Petrit Xhelollari: Nëse dikush të dhuron një shtëpi 1 milion e 300 mijë euro, çmendesh, por nëse këtë shtëpi vjen e ta shemb  IN

597
Sigal

Në rrugën “Gjon Buzuku” mësyjnë sekserët e ndërtimit, kërkojnë blerjen e trojeve

E vetmja shpresë është Ambasada Amerikane, asnjë avokat nuk na merr në dorëzim

KORÇË- Që prej disa ditësh sekserët e ndërtimit kanë mësyrë në lagjen nr. 5 të qytetit të Korçës. Ata po trokasin portë më portë dhe kjo gjë vazhdon përgjatë gjithë ditës. Kërkojnë me ngulm blerjen e shtëpive të vjetra private dhe të trojeve, pasi që prej disa kohësh po përflitet se përveç 28 shtëpive që gjenden përgjatë rrugës “Don Gjon Buzuku”, do të rrafshohen edhe shtëpitë e tjera të kësaj lagjeje dhe vendin e tyre do ta zënë ndërtimet shumëkatëshe. Ndryshe nga sekserët që po përpiqen të nxjerrin përfitime të mëdha, pronarët e shtëpive po ndihen gjithnjë e më shumë të keqardhur dhe të dëshpëruar, pasi shtëpitë do t’u shemben, ndërsa fati i tyre i mëtejshëm nuk dihet cili do të jetë. (Ajo që mendohet paraprakisht është mbetja mes katër udhëve). Mësymja e sekserëve të ndërtimit u intensifikua edhe më tepër që nga data 18 e muajit shkurt, kur Bashkia e Korçës, nëpërmjet një shkrese zyrtare, u bëri të ditur 28 familjeve se duhej të boshatisnin shtëpitë nga të gjitha orenditë dhe pajisjet, pasi pritet që së shpejti të nisë projekti për rikonstruksionin e rrugës “Don Gjon Buzuku”. Të gjitha këto i mësuam nga banorët e “Don Gjon Buzukut” dhe veçanërisht nga biznesmeni shqiptaro-amerikan Petrit Xhelollari dhe Agim Tefiku, të cilët tashmë janë shndërruar në zëdhënës të 28 familjeve që do të mbeten pa shtëpi.

 Qeveria, pazare me dëmshpërblimet

Petrit Xhelollari dhe Agim Tefiku na shpjeguan gjithashtu se dëshpërimi i 28 familjeve të përmendura më sipër po vjen në rritje, pasi qeveria po luan me ta në mënyrën më cinike dhe më të paturpshme të mundshme. Disave u jep dëmshpërblim edhe për katet që nuk i kanë të hipotekuara, ndërsa disa të tjerëve u mohon dëmshpërblimin edhe për pronat që i kanë të legalizuara. Dikush nga njerëzit e qeverisë telefonon herë pas herë duke thënë: “Mos e ngrini zënë, do t’ju dëmshpërblejmë edhe për një kat më shumë”. Qeveria shqiptare po sillet me ta sikur të ishte firmë private dhe gjithë shpërblimet dhe dëmshpërblimet në vlera monetare po i bën nga xhepi i saj dhe harron që është qeveri e gjithë shqiptarëve dhe kushdoqoftë ai, edhe kryeministri i vendit, duhet të udhëhiqet vetëm nga ligji. Dëmshpërblimi edhe për katet e pahipotekuara është kaq i vërtetë sa nuk mund të mohohet dot kurrsesi. Në listën e dëmshpërblimeve të publikuar nga vetë Bashkia e Korçës janë të pasqyruara edhe shumat e lekëve për katet që nuk figurojnë të regjistruara në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Sipas Xhelollarit dhe Tefikut, deri më tani janë identifikuara 4 raste të tilla. Ndërkohë, nga vetë banorët po bëhen verifikime të mëtejshme. Për të gjitha këto raste, shumë shpejt, do të vihet në dijeni edhe Prokurori i Përgjithshëm i Republikës, Adriatik Lalla, pasi jo vetëm me pronat e shqiptarëve por edhe me lekët e taksapaguesve shqiptarë po luhet sikur të ishin mall pa zot.

Çmenduria   

E gjitha kjo që po ndodh me banorët e lagjes nr. 5, ose të rrugës “Don Gjon Buzuku”, është një çmenduri e vërtetë, thonë Petrit Xhelollari dhe Agim Tefiku. Allishverishet e njerëzve të Qeverisë dhe të Bashkisë Korçë nuk kanë as fund, as anë. Njerëzit po ndihen të lodhur, të dëshpëruar dhe të pashpresë. Gjithçka që po ndodh është një dallavere e madhe. Së pari, çmimet për shitblerjen e trojeve janë përcaktuar më të ulëtat vetëm për lagjen tonë, krahasuar këto edhe me lagjet e tjera me të cilat kufizohemi. Së dyti, transparenca e këtij procesi mungon totalisht, marrja e informacionit dhe pajisja me dokumentacion nga ana e Bashkisë Korçë është bërë shumë e vështirë. Së treti, edhe pse që nga fillimi i këtij procesi e deri më sot ka kaluar shumë kohë, në banesat tona nuk ka ardhur askush, edhe pse kërkuam që të ngriheshin komisione e verifikimet të bëheshin në terren. Së katërti, projekti i ashtuquajtur i rrugës “Don Gjon Buzuku” ka ndryshuar tri herë me radhë, në fillim nuk prekej asnjë nga banesat tona. Në  ndryshimin e dytë, projekti kërkonte prishjen e disa shtëpive, ndërsa në ndryshimin e tretë do të prishen, (siç dihet tashmë), 28 banesa. Së pesti, dëmshpërblimet për të gjithë ata që nuk kanë njohje me njerëzit e qeverisë kanë qenë minimale, ndërsa për të gjithë ata që janë “miq” e “shokë” me ta, kanë përfituar edhe shpërblime plus. Siç e thamë edhe më sipër, disave u shtohen kate e troje e disa të tjerëve u pakësohen edhe pse i kanë të legalizuara. Shtëpia ime, thotë Petrit Xhelollari, me çmimet e tregut, kushton 1 milion e 300 mijë euro. Vetëm sikur të ta dhurojnë një banesë të tillë çmendesh, por kur vjen INUK-u e ta prish?! Po kur të dëmshpërblejnë me një shumë qesharake?! Po kur i vënë ruspën gjithë mundit dhe sakrificës së jetës në emigracion dhe nuk të japin atë që të takon realisht?! E gjitha kjo është çmenduri.

 E vetmja shpresë, Ambasada Amerikane

 Për shumë prej banorëve të rrugës “Don Gjon Buzuku” e vetmja shpresë për ta ka mbetur Ambasada Amerikane në Shqipëri. Për këta arsye ata do t’i drejtohen së shpejti edhe kësaj ambasade, ku mes të tjerash do t’i bëjnë të ditur se ecura e këtij procesi nuk ka qenë sipas procedurave ligjore. Edhe kur i ankohen kryetarit të Bashkisë Sotirq Filo për mosngritjen e komisioneve,  përgjigjja e tij është: “Komisionet u ngritën dhe ato shkuan shtëpi më shtëpi”. Atëherë, si është e mundur që askush nga ne nuk i pa kur ata na erdhën në shtëpi?! Paradokset nuk përfundojnë këtu. Korça është e ndarë në 4 zona kadastrale, por vetëm zona jonë, shprehen banorët, ka çmimin me të ulët, 7.535 lekë për metër katror, edhe pse gjendet në qendër të qytetit. Pse ndodh kështu?! Askush nuk na jep përgjigje! Tashmë po na kërkohet të dalim në rrugë pa marrë as lekët e dëmshpërblimit. Po ku të shkojmë? Askush nuk na sqaron. Ku do të strehohemi, jemi familje me pleq dhe fëmijë të vegjël? Dhe përsëri asnjë përgjigje. Atëherë, të vjen të bërtasësh sepse je në të drejtën tënde legjitime e të pyesësh me zë të lartë, a ka institucione ky shtet?! Dhe e vërteta është se gjithçka po realizohet në terr të plotë dhe fshehtësi, ndaj kemi vendosur që, përveç Prokurorit të Republikës, t’i drejtohemi edhe Ambasadës Amerikane. Për shkrimin dhe dërgimin e kësaj letre deri tani kanë firmosur 17 familje.

 Asnjë avokat nuk na merr në dorëzim!

Pyetjes tonë përse shpresat i kanë varur vetëm te Ambasada Amerikane, banorë të rrugës “Don Gjon Buzuku” na sqaruan se tashmë i kanë humbur shpresat te qeveria shqiptare dhe institucionet e saj. Pse ka ndodhur kështu? Përgjigjja është kjo: shumë prej tyre kanë dashur të nisin procese gjyqësore në lidhje me procedurat ligjore të ndjekura nga Bashkia e Korçës,  por në të vërtetë asnjë avokat i qytetit Korçë nuk u tregua i gatshëm të bëhej pjesë e proceseve të tilla gjyqësore, pasi kishin bindjen se nuk mund të fitohet dot përballë shtetit edhe kur qytetarët kanë të drejtë. Të njëjtën përvojë kanë pasur edhe Petrit Xhelollari, Agim Tefiku e të tjerë. Për këtë arsye, ata kanë qenë të detyruar të kërkojnë ndihmën e avokatëve jashtë rajonit të Korçës. Vetë arrestimi i paligjshëm i Xhelollarit, (dhe i provuar si i tillë edhe nga Gjykata e Korçës), tregon qartë se përballja me shtetin është e vështirë edhe kur kërkon ndihmën e organeve të drejtësisë. Për këtë arsye, Ambasada Amerikane ka mbetur shpresa e vetme e tyre, pasi në të kundërtën do të jenë të detyruar të marrin arratinë drejt shteteve të tjera, ashtu siç po ndodh sot me kosovarët. Jeta në Shqipëri po bëhet e vështirë, gjë që e tregoi (siç thamë edhe më sipër) dhe arrestimi i paligjshëm i Xhelollarit. Çfarë mund të ndodhë më shumë se kaq, kur edhe qeveria sillet si biznes privat?! Kjo është dhe arsyeja pse sekserët e ndërtimit kanë mësyrë në lagjen më të vjetër të Korçës për blerjen e banesave private dhe të trojeve sepse e dinë mirë që përfitimet do të jenë të mëdha, mjaftosh të kesh njohje me qeveritarët. Ata mund të të shtojnë edhe një kat, edhe pse në hipotekë nuk ekziston një gjë e tillë

 Nga vepror Hasani