Petrit BROKAJ/ Kur ata akuzojnë, ju pse heshtni?

64

Kënaqësinë më të madhe e kishin, kur ta dërgonin vendimin për largim nga puna një ditë para Vitit të Ri. E megjithatë ata përsëri flasin, ankohen, denoncojnë. Flasin ata që i nxorën me shqelma punonjëset e Bashkisë në Tiranë, kur sapo e fituan atë.

Këtu në Vlorë ata flasin se e gjejnë terrenin të zbrazur nga reagimet e Degës së PS-së.

 Nuk ka shumë kohë, kur një nga drejtueset e PD-së në Vlorë, në vazhdën e denoncimeve për largimin nga puna të disa militantëve të tyre, doli me një deklaratë, ku derdhte protestën e subjektit të saj politik për disa largime e zëvendësime që janë bërë në kuadrin e reformave që po bën qeveria socialiste për përmirësimin e gjendjes ku e la Sali Berisha këtë vend.

Unë hyj te njerëzit që pak a shumë e njoh punën drejtuese në administratën lokale, njoh edhe problemet që ka Vlora sot, e si i tillë kam vërejtjet e mia për disa nga emërimet që janë bërë. Në mënyrë të përmbledhur, ato kanë të bëjnë me kontribute të pamjaftueshme të disave në fitoren e së majtës, me akroballëqet sa nga një portë partie në tjetrën, me importe shokësh e miqsh, që dikur s´i ka njohur njeri, me të paaftë e pa përvojë, me konkurse formalë e zgjedhje të parapërgatitura, etj. Natyrisht, nënvizoj, se këto vërejte i kam vetëm për disa raste e jo në përgjithësi. N.q.s PD e Vlorës do t´i cilësonte denoncimet e saj me emra e me vende pune, mundet që për disa do të na puqeshin mendimet e do të mendoja se këto deklarata nuk do të ishin sulme politike, por shqetësim i sinqertë qytetar. Zonja që kish marr përsipër detyrën e zëdhënëses, mendoj se e hipokrizonte “shqetësimin” e Partisë, ku bën pjesë. Kjo ka të bëj me faktin, sepse vet ajo, kur u emërua në një vend pune si drejtuese, të parin veprim që bëri ishte largimi dhe zëvendësimi në mënyrë të padrejtë i disa prej punonjësve të asaj qendre. Them në mënyrë të padrejtë, pasi kështu e dha vendimin edhe gjykata, kur e gjykoi. Nuk ishte e vetmja që veproi kështu.

Kur PD mori pushtetin në 2005, e pa penduar se në ç´gjendje e katandisi Shqipërinë deri në 1996 e pa penduar se ç´masakër bëri në zgjedhjet e po këtij viti, e pa penduar për shkatërrimin e shtetit në 1997, në “reformat” e saj udhëhiqej nga hakmarrja, pashpirtësia, çnjerzillëku. Familje të tëra i lanë pa asnjë të ardhur, deri te buka e gojës. Kënaqësinë më të madhe e kishin, kur ta dërgonin vendimin për largim nga puna një ditë para Vitit të Ri. E megjithatë ata përsëri flasin, ankohen, denoncojnë. Flasin ata që i nxorën me shqelma punonjëset e Bashkisë në Tiranë, kur sapo e fituan atë.

Këtu në Vlorë ata flasin se e gjejnë terrenin të zbrazur nga reagimet e Degës së PS-së.

Nuk ka shumë kohë dhe në qytetin tonë erdhën në një takim pune dy deputetë, K. K. dhe T. B. (po përdor inicialet për efekt etike). Në lajmet e mbrëmjes një televizion privat i qytetit bënte një shënim redaksional të gjatë, ku vetëm për nënë e për babë nuk i shante se, përse kishin hyrë në Vlorë “pa marr leje”! Trajtoheshin sikur kishin hyrë bajlozë, por “për fat“ ishte gjendur një deputet trim që u “kishte treguar atyre vendin”. Përshkrimi i redaksionales ishte aq fyes, aq pa edukatë, sikur këtu kishin hyrë diversant, por kishte dal një kapo deputet që i kishte përzënë, duke ruajtur “nderin” e vlonjatëve. Nuk dihet se “kunjat” e kujt ngulnin e nga kush ishin të shtyrë… Kam qejf të besoj se pronari i këtij televizioni nuk duhet ta ketë kaluar shëndever këtë sjellje inkorrekte gazetareske e qytetare.

Pavarësisht, se të tilla shënime mashtruese për të pavërtetat e tyre, nuk ngjitin në opinionin e shëndoshë, mendoj se një zë duhej të dëgjohej nga PS e Vlorës.

Kam vënë re se ky qëndrim apatik nuk është i ri në këtë degë të PS-së dhe nuk lidhet me drejtuesin e ri të saj. Ai kështu e ka gjetur, por kështu nuk duhet të vazhdojë.  Heshtja, apatia, proverbi i kalit që kaloi lumin, nuk janë karakteristika të elektoratit të majtë.

*Për sqarim: Kur them “ata“ e kam fjalën për përfaqësuesit e koalicionit të djathtë dhe kur them “ju“ e kam fjalën për përfaqësuesit e koalicionit të majtë.