janinë. Shumica e tyre shkonin për herë të parë në Greqi dhe mezi e kishin pritur këtë ditë. Gjithashtu shumica prej tyre kishin dalë jashtë shtetit në vende të tjerë edhe atëherë, kur nuk e kishim përfituar vizën “Shengen” dhe për ta këto udhëtime kishin patur brenda gëzimin dhe kureshtjen. Por këtë herë nuk ndodhi kështu. Pesë prej tyre ndëshkuan gjithë grupin e nxënësve, sepse në pasaportën e tyre shkruhej vendlindja “GREQI” dhe sipas policëve të pashpirt grekë dhe hakmarrës për atë ç´po ndodhte në Tiranë, këta fëmijë të shoqëruar me mësuesit e tyre dhe me vet presidentin e shkollës, të pajisur me pasaporta ndërkombëtare, përbënin “shkelës të rrezikshëm të ligjeve greke”! Të ndodhur para kësaj të papriture, presidenti i shkollës arriti me shumë mundime që të lidhej edhe me zv. ambasadorin grek në Tiranë por, edhe pas ndërhyrjes së tij dhe të vet konsullit grek në Gjirokastër, policët grek nuk donin të dëgjonin dhe të lejonin vazhdimin e udhëtimit të nxënësve të kësaj shkolle. Do kalonin gati pesë orë, kur pesë nxënësit me vendlindje greke do kishin arritur afër Gjirokastrës, duke u kthyer për në Vlorë, kur policët grekë, ndofta nga ndërhyrjet e shumta, ose pasi u kënaqën nga sadizmi i tyre, ngritën trarin e kufirit. Pas një kohe, erdhën dhe u bashkuan me grupin edhe pesë “shkelësit” e ligjeve greke. Kishte kaluar ora 12.00 e drekës, por peripecitë nuk kishin mbaruar. Në kthim, rreth orës 23:00 të mesnatës, policët vigjilentë grekë të këtij turni, “zbuluan” që në pasaportat e këtyre pesë “shkelësve”mungonte vula e hyrjes. Përfytyroni, që pas gjithë asaj situate torturuese që kaluan, të kishin qetësinë për të kontrolluar pasaportat e tyre, nëse policët grek i kishin vulosur. Gjithë ajo ditë dhe ajo natë e nxënësve dhe mësuesve të shkollës “INTERNACIONAL” të Vlorës kaloi nën kënaqësinë sadiste të policëve grekë në Kakavijë. Rreth orës gjashtë të mëngjesit tjetër, të mezipritur nga prindërit shumë të shqetësuar dhe me mallkimin për udhëtimin që bën në tokën greke, ata të zhgënjyer dhe të sfilitur u kthyen në shtëpitë e tyre.