Peshkimi në krizë, tregu po furnizohet me peshk importi

2752
Sigal

PRODHIMET E FRESKËTA/ Informaliteti me rrënjë të thella, mungojnë kontrollet për faturat tatimore

Ndërtimi i një porti të ri për peshkimin pas një debati që përfshiu për muaj me radhë të gjithë grupet e interesit dhe pushtetin lokal e qeverinë është fashitur, aq sa gjithçka duket se është harruar ndërsa nuk dihet, se ku ka përfunduar fondi prej 15.8 milionë euro i projektit ndërsa restorantet mbushen me prodhime deti nga India dhe Ekuadori.

Situata

Informaliteti me rrënjë të thella, mungojnë kontrollet për faturat tatimore. Mbi dy mijë ton prodhime deti janë importuar nga jashtë për tregun vendas. Peshkatarët durrsakë po e eksportojnë në Itali peshkun e freskët. Kërkesa për prodhimet e freskëta të detit në Durrës, në këtë periudhë është disa fishuar si pasojë e sezonit veror. Por pavarësisht kërkesës së lartë punonjësit e këtij sektori, janë ata të cilët gjenden në kufij të mbijetesës, me qindra të tjerë janë pa punë si pasojë e politikave të këqija në vite, por edhe si pasojë e informalitetit, i cili i ka rrënjët të thella në këtë sektor. Ndërsa kërkesa është rritur për prodhime të freskëta deti në të gjithë bregdetin, tregu po furnizohet me peshk importi, nga frigoriferët e vendeve fqinjë. Pothuajse të gjithë restorantet dhe dyqanet e peshkut në Durrës tregtojnë peshk importi të mbërritur nga India dhe Ekuadori. Nga të dhënat zyrtare të Doganës së Durrësit rezulton se vetëm në tre muajt e fundit kanë hyrë me qindra ton prodhime deti nga eksporti, si pasojë e rritjes së kërkesës në treg, e në anën tjetër e mungesës së prodhime të freskëta.

Problematika

Janë grosistët e mëdhenj ata që dirigjojnë këtë situatë dhe vendosin për çmimet e tregut të prodhimeve të detit. Flota e peshkimit në Durrës numëron 127 anije  dhe motopeshkarexha, nga të cilat  15 janë të tonazhit të lartë. Janë pikërisht këto anije që furnizohen me karburant në portet italianë dhe grekë. Çmimi i naftës për anijet e peshkimit në shtetin fqinj varijon 50 deri në 75 cent. Këto anije peshkimi, të cilat zotërohen nga disa pronarë dalin në det pa shqetësimin më të vogël sepse kapaciteti i tyre i lejon që të mos e ndërpresin për asnjë ditë punën. E janë pikërisht pronarët e këtyre anijeve të mëdha që thyejnë kanë thyer grevat e peshkatarëve në Durrës. Ndërkaq pasi e sjellin naftën nga shteti fqinj e shesin kundrejt çmimit prej 170 lekë për litër motopeshkatoreve të tjera duke e bërë të papërballueshme koston e gjuetisë në det për motopeshkatoret.

Rregullat e tregut

Të gjitha anijet i paguajnë detyrimet  ndaj shtetit, por rregullat e lojës nuk janë për të gjithë njësoj edhe në këtë rast, ku shteti nuk ka ndërhyrë për të rregulluar tregun. Situata është shfrytëzuar jo pak edhe nga grosistët që eksportojnë peshkun e freskët e importojnë peshkun e konservuar në vendin tonë me një çmim më të lartë se prodhimet e freskëta të peshkatarëve vendas. Rregullat e tregut nuk janë për të gjithë njësoj dhe në këtë situatë lulëzon informaliteti.