Petrit Nika: Kur Bibliotekën e ndjen “shtëpinë” e librit

559
Sigal

 Petrit Nika, drejtuesi i ri i Bibliotekës Publike, Fier

Studiuesi dhe krijuesi Petrit Nika, tashmë si një menaxher drejtues i bibliotekës publike të qytetit të Fierit, në intervistën për “Telegraf”, duke pohuar se cili është roli sot i bibliotekës, në këtë botë të dixhitalizuar,  evidenton problemet dhe shqetësimet për librin, për letërsinë, interesin e lexuesve. Si një kritik i mirëfilltë, zoti Nika zbardh edhe debatin e tij publik, rreth polemikës Kadare-Qose, duke pohuar përse i dha të drejtë Kadaresë.

– Zoti  Nika, cili është sot roli i bibliotekës publike?

– Bibliotekat publike të qyteteve, u shërbejnë publikut të vet taksapagues. Përveç këtyre, bibliotekat publike hartojnë projekte për rinovimin dhe pasurimin e fondeve në mënyrë sistematike, si dhe luajnë rol promovues dhe bashkëpunues me lexues, krijues dhe studiues të ndryshëm me interes komunitar dhe mbarëkombëtar.

– Cilat janë  problemet e institucionit të bibliotekës?

– Janë probleme të mprehta që kanë të bëjnë me kulturën tonë kombëtare dhe në veçanti me promovimin dhe integrimin e letërsisë së re. Fatkeqësisht këto probleme jo vetëm nuk kanë gjetur zgjidhje në vite, por mund të them se sot, gjërat kanë shkuar drejt një pike akoma më kritike. Problemet ekonomike, që po kalojmë, janë edhe për ne një problem kyç, që e bën paksa të turbullt vizionin e së ardhmes, por kemi shpresë se gjërat do shkojnë mirë.

– Sa lexohet libri sot dhe sa është interesimi i lexuesve të jenë miq të Bibliotekës?

-Po ta shohim në një prizëm të gjerë problemin, në fakt numri i miqve të librit sa vjen dhe bie kudo. Problemi ka të bëjë me investimet dhe politikat e munguara për funksionimin e instancave publikuese dhe promovuese. Një aspekt tjetër mbetet mungesa e mediumeve letrare dhe e kritikës letrare. Edhe në shtypin e përditshëm, pak vend i kushtohet zhvillimit të letërsisë dhe studimit të saj, madje edhe ky shërbim i vogël bëhet pothuaj në mënyrë klienteliste, me përzgjedhje sipas tahminit personal apo ndikimeve nga njerëz me pushtet. Një sfidë tjetër e librit sot mbeten edhe media dixhitale dhe interneti, të cilat mëtojnë të krijojnë një publik me interesa imediate dhe argëtuese, më tepër sesa formuese dhe edukuese. Kjo është një sfidë e madhe për librin në kohën tonë. Pavarësisht këtij fenomeni të pranishëm kudo, në Bibliotekën e Fierit, sipas statistikave numri i anëtarësimeve ka shënuar rritje të ndjeshme nga viti në vit. Sidomos, që nga viti 2000, kohë kur biblioteka është rikonstruktuar dhe shërben me fonde të hapura. Edhe gjatë muajit gusht, ka patur një interesim përgjithësisht të kënaqshëm

Cilat janë disa nga planet tuaja për riorganizimin e këtij institucioni?

– Biblioteka e Fierit e ka krijuar prej kohësh traditën e vet dhe them se duhet vetëm të organizohet. Godina e saj është një objekt i rikonstruktuar totalisht në nëntor të vitit 2000, duke i dhënë bibliotekës formën e saj moderne që ka sot. Për ta përmirësuar shërbimin dhe fondin e saj, së bashku me stafin tim të specialisteve përkatëse për çdo sektor, do punojmë maksimalisht. Do shfrytëzojmë çdo praktikë legjitime për pasurimin akoma më tej të kësaj biblioteke, qoftë përmes fondeve që burojnë nga Bashkia Fier, e cila e ka nën vartësi institucionin, qoftë nga donatorë, qoftë nga ndërkëmbimet me biblioteka të tjera në Shqipëri, Kosovë, apo në vende të tjera të botës. Krahas shumë shkollave, në Fier ushtrojnë veprimtarinë e tyre aktualisht dhe dy universitete të rëndësishme private, kështu që ne do përpiqemi që studentit fierak të mos i mungojnë edhe botimet universitare e akademike bashkëkohore, qoftë në gjuhën shqipe, qoftë në gjuhën e huaj. Krahas shërbimit të zakonshëm të librit dhe shtypit të shkruar, ditor apo periodik, ne ofrojmë edhe shërbime të tjera kulturore e arsimore për qytetarët, siç është shërbimi i internetit falas, aktivitetet e ndryshme përkujtimore dhe promovuese, kurse periodike të gjuhës angleze falas për nivele të ndryshme të nxënësve etj. Së shpejti do të inkuadrohemi në uebsajte dhe jo shumë larg do punojmë qe të kemi faqen tonë zyrtare online. Kjo i shërben promovimit të vetë institucionit tonë për lidhje dhe bashkëpunime me krijuesit dhe studiuesit, si dhe me donatorë dhe bashkëpunëtorë kudo në botë. Në axhendën tonë të bashkëpunimit do jetë çdo institucion, apo individ dashamirës ndaj shkencës dhe kulturës. Në kuadrin e këtij bashkëpunimi besoj se do sjellim në tryezën e diskutimit në sallën e kësaj biblioteke sa më shumë forca krijuese, që nga lokalët e deri tek personalitetet më të njohura të letërsisë dhe mendimit shqiptar në botë, siç janë Ismail Kadareja, Dritëro Agolli, Rexhep Qosja, Sabri Hamiti etj..

Ju përmendët Kadarenë dhe Qosen, për të cilët thoni se do t’i planifikoni për ftesa bashkëpunimi në planet tuaja të së ardhmes. Para ca vitesh vetë ju keni mbajtur një qëndrim mbrojtës ndaj Kadaresë gjatë debatit të njohur mediatik Qose – Kadare. Keni ndryshuar mendim?

– Jo, nuk është se kam ndryshuar mendim dhe nuk është çështje preferencash, pavarësisht se unë ruaj konsideratën time të lartë ndaj aktivitetit letrar e kulturor të secilit prej tyre. Asokohe ndjeva njëfarë shqetësimi, ngase debati u ashpërsua shumë dhe Kadare u vu nën sulmin e shumë personave, që ishin, apo me dëshmitë e tyre u bënë papritur mediatikë. Atëherë botova në një të përditshme, shkrimin “Bubullima e gjatë e një vjeshte pa shi”, ku theksova negativitetin e një debati të tillë aq të ashpërsuar.. Fakti që përgjatë atij debati të gjatë, i cili në njëfarë mënyre ende nuk është mbyllur, mbajta qëndrim mbrojtës ndaj Kadaresë, edhe po ta shohësh në aspektin personal, nuk do të thotë se Qosen nuk e dua dhe nuk e çmoj për kontributin e tij në fushën e filologjisë shqiptare. Për mua asokohe qëndrimi i Qoses nuk duhet të shkonte drejt një ashpërsimi kritik të tillë, për shumë arsye që nuk lidhen vetëm me Kadarenë.

– Përse sot kemi pak studime të mirëfillta?

– Për shkak të përmbysjes së rendit të gjërave. Atje ku i takon të jetë libri, është surrogatoja e tij. Atje ku i takon të jetë kultura, është interesi meskin antikulturë. Atje ku i takon të jetë mediumi i selitjes së mendimit letrar e kritik, është komercialiteti dhe shou-bizi. Atje ku i takon të jetë studiuesi, është pseudostudiuesi, që mëton t’i bëjë të gjitha. Ata që kanë mundësi të bëjnë kritikën letrare nuk munden. Dhe ata që munden nuk dinë. Ose , ose, që është edhe më keq akoma, këta të fundit i bëjnë problemet edhe më të koklavitura nga sa janë, duke iu bindur instinktit jetik dhe jo arsyetimit të shëndetshëm mbi baza të analizës shkencore.

Kritika letrare e re është mbytur nga e vjetra

 – Cilat janë problematikat e letërsisë së sotme shqiptare?

-Problemet e letërsisë së sotme shqipe janë të shumta, madje mbytëse. Mungon vëmendja e përgjithshme, mungojnë investimet për njohjen dhe integrimin e saj në të gjitha aspektet. Nuk ka mediume promovuese për forcat krijuese. Kritika letrare e re është e mbytur nga e vjetra dhe kritika letrare e vjetër mungon edhe vetë në tryezën e debatit. Edhe në rastet kur qaset skithtazi diku, inkurajon atë çka nuk përbën kritikë dhe model për vlerësimin e letërsisë. Habitem kur shoh konsiderata superlative të lëna nga personalitete të njohur si studiues e kritikë me shije, në kopertinat apo shtojcat e librave të personave të ndryshëm, të cilët nuk përfaqësojnë asgjë që të merret në një konsideratë të tillë. Që kjo lloj kritike të shërohet, apo të vdesë fare, duhet dhe një metakritikë energjike. Është duke u kthyer në një letërsi Facebook-u, ku lexuesi të qaset kundrejt kushtit t’i bësh edhe ti një like. Është një situatë tragjikomike, ku secili shfryn në formë dufi, mosvëmendjen e të tjerëve, pavarësisht për qëllime të tija personale, apo bindje dhe parime të përgjithshme.

nga Ilirjan Gjika