Petrit Velaj Kaninjoti ka ruajtur lirinë nën trysninë e draprit dhe çekanit

1132
Nga Enver MEMISHAJ
Mos pyesni si vdiq Petrit Velaj, por tregoni si rrojti ai, se jeta e tij qe shembulli i një luftëtari dhe qëndrestari antikomunist. Atë nuk e mposhtën 37 vite burgimi dhe 5 vite internimi.
Petrit Velaj Kaninjoti, një nga burrat më të nderuar të Vlorës, kaloi në amshim më 11 shtator të vitit 2017. U shkëput nga radhët e burrave që i japin emër vendlindjes, një personalitet si ai, shembulli i një luftëtari antifashist, luftëtari antikomunist, qëndresatar në burgjet e zeza komuniste, njeriu që i ngriti aktakuzën sistemit diktatorial komunist, aktivist i shquar shoqëror, i pa lodhur si agjitator dhe propagandist kundër sistemit diktatorial, publicist, botues i veprave me kujtime të vlefshme. Një personalitet të tillë është vështirë t’ia paraqesësh publikut brenda kufijve të një artikulli të vetëm, pasi ka aq shumë për të treguar për jetën dhe veprën e tij, sidoqoftë ky artikull le të shërbejë për të tërhequr vëmendjen e botës shqiptare që heshti para humbjes së një personaliteti të tillë si Petrit Velaj. Petrit Velaj kishte lindur në vitin 1924, në Ujë të Ftohtë të Vlorës, ku kishte pronat Ahmeti babai tij nga Kanina. Petriti rrojë gjatë plot 93 vjet, por jeta e tij qe një luftë e vërtetë, sapo la pushkën me të cilën kishte luftuar kundër fashizmit në radhët e Ballit Kombëtar si udhëheqës i rinisë prandaj që gjatë luftës komunistët e kishin dënuar me vdekje. Në kohë paqeje komunistët i vunë prangat dhe e mbajtën 20 vjet në burg. U lirua në vitin 1965 dhe e internuan. Në vitin 1972 e dënojnë për herë të dytë me 10 vjet burg. Në burg ridënohet dhe kështu ai vuajti si askush tjetër plot 37 vjet burg dhe 5 vjet internim. Doli nga burgu i tretë në vitin 1989. Vuajtja e burgut nuk e mposhti, duket sikur e forcoi më shumë këtë burrë të Vlorës e për këtë flet jeta e tij e gjatë. Në kujtimet e tij të botuar në dy vëllime “Një dritare burgu” në vitin 1994 dhe “Nga prangat në demokraci”, në vitin 1996, sponsorizuar nga vlonjati patriot Pëllumb Shehaj. Në veprat e tij autori tregon jo vetëm vuajtjet e burgut në Burrel dhe në të gjitha kampet e përqendrimit komunist, por e veçanta e veprës së tij është se ai përshkruan qëndresën e patriotëve shqiptar në burgjet e zeza të Hysni Kapos, Koçi Xoxes e Kadri Hazbiut. Duket sikur vepra e tij nuk flet për vuajtjet dhe qëndresën e tij, por për të gjitha ata patriot shqiptar antikomunist që dergjeshin si ai, nëpër burgje dhe kampe përqendrimi komunist. Pra pjesa më e madhe e veprës së tij flet për shokët e prangave e kjo është vlera e veprës së tij. Të dy librat e tij përbëjnë një enciklopedi të vlefshme të vuajtjeve dhe tmerreve që hoqën shqiptarët nën regjimin diktatorial komunist. Petriti na jep shembuj të shumtë të krimeve dhe terrorit komunist, shembuj me emra dhe mbiemra, me data dhe vendin ku ka ndodhur ngjarja, sepse ai do të nxjerrë në pah ideologjinë terroriste, çnjerëzore të komunistëve shqiptarë që mbi çdo gjë, familjen dhe atdheun vinin partinë. 

“Më 16 tetor 1943 në Tragjas, shkruan Petrit Velaj, u goditëm pabesisht nga forcat komuniste… Komunistët po digjnin shtëpitë e ballistëve të fshatit… Midis flakëve e krismave të mitrolozëve dëgjuam ulërimën e grave. Studenti i Normales së Elbasanit Lufter Hoxha me një pishë në dorë nxori zvarrë gratë nga shtëpia e babait të tij Tahir Hoxhës dhe i vuri flakën, sepse babai ishte ballist…” 

Këtë akt çnjerëzor komunist e ka përshkruar edhe Lirin Hoxha, djali vogël i Tahir Hoxhës: “Më 16 tetor 1943, shtëpitë e Tahir Hoxhës, ballist, në Fushën e Tragjasit u goditën befasisht nga partizanët nga Kalaja e Tragjasit. Për fat të keq, në djegien e shtëpive morën pjesë edhe fëmijët e tij komunistë”. 

Më tutje Petriti vazhdon: 
“Kur unë do të dilja para gjyqit, prokuror do të kisha të birin e ballistit Tahir Hoxha, komunistin Lufter Hoxha që kërkoi dënimin tim me vdekje. Në qelinë e burgut isha lidhur së bashku me Tahir Hoxhën, babanë e Lufterit, i cili më tha: “Më vjen keq more bir që të dënuan kaq shumë”. “Zoti Tahir , ia ktheva unë, Petritër ka plot Shqipëria, por uroj që Shqipëria të mos ketë Lufterë…!” 

Në kujtimet e tij zënë vend një mori personazhesh të kohës së luftës dhe të kohës së paqes. Kështu p.sh ai tregon për arrogancën e kriminelëve Hito Çko dhe Qatip Dervishi, ndërsa në pyetje e mori Namik Cakrani që kishte për grua kushërirën e parë të Petrit Velajt. Ishte po ky Namik Cakrani që kishte dënuar babanë e tij ballist me vdekje, ndaj edhe unë nuk mund të prisja gjë prej tij. 

“Drejtor të burgut, shkruan më tej ai, ishte Muço Maska nga Kropishti, një injorant dhe zemërzi. Ky komunist na u pështiros, pasi e shihnim me sytë tanë si plaçkitës së të burgosurve që pushkatonte… Kështu ndodhi edhe me orën e florinjtë të xhepit të Hamdi Çepratit. Pasi i mori sahatin Hamdiut, kur e pushkatuan, e tregonte në oborrin e burgut…” 

Një vend të veçantë zënë shokët e tij të prangave si Bego Gjonzeneli, Maliq Koshen, Stiliano Gaxho, Tahir Hoxha, Kamber Durmishi, Mustafa Mysliu, Hamdi Gjoni… Bedri Spahiu, Patër Meshkalla, shokët që kishte punuar bashkë me ta për përkthime, Kudert Kokoshi, Arqile Tasi, Foto Bala, Pjetër Arbnori e shumë të tjerë. 

Në librin e dytë “Nga prangat në demokraci”, ai ndalet në portretet e shumë personazheve historik të kohës së luftës dhe të kohës së paqes si Tol Arapi dhe djali tij Vllas Arapi, Qazim Kokoshi, Hysni Lepenica, Skënder Muçua etj. Gjithashtu ai jep një histori të shkurtër të Ballit Kombëtar të Vlorës dhe përshkruan Shoqatën Atdhetare e Kulturore “Ismail Qemali” 

Amaneti vëllait të tij Hulusi Velaj i pushkatuar nga komunistët e ndoqi nëpër qelitë e errëta komuniste: “Më mirë të dalësh që këtij një kufomë e vdekur, por e ndershme…” 

* * *
Në vitet e demokracisë, Petrit Velaj, rilindi me energji të pashtershme, ishte një aktivist i shquar shoqëror, themelues dhe organizator i Shoqatës së të Burgosurve Politikë, i Partisë Balli Kombëtar, i Shoqatës “Kanina”, por veçanërisht ai dha kontribut në Shoqatën Kulturore e Atdhetare “Ismail Qemali”, në të cilën deri në fund të jetës së tij mbajti vendin e nënkryetarit, kur kryetar ishte personaliteti i shquar, “Mjeshtri Madh”, prof. dr. Bardhosh Gaçe dhe kryetare nderi personaliteti i shquar i kulturës sonë kombëtare Nermin Vlora Falaski.

Unë e njoha Petrit Velaj në dhjetor të vitit 1990, për njohjen tonë ai shkruan: “Ato ditë dhjetori 1990, një kushëriri im më lajmëroi se po më kërkonin në Vlorë. Vajta dhe takova miqtë e mi Hysni Alimerko e Burim Kokoshi. Biseduam edhe për organizimin e të përndjekurve politikë. Më erdhën në shtëpi përfaqësuesit e Partisë Demokratike të Vlorës: Afrim Jupi, Aleks Tahiri, Enver Memishaj. Mora pjesë në demonstratat e mitingjet që u organizuan në qytetin e Vlorës në Sheshin e Flamurit” Kështu Petrit Velaj ishte zgjuar nga errësira e burgjeve dhe ai doli në vijën e parë të luftës, punës dhe përpjekjeve për të përmbysur diktaturën komuniste. Jam krenar që pata një mik si ai, jam krenar që në udhën e demokracisë eca me një atdhetar e luftëtar të pa mposhtur për liri e demokraci. Ai ishte i gjallë e optimist një cilësi që siç thotë ai i kishte vënë re edhe ajo patriotja dhe luftëtarja e madhe Musine Kokalari, e cila i kishte thënë: 

“Më pëlqen optimizmi yt. Ky optimizëm është ushqim i madh shpirtëror për ty”. 

I tillë ishte Petriti me fjalën dhe mendimet e tij ta bënte diell edhe kur kishte ngrica. 
Me Petrit Velajn kalova 27 vjet të jetës sime, por edhe kjo pjesë e jetës në Luftë, në përpjekje, në mos kuptime e keqkuptime, në agjitacion dhe propagandë, jo me njeri tjetrin, por me bashkudhëtarët tanë, me shokët e idealit, por edhe me kundërshtarët tanë komunistë apo siç u quajtën më vonë socialistë. Ku s’kemi shkuar e ku s’kemi vajtur me Petritin, në fshat e në qytet, te fshatari e te intelektuali. I tillë ishte Petrit Velaj, i pamposhtur para asnjë vështirësie. Ndërmjet shumë takimeve ai flet për takimin e pa harruar që organizoi prof. dr. Bardhosh Gaçe në krye të Shoqatës “Ismail Qemali”, për t’u takuar e biseduar me të paharruarën Nermin Vlora – Falaski në Dhërmi. “Së bashku me Bardhosh Gaçen, Skënder Zogën, Hamza Morinën, kosovar, Enver Memishaj, Liljana Gjikën, e ndonjë tjetër po shkonin drejt Dhërmiut për t’u takuar me zonjën Nermin Vlora. Na priste në hollin e hotelit të ri. Takimi ishte i bukur dhe interesant”. 

* * * 
Edhe unë kam kujtime të pa shlyera nga ai takim me atë grua që rrezatonte një bukuri mahnitëse, por në shpirt dhe në mëndje ajo shkëlqente më shumë, por cilësia që e bëri të dashur dhe të respektuar për ne ishte dashuria që ajo kishte për Shqipërinë dhe gjyshin e sajë, babain e kombit shqiptar, Ismail Qemalin. 

Në vitin 1994, kur botoi librin isha nga të parët që ma dhe me dedikim: “Ia dhuroj si kujtim mikut tim të dashur z. Enver Memishaj, atdhetarit dhe demokratit të palodhur për çështjen kombëtare. Me ndjenjën e respektit Autori, firma”. 

* * * 
Janë të shumtë personalitetet që kanë folur e kanë shkruar për veprën jetësore të Patrit Ahmet Velaj. Brenda kufijve që na lejon artikulli po përmendim disa prej tyre: 

Nermin Vlora Falaski, që ka bërë edhe parathënin e librit të parë ndërsa Fatos Arapi është redaktor, e ka portretizuar Petrit Velajn me këto fjalë:

“Petrit Velaj është ai që ka ruajtur lirinë, duke mbetur i lirë në konditat e atij njeriu që e ka kaluar pjesën më të madhe të jetës së tij i shtrydhur midis draprit dhe çekanit… është ai që ka ditur t’i numëroi yjet në errësirën e burgut… është ai që ka përvetësuar rrezet e diellit me telepatinë e ngjyrimeve emocionale… është ai që ka lindur i lirë dhe ka mbetur i lirë… është ai që do të jetë i lirë përgjithmonë”. 

Avokati njohur Spartak Ngjela shkruan me dashuri:
“Është nder për mua që më jepet rasti të flas për Petrit Velajn… Mirënjohje ndaj tij për optimizmin që e ka karakterizuar gjithmonë… Ai dinte të bënte analiza të sakta… Ideali pastër i kishte mbetur i pa prekur dhe kultura e shëndoshë që ka në sensin human e kanë prurë në objektivitetin historik në trajtimin e fenomeneve. Ishte optimist por ngaherë këtë optimizëm nuk e ka lidhur me fatin e tij por me fatin e gjithë shoqërisë. Kam njohur tek ai demokratin e vërtetë që respekton mendimin e kundërt.” 

Agim Musta shoku i prangave shkruan:
“Asnjëherë s’e pashë të vërejtur, por gjithmonë buzagaz e optimist. Përherë të gatshëm për të ndihmuar bashkëvuajtësit rinj, për të njohur kulturën evropiane dhe të vërtetën e tragjedisë së jetës shqiptare. Midis të burgosurve ishte simbol për forcën e vullnetit dhe për energjinë e pashtershme.”

Poeti dhe shkrimtari Visar Zhiti: 
“Petrit Velajn e kujtoj si patriot të përflakur. Ishte njohës i historisë së popullit të vet. Edhe sot ia dëgjoj zërin kumbues kur fliste për Kosovën e Çamërinë, tradhtinë që iu bëri atyre komunizmi”.

Shkrimtari Shefqet Tigani:
“Një jetë e tërë e kaluar në skëterrë, në tortura dhe presione psikologjike demoniake. Ai nuk u përkul, nuk u mposht. Sot është krenar në ditët e demokracisë, vital, energjik, i kudondodhur, me shokë, miq e të afërm”.

Shkrimtari Faruk Myrtaj: 
“Petrit Velaj është njeri nga Mandelët e Shqipërisë… Nuk mendon për hakmarrje por për drejtësi… Dje atdheu e thirri nën armë, sot ai është thirrur nën penë me kushtrimin qytetar të këtij profesioni. Këtij populli i duhet publikuar humanizmi i Petrit Velajt… Në fund të fundit ky është misioni i të urtëve, i atyre që kanë pranuar të vihen nën penë…”. 

Pas vitit 1990 Petrit Velaj u vlerësua dhe u dekorua nga Presidentët e Shqipërisë si luftëtar antifashist, si qëndrestar antikomunist dhe si aktivist i shquar shoqëror.
Sigal