Petrit Dervishi:Mbrojtja e Parkut Kombëtar detar Sazan -Karaburun

1089
Sigal

Flet Z. Petrit Dervishi, Moderator i projektit “Përmirësimi i efektivitetit të mbulimit dhe menaxhimit të zonës së mbrojtur detare dhe bregdetare të gadishullit të Karaburunit – ishulli i Sazanit” menaxhuar nga UNDP Albania

Projekti “Përmirësimi i efektivitetit të mbulimit dhe menaxhimit të zonës së mbrojtur detare dhe bregdetare të gadishullit të Karaburunit dhe ishulli i Sazanit” është i pari i këtij lloji në Shqipëri, pasi zona ekosistemit natyror detar pranë gadishullit të Karaburunit dhe ishullit të Sazanit është shpallur “Park Kombëtar”. Me VKM Nr. 289, datë 28.04.2010 me propozim të Ministrit të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave (MMPAU), zonë kjo me një sipërfaqe të përgjithshme prej 12 570 ha, nga të cilat sipërfaqe detare 9 848 ha. Projekti ka për qëllim sigurimin e mbrojtjes së biodiversitetit unik bregdetar dhe detar të kësaj zone për brezat e tanishëm dhe të ardhshëm. Në lidhje me këtë Z. Dervishi shprehet: “Objektivi i projektit është të sigurojë ruajtjen e biodiversitetit unik bregdetar dhe detar të kësaj zone, më specifikisht dhe objektivi i drejtpërdrejtë i tij është të përmirësojë efektivitetin e mbulimit dhe menaxhimit të zonës së mbrojtur detare Karaburun –Sazan”.

Nërkaq Z. Dervishi duke bërë një përshkrim të Zonës së Mbrojtur Detare të Projekti të Gadishullit të Karaburunit – Ishulli i Sazanit shprehet se: “Gadishulli i Karaburunit dhe Ishulli i Sazanit karakterizohen nga një diversitet i lartë i peizazheve, me shkëmbinj të lartë dhe të paarritshëm, shpella, kepe, plazhe të vogla dhe gjire (gjiri Bristanit, Dafina, Grama, etj). Këto formacione, tërheqëse për syrin e vizitorit, marrin vlera shtesë nga bimësia e zhvilluar mirë, e cila mbulon pothuajse të gjithë gadishullin e malit të lartë deri në bregdet. Ana perëndimore e zonës Sazan-Karaburun është identifikuar si një fushë prioritare nga shumë dokumente të kohëve të fundit të politikave mjedisore të Qeverisë së Shqipërisë. Programi i Mesdheut ka identifikuar 10 zona mesdhetare detare dhe bregdetare që janë jetike për biodiversitetin. Një prej tyre janë bregdetet dhe ishujt e pjesës lindore të detit Jon (Shqipëri, Greqi). Pyjet në Gadishullin e Karaburunit janë konsideruar si pyjet më të mirë të ruajtur në Shqipëri. Një diversitet i lartë i llojeve të bimësisë karakterizon shpatet e kodrës dhe habitate të tjera të gadishullit dhe të ishullit. Një numër i konsiderueshëm i llojeve bimore tokësore, të cilat i përkasin Librit të Kuq të Florës së Shqipërisë janë të pranishme në këtë zone. Kjo zonë është mjaft e pasur me habitate bregdetare dhe detare. Ne pjesën perëndimore të Ishullit të Sazanit dhe Gadishullit të Karaburunit, në ujërat detare të kësaj zone, është regjistruar prania e breshkave ujore mishngrënëse, delfinit dhe Foka mesdhetare. Prania e tyre është një rast shumë i rrallë, të cilat janë ndër llojet më të kërcënuara në shkallë globale, si dhe shumë lloje të tjera si lloje të ndryshëm peshqish, korale, barërat detar dhe specie të tjera të rëndësishme detare me interes ndërkombëtar, që janë të mbrojtura nga disa konventa ndërkombëtare (Barcelona, Bonn, CITES, Bern).

Në përgjigjje të pyetjes se cilat janë aktivitetet dhe veprimtaritë kryesore të projektit, z.Petrit Dervishi u shpreh se: “Shqipëria është e angazhuar në programin e punës për Zonat e Mbrojtura në kuadër të Konventës së Biodiversitetit, qëllimi i së cilës është të mbështesë krijimin dhe mirëmbajtjen e Zonave Mbrojtëse Detare, kombëtare e rajonale. Projekti që po zbatohet në Parkun kombëtar Detar Karaburun-Sazan është në përputhje të plotë me prioritetet e strategjisë kombëtare për mbrojtjen e biodiversitetit dhe planin e veprimit, cili ka prioritet krijimin e zonave të mbrojtura për të ruajtur biodiversitetin unik detar të Shqipërisë. Në këtë kuadër aktivitetet dhe veprimtaritë kryesore të projektit do të përqendrohen në hartimin e një plani strategjik të zonës së mbrojtur detare, në hartimin e një sistemi monitorues të thjeshtë që do të aplikohet në nivel lokal, në mbështetjen e veçantë të administratës së zonës së mbrojtur detare dhe institucioneve të tjera vendore e OJV-ve etj., për zbatimin e sistemit të monitorimit për kufizimin e ndërtimeve përgjatë bregdetit, ndalimin e zjarreve, peshkimin dhe gjuetinë e paligjshme, ndryshimin e treguesve të ngarkesës turistike etj. Për rritjen e kapaciteteve të menaxhereve të zonës së mbrojtur detare sidomos në menaxhimin e zonës mbrojtur do të organizohen seminare, uorkshope, trajnime, etj..”

Lidhur me mënyrën sesi po implementohet projekti në zonë Z. Dervishi vijon: “Projekti ka nisur me një fazë paraprake studimi, për të vijuar më pas me firmosjen e Memorandumeve të Mirëkuptimit me dy prej institucioneve lokale, Drejtorinë e Shërbimit Pyjor Vlorë dhe Bashkinë Orikum, me qëllim zbatueshmërinë sa më me efikasitet të tij. Por jo vetëm kaq zyra lokale e projektit, që unë përfaqësoj së bashku me Z. Doreid Petoshati i cili është këshilltari lokal i projektit, ka bërë të mundur bashkëpunimin edhe me aktorë të tjerë lokal si autoritetet lokale, Këshillin e Qarkut, Agjencinë Rajonale të Mjedisit Vlore organizatat e menaxhimit të Peshkimit (OMP-të) si dhe një sërë shoqatash mjedisore lokale dhe kombëtare të specializuara për ZMD-të dhe për biodiversitetin detar. Me duhet të theksoj këtu bashkëpunimin e vazhdueshëm me Drejtorin e Shërbimit Pyjor dhe Bashkinë Orikum, por njëkohësisht edhe takimet e zhvilluar në kuadër të një bashkëpunimi reciprok me Drejtorinë e Policisë Kufitare.

Zyra lokale e Projektit vazhdon punën për të bërë të mundur ruajtjen e vlerave unike që ka ekosistemi i kësaj zone. Lidhur me veprimtarit e deritanishme Z. Dervishi shpjegon: “Gjatë kësaj kohe janë bërë të mundur të ngrihen disa mekanizma, të cilat kanë si për qëllim vrojtimin e zonës së mbrojtur, vendosjen e tabelave me qëllim dhënien e informacionit të nevojshëm mbi vlerat e zonës si dhe veçoritë që mbart kjo zonë. Gjatë kësaj kohe vlen të përmendet kontraktimi nga ana e projektit e ekspertëve të njohur kombëtar e ndërkombëtar për të asistuar procesin e hartimit të strategjisë marine si dhe atë të strukturës së administratës së zonave të mbrojtura detare (ZMD)”.

Ndërkohë projekti kërkon gjithashtu të sensibilizojë edhe komunitetin mbi vlerat dhe rëndësinë që mbart kjo zonë. Për këtë arsye së bashku me Zyrën Qendrore në Tiranë dhe të UNDP-së që merret me çështjet mjedisore organizoi në muajin Janar të këtij viti një takim me të gjithë aktorët lokal që interesojnë mjedisit, ku ndau me ta ide për përmirësimin e situatës, preku problematikat e hasura si dhe kërkoi një bashkëpunim në rritje me qëllim parandalimin e të gjitha atyre aktiviteteve të dëmshme për mjedisin e kësaj zone në tërësi si dhe të zonës së mbrojtur në veçanti. Duke falënderuar të gjithë ata që janë pjesë e këtij projekti, në mënyre direkte apo indirekte, Z. Dervishi shpreson se ky projekt është vetëm fillimi i një rruge të gjatë bashkëpunimi me të gjithë aktorët e interesuar.