Petrit Sinaj: Aleksandër Rrapi, “Nderi i Qytetit” të Beratit

1062
Sigal

Aktori Aleksandër Rrapi, “Qytetar Nderi” i Beratit

 

Adriatik Mema

 

Në sallën e konferencave të bashkisë u organizua dje ceremonia zyrtare e dhënies së titullit “QYTETAR NDERI”, aktorit të mirënjohur beratas, z. Aleksandër Rrapi. Për kontributin dhe arritjet e tij në kinematografinë shqiptare dhe atë të shtetit fqinj, Greqisë, interpretimet me mjeshtëri të lartë artistike të roleve në skenën e teatrit grek, pjesëmarrjet në festivalet ndërkombëtare të teatrit, por edhe si Ambasador i Paqes, duke dhënë një kontribut të çmuar në forcimin e miqësisë, si dhe të bashkëpunimit të ndërsjellë kulturor midis Shqipërisë dhe Greqisë, Këshilli Bashkiak i Beratit i akordon z. Aleksandër Rrapi titullin “QYTETAR NDERI” i Beratit.

Merrnin pjesë në këtë ceremoni përfaqësues të institucioneve vendore, të forcave politike, të komuniteteve fetare, artistë, intelektualë, qytetarë etj. Ishin të pranishëm gjithashtu aktori i humorit, Agron Llakaj, aktorët Jorgaq Tushe, Anila Bisha, këngëtari Ylli Bakaj, miq dhe të afërm të aktorit. Në përshkrimin e biografisë së Aleksandër Rrapit, drejtuesi i kësaj ceremonie, Kadri Kuka, prezantoi përpara të ftuarve të kësaj ceremonie përmes një videoklipi një mori rolesh të interpretuara prej tij, që nga telenovela greke “Dashuria erdhi nga larg”, tragjedinë e Euripidit “Eleni”, komedinë e Sofokliut “Irini”, telekomeditë “Tilebora”, “Polikatikia””Nerajadha” etj. e deri te filmat “Askushi”, “Amnistia” etj. Pas prezantimit të jetëshkrimit të z. Rrapi, drejtuesi i ceremonisë fton Kryetarin e Bashkisë, z. Petrit Sinaj, bashkë me Kryetaren e Këshillit Bashkiak, znj. Nikoleta Manka, t’i dorëzojnë z. Aleksandër Rrapi titullin “QYTETAR NDERI” i Beratit. Kryebashkiaku Sinaj në fjalën e tij përshëndetëse vlerësoi figurën e aktorit beratas në fushën e kinematografisë, ku përmes roleve të spikatura, mjeshtërisë artistike të interpretimit, ai ka mundur të gdhendë tipa e karaktere, të cilat do të mbeten si pjesë e çmuar e trashëgimisë sonë kulturore. Ajo që Aleksandri ka bërë me veprën e vet, – tha midis të tjera Kryebashkiaku Sinaj, – na bën të ndihemi krenar që një banor i këtij qyteti lë gjurmë në një skenë si skena greke, apo përtej saj, kudo që ai jeton e punon, duke promovuar vlerat e traditës, të artit dhe të kulturës së qytetit tonë. Aktori Aleksandër Rrapi në fjalën e tij, përmes emocioneve, pasi shprehu falënderimet e tij për Këshillin Bashkiak dhe për Kryetarin e Bashkisë për vlerësimin që i bëjnë, tha se ndihej i privilegjuar që qyteti i tij i jepte një titull të tillë, duke dëshmuar edhe njëherë dashurinë e tij për artin, trashëgiminë dhe kulturën. Në fund të ceremonisë, për të pranishmit u shtrua një koktej.