Petrit Vasili sfidon Ramën dhe Bashën: Ejani të përballemi në debat

549
Lëvizja Socialiste për Integrim organizoi një takim madhështor në Shkodër, prezantohen kandidatët për deputet të LSI në qarkun Shkodër 
Lëvizja Socialiste për Integrim organizoi një takim madhështor në Shkodër, ku u prezantuan kandidatët për deputetë të LSI në qarkun Shkodër. Në takimin ku ishin të pranishëm mijëra qytetarë shkodranë morën pjesë Kryetari i LSI-së, Petrit Vasili, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, kandidatët për deputetë, Agron Çela, Dritan Ylli, Amra Barova, Sajmira Laçi, Ridvana Rrukaj, etj. Në fjalën e mbajtur parë shkodranëve, Kryetari i LSI-së, Petrit Vasili shprehu bindjen se LSI forcë e parë do të thotë drejtim i ri për vendin dhe do të thotë një Shqipëri që ka mirëqenie dhe u jep mundësi të rinjve ta shohin të ardhmen në atdheun e tyre. “Drejtim i ri do të thotë për të gjithë sipërmarrësit e shkëlqyer të Shkodrës më pak taksa, tre herë me pak taksa dhe shumë më tepër punësim. Punësim për njëqind mijë të rinj, njëqind mijë familje shqiptare do të kenë gëzim në gjirin e tyre. Do të thotë drejtim i ri, që të kemi gjithmonë e më shumë njerëz që bëjnë biznes të ndershëm dhe që i largohen atyre që janë të intrigave, gjobave dhe të gjithë maskarallëqeve të tjera, që pushtetet e vjetra kanë bërë dhe duan të bëjnë me ta”, – tha z. Vasili, duke sfiduar kryetarët e PD dhe PS në një debat publik. 

“Unë jam këtu nga Shkodra, nga ky shesh burrash, të ftoj këta dy rilindasit e tjerë, le të përballen në një debat ku të duan ata, dhe të vëmë planin tonë për Shqipërinë, që i hap perspektivë gjithë njerëzve të lirë dhe këtyre për planin e tyre për oligarkinë, pasi në 25 qershor, në 25 qershor, në Shkodër dhe në gjithë Shqipërinë duhet përqasur himni i gëzimit dhe jo poema e mjerimit”, – deklaroi Kryetari i LSI-së.
Meta: LSI forcë e parë, Shqipëria s’ka kohë për të humbur me Tomin e Xherrin
“Para dy vitesh Lëvizja Socialiste për Integrim doli forcë e dytë në Shkodër. Sot, rinia e Shkodrës e ka marrë vendimin: LSI-ja forcë e parë!”, kështu deklaroi nga Shkodra kryetari i Kuvendit Ilir Meta, njëherësh president i zgjedhur. Forcë e parë, -tha ai, sepse Shkodra dhe Shqipëria nuk ka më kohë për të humbur me Tomin dhe me Xherrin. “Forcë e parë, sepse socialistët dhe demokratët kanë vetëm një adresë, Lëvizjen Socialiste për Integrim. Forcë e parë, sepse çdo demokrat në Shkodër, midis Edi Ramës dhe Petrit Vasilit, zgjedh Petrit Vasilin për Kryeministër. Forcë e parë, sepse çdo socialist, midis Lulzim Bashës dhe Petrit Vasilit, zgjedh Petrit Vasilin për Kryeministër. Forcë e parë, sepse Shkodra dhe gjithë Shqipëria ia piu lëngun Tomit dhe Xherrit! Nuk ka më kohë Shqipëria, nuk ka më kohë Shkodra për të humbur me këta karagjozë. Nuk ka më kohë rinia e Shkodrës dhe e Shqipërisë për t’u besuar të pabesëve. Prandaj, vota më 25 qershor do të jetë për rininë dhe kundër oligarkisë. Prandaj, vota më 25 qershor do të jetë për ata që duan një shans për të gjithë shkodranët dhe për të gjithë shqiptarët. Dhe jo për ata që duan t’i japin në mënyrën më të errët dhe më jotransparente të gjitha pasuritë natyrore të shqiptarëve me koncesion. Do të jetë një votë kundër atyre që nuk veprojnë në interes të rinisë, por të mafies italiane dhe evropiane për ta kthyer Shqipërinë në një gropë të mbetjeve të rrezikshme të Italisë dhe të Evropës.

Sepse rinia e Shkodrës dhe e Shqipërisë kërkon një Shkodër dhe një Shqipëri që të zhvillojë turizmin, që të zhvillojë bujqësinë, që të zhvillojë shërbimet, që të hapë vende të reja pune”, -tha Meta. Më tej ai shtopi se është mision i çdo shkodrani që ndihet i papërfaqësuar dhe i tradhtuar, është votë e çdo shkodrani që nuk do që Shkodra dhe Shqipëria të braktiset nga rinia, nga e ardhmja jonë. Prandaj të gjitha votat për Lëvizjen Socialiste për Integrim. Ilir Meta deklaroi se Shkodra ka kontribut historik, përcjellë demokracinë dhe do të ketë rol madhështor më 25 qershor për triumfin e demokracisë. Ai bëri thirrje që të gjitha votat më 25 qershor të shkojnë për Lëvizjen Socialiste për Integrim, për Agron Çelën, Dritan Yllin, për Amrën, Ridvanën, për të gjithë kandidatët tanë të mrekullueshëm. 
Sigal