Peshkimi dhe akuakultura në ekonominë shqiptare

2135
Peshkimit në Shqipëri është një “zanat” tepër i lashtë, bazuar në të dhënat arkivore, historiografike dhe në të ato që ofrojnë dokumentet zyrtare. Gjithashtu nga dokumentat arkivore mësohet se peshkimi ka qenë i përqendruar fillimisht pranë liqeneve natyrore të Shkodrës, Prespës, Ohrit, në liqenet e Dumresë apo në lagunat bregdetare të Nartës, Butrintit etj. Pas viteve ’20, sidomos në periudhën e Mbretërisë së Zogut, të dhënat për veprimtarine e peshkimit në Shqipëri janë më të plota dhe të shoqëruara me dokumentacion të plotë mbi mënyrën e shfrytëzimit të burimeve ujore kombëtare për peshkim, mbi detyrimet financiare ndaj shtetit, mbi dhënien me koncesion për peshkim subjekteve vendase apo të huaja etj. Nga vitet 1948 -1952 gjuetia në lagunat e liqenet natyrore përbënte pjesën kryesore të peshkimit, ndërsa në det peshkimi ishte i kufizuar e sporadik dhe përfaqësohej nga sanalla me rrema pa motor, si në Durrës, Vlorë, Lezhë, Himarë e Sarandë. Organizimi i parë i peshkimit pas çlirimit u bë në gusht të 1947 ku me inisiativën e disa peshkatarëve privatë u themelua kooperativa e parë e peshkimit me qendër në Durrës dhe me agjensi në Nartë, Shëngjin dhe Shkodër.
Peshkimi dhe akuakultura në statistika sot në Shqipëri
Specialisti i Peshkimit në Durrës Rrahim Kokomani thotë për “Telegraf” se “Peshkimi sot në Shqipëri po mundohet të krijojë industrinë e tij të stabilizuar, ndërkohë që aktualisht vlera e prodhimit të peshkimit nga zeniet dhe akuakultura, llogaritet në rreth 40 milionë USD. Në totalin e vlerës rreth 22 milionë USD e përbën peshkimi në det, bregdet dhe ujëra të brendshme, rreth 8 milionë USD akuakultura dhe pjesa tjetër midhjet”. Vlera e tij rritet nga 10-30% në vartësi të llojit të peshkut, pra prodhimet e detit pësojnë një rritje me 10% të vlerës pas kalimit nga qendrat e grumbullimit të peshkut dhe 20% te tregtarët e vegjël dhe 20% në restorante kundrejt çmimit të stabilimenteve. Gjithashtu çmimi i shitjes së peshkut për eksport është rreth 25% më i lartë se cmimi i prodhimit. Prodhimet e akukulturës detare pësojnë një rritje prej 40% nga prodhuesi në tregtimin me pakicë dhe rreth 60% në restorante, kundrejt çmimit të prodhimit. Prodhimet e ujërave të brendshme zakonisht nuk pësojne rritje pasi janë vetë prodhuesit që shesin prodhimin e peshkuar dhe konsumi i tyre është kryesisht familjar. Në këto llogaritje nuk është mbajtur parasysh vlera e industrise përpunuese ku eksporti kap një shifër prej 16 milionë USD në vit si dhe prodhimi për vend llogaritet të shkojë në rreth 3 milionë dollarë. Vlerësimi i mësipërm është bër mbi bazën e të dhënave zyrtare mbi prodhimin. Megjithatë një pjesë e madhe e prodhimit nuk deklarohet ose vlerat e deklaruara janë shumë më të ulëta se ato realet. Gjithashtu duhet pasur parasysh që deklarimi i prodhimit nga akuakultura është shumë më i ulët se ai real, pasi një numër i konsiderueshëm qendrash punojnë në të zezë ose sasitë e deklaruara janë më të ulta se ato reale. 
Konsumi i peshkut në vendin tonë
Duke llogaritur një import të peshkut të freskët dhe të konservuar prej 3185 ton, eksportin e peshkut të freskët prej 550 ton dhe një prodhim vendas prej 7376 ton rezulton që konsumi për frymë, për një popullsi prej 3 milion banorësh, të jetë rreth 3.33 kg/frymë. Konsumi i peshkut është i përqendruar në pjesën perëndimore të Shqipërisë dhe shumë më pak në pjesën veriore dhe lindore të saj. Ky konsum është shumë i ulët në krahasim me mesataren e vendeve të Mesdheut që llogaritet në 15.1 kg/frymë (vendet jo anëtare të BE, 8.1 kg/frymë dhe vendet e Mesdheut anëtare të BE 30.7 kg/frymë), por megjithatë është në rritje. Në vitin 2005 llogaritjet tregojnë një konsum për frymë prej 3.03 kg/frymë. Peshkimi në Shqipëri në vitin 2006 kundrejt vitit 2005 ka pasur një rritje prej 14.9%. Në këtë rritje peshkimi detar ka një peshë prej 10% ku akuakultura ka dyfishim të prodhimit. Anijet e para të peshkimit profesional mbërritën në Shqipëri në vitet 1945-1946. Plotësimi me anije peshkimi filloi në vitet 1951-1952 me tre anije druri prej 140 HP. Gjithashtu në Kantierin detar në Durrës filloi ndërtimi i anijeve të peshkimit për sardelen me 80 Hp. Së bashku me 5-6 anije të marra ushtrisë si dhe 6 anijeve të ndërtuara në Itali flota e peshkimit në vitin 1960 mbërriti në rreth 30. Përgatitja e specialistëve të lartë të peshkimit, jashtë shtetit, për ihtiologë, mikrobiologë, akuakulturë, hidrokimistë, inxhinierë anijesh dhe sidomos hapja për herë të parë e shkollës së peshkimit ne një cikël në Durrës, i dha hov zhvillimit të peshkimit detar. Në këto kurse janë përgatitur me qindra specialistë peshkimi nga e gjithë Shqipëria, në profesionet: kapitene, motoristë, brigadierë, të cilët kanë qenë baza për shfrytëzimin e sukseseshëm të resurseve peshkore në vite, një pjesë e tyre vazhdojnë ende të punojnë në këtë sektor tepër të vështirë. 

Ndërtimi i anijeve në Shqipëri
Në vitin 1971 në Kantierin Detar në Durrës filloi ndërtimi i anijeve të peshkimit metalike me gjatësi 25 m dhe fuqi 400 Hp deri 575 Hp dhe më pas, në vitet 80, nisi ndërtimi i anijeve me gjatësi 22 metra dhe me fuqi 300 hp që do të zëvendësonin grupin e anijeve të sardeles në shkallë vendi, të cilat ishin teje mase të amortizuara. Konsumi i peshkut ishte në rreth 3.5-4 kg për frymë. Në vitet 80 iu dha rëndësi shtimit të numrit të anijve të peshkimit. Qëllimi ishte zëvendësimi I anijeve të vjetra fundore me rreth 40 anije të reja 400-575 Hp si dhe ndërtimi i rreth 30 anijeve të reja 300 Hp për sardelen. Peshkimi i sardeles pati një zhvillim më të madh për aresyen e kostove më të ulëta të punës kundrejt peshkimit fundor. Flota e sardeleve përbëhej prej 60 anijesh peshkimi nga te cilat 28 në Vlorë, 12 në Durrës 12 në Shëngjin dhe 8 në Sarandë. Prodhimi në vitin 1990 i sardeleve arriti në 5000 ton. Për përpunimin e tyre u ngritën edhe fabrikat e përpunimit, të prodhimit të konservave. Mbështetje të rëndësishme për zhvillimin e peshkimit dha gjithashtu ngritja e kombinatit të konsevimit të peshkut në Vlorë i cili më vonë u kthye në qëndrën me të madhe të përpunimit e konservimit të peshkut, sidomos të sardeles e cila tashme zihej me shumicë në të katër portet e vendit. Në fillim të viteve 90 peshkimi kaloi në një situatë të vështirë tranzicioni. Kalimi nga një ekonomi e centralizuar, në treg të liberalizuar si dhe eksodi i marsit të vitit 1991 e coi peshkimin detar në bllokim të plotë. Në vitin 1993 filloi privatizimi i flotës së peshkimit, ku anijet ju shitën peshkatarëve. 

Peshkimi dhe tranzicioni
Periudha e tranzicionit solli ndryshime të mëdha në strukturën e flotës duke e drejtuar kryesisht drejt asaj fundore. Në këtë periudhë u importuan kryesisht nga Italia por edhe nga Greqia rreth 150 anije peshkimi të cilat filluan të zëvendësojnë anijet e prodhimit shqiptar që kishin konsum më të madh të karburanteve, një pjesë e të cilave ndryshoi destinacion duke kaluar për transport. Probleme të tjera kishin të bënin me aspektet social ekonomike të karakterit ekologjik etj. Arsyet e këtyre problemeve ishin një seri faktorësh si ndryshimet strukturore në flotën e peshkimit, menyrat e reja të menaxhimit dhe marketingut, mungesa e infrastrukturës portuale dhe asaj ndihmese, emigrimi i një numri të madh peshkatarësh dhe si rrjedhojë rënia e nivelit profesional etj. Gjithashtu një dëmtim të dytë Flota e Peshkimit e pësoi gjatë vitit 1997 ku një pjesë e saj u grabit forcërisht për emigrimin e dytë për në Itali. Anijet e përfshira në këtë fenonomen ishin ato fundore, më të mëdha dhe të afta të përballonin kalimin e Adriatikut. Akuakultura është rritur me ritme të shpejta gjatë 10-vjeçarit të fundit në Shqipëri. Sipas të dhënave të INSTAT, në fund të vitit 2012 u kultivuan në rezervate dhe vaska të ndryshme të specializuara rreth 1250 tonë peshk. Gjatë 15 viteve të fundit, ky biznes është rritur mjaft. Operatorët e sektorit thonë se “rritja dinamike është pasojë e shtimit të shpejtë të konsumit të prodhimeve të detit në vend”. Por ata kërkojnë mbështetje nga qeveria që të mbështesin sektorin e peshkimit, pasi në vend është ende pa u shfrytëzuar peshkimi në det, për shkak të amortizimit të madh të anijeve të peshkimit.

Akuakultura në Shqipëri
Zoti Kokomani thotë se “Drejtoria e Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës” edhe në Durrës është krijuar me VKM nr.719, datë 20.10.2011 “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e drejtorisë së shërbimeve të midhjes dhe peshkimit”, ndryshuar me VKM nr.1068, datë 14.12.2013 ku ka marrë emërtimin “Drejtoria e Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës, më pas është ndryshuar me VKM nr.44, datë 29.01.2014 ku është përcaktuar “Fusha e Veprimit dhe Detyrat” dhe me Urdhrin nr.96, datë 21.02.2014 i është shtuar “Sektori i Monitorimit dhe Kontrollit” me inspektorë në të dymbëdhjetë qarqet e vendit”. 
Drejtoria e Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës
Struktura e Drejtorisë së Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës përbëhet nga Sektori i Akuakulturës, Sektori i Financës dhe i Shërbimeve, Sektori i Menaxhimit të Porteve dhe Sektori i Monitorimit dhe Kontrollit. Kjo drejtori ka mision përmbushjen e të gjitha shërbimeve të nevojshme shtetërore që lidhen me menaxhimin e infrastrukturës dhe të dhënave të peshkimit e të akuakulturës, si dhe garantimin e respektimit të kërkesave ligjore në mbrojtjen e peshkimit dhe akuakulturës në Republikën e Shqipërisë. Kjo drejtori menaxhon infrastrukturën e peshkimit, përfshirë portet dhe qendrat e peshkimit, grumbullon të dhënat e peshkimit, harton programet e ripopullimit të kategorive ujore, menaxhon qendrën dhe impiantet e midhjes. Gjithashtu ajo menaxhon ekonomitë e rasateve të peshkut në Zvezdë Korçë, të rasateve të koranit në Lin të Pogradecit dhe ekonomitë e tjera të rasateve të peshkut. Garanton respektimin e kërkesave ligjore në fushën e mbrojtjes së peshkimit dhe akuakulturës nëpërmjet monitorimit dhe inspektimit të veprimtarisë së peshkimit. Monitorimi dhe inspektimi i veprimtarisë së peshkimit kryhen nga sektori i monitorimit. 
Peshkimi përballë ngrohjes globale
Ngrohja globale duket se po ndikon në shumë gjallesa ku ndërmjet të cilave që janë vërejtur ndryshime janë dhe karkaleci i detit dhe arragosta. Specialisti i Peshkimit Kokomani shprehet se” kohët e fundit janë parë shumë ndryshime te specie detare. Një prej ndryshimeve që është parë është te Arragosta e cila jeton kryesisht në thellësi të madhe por këtë muaj në disa raste është kapur në një thellësi jo shumë të madhe, gjë kjo jo shumë e zakontë”. Ajo që është akoma më e çuditshme është se në rastin e fundit, është se Arragosta kishte dhe vezë gjë e cila ndodh zakonisht gjatë muajit prill, maj apo qershor. Një tjetër gjallesë e veçantë është dhe një specie e re karkaleci detar ose ndoshta është i njëjti që ka pësuar një muatacion. Kokomani tha se “specia e re nuk i ka ngjyrat e njëjta me ata që kapen zakonisht por ka një ngjyrë rozë të hapur. Kjo specie sipas tij nuk është vërejtur më parë por ka rënë në rrjetat e peshkatarëve të zonës, vetëm në muajt e fundit, këto ndryshime lidhen me ngrohjen globale, si rasti Arragostës, pasi ajo është një gjallesë që ka “termometrin” me vete dhe duke parë një temperaturë të favorshme për vezën e saj, kryen dhe vendosjen e vezëve në një vend që mund ti duket i përshtatshëm”. Komomani thotë se “vitet e fundit po shikohen shumë fenomene të tilla ndryshimesh,midis tyre dhe afrimi i breshkave të mëdha, të cilat ai i ndjek gati në çdo rast si dhe kryen procedurë e lëshimit”. Specialisti i Peshkimit dhe Akuakulturës Kokomani thotë se “Ministria e Bujqesisë dhe Qeveria Shqiptare po i kushtojnë kujdes maksimal këtyre sektorëve, por e rëndësishme është se duhen projekte dhe politika afatgjata për zhvillimin e kësaj industrie, e cila stimulon njëherësh edhe turizmin detar”. 
Sigal