Peshkatari që nuk përdori kurrë rrjetat, por vetëm grepat. Bisedë me peshkatarin e Sarandës, Qemal Sala-Bushi

2400
Nga Agron MEMA

Vështirë se gjen në qytetin e Sarandës mes banorëve të vjetër të saj që të ketë familje të mos merret me peshkim, kjo qoftë për sportivitet, qoftë edhe për të siguruar të ardhurat ekonomike familjare, qoftë për zhvillimin e aktivitetit tregtar, apo për turizëm në shumëllojshmërinë e gatimit duke i dhënë pjesës kulinare të turizmit aksese fitimprurëse dhe tepër shijuese të produkteve të detit. Një nga këta personazhe të amatorizmit, kështu mendon ta quajë veten ai pavarësisht se vitet e marrjes me peshkim e kanë kthyer nga amator në profesionist, padyshim është dhe shumë i mirënjohuri, Qemal Sala që në qytet e njohin me emrin, Bushi. E takojmë Qemalin mëngjeseve tek kafeneja e preferuar mes miqve të tij të shumtë dhe mes bisedës mësojmë se e ka filluar amatorizmin e sportit të peshkimit qysh vite më parë. Zanafilla hedh dritë aty nga viti 1970 kur Qemali qe ende djalosh i ri dhe sa kish filluar punën si mekanik në parkun e qytetit të Sarandës. Pas mbarimit të punës, mbasditeve i hypte biçikletës dhe shkonte në Butrint për peshkim. E ndjente argëtim, një lloj sporti, pa e ditur se një ditë do të bëhej mjeshtër i peshkimit. Aty buzë ujrave të kaltra, përgatiste kallamat, ushqimin në grepa dhe fillonte peshkimi. Dihet roli i këtij sporti edhe ndikimet shëndetësore të tij. Por Qemali kthehej me biçikletën e tij me rreth 5-6 kg peshk të kapur me grep. Kjo sasi ishte shumë për këtë lloj peshkimi. Dhe diçka konsumohej në familje, diçka tek komshinjtë e diçka edhe në tryezat miqësore me pak raki, verë apo birrë. Biseda me të rrjedh e këndshme mes kurioziteteve që lindin natyrshëm për botën dhe gjallesat nënujore, e sidomos për peshkun që sot është mjaft i kërkuar dhe shumë i shtrenjtë. Dhe Qemali nuk përton të përgjigjet në pyetjet dhe kuriozitetet tona. 

Pse me grep dhe jo me rrjeta, keni peshkuar dhe vazhdoni të përdorni këtë metodë?
Më shumë atëhere shkoja për sport, për argëtim, pasi dihen vetitë e vyera të këtij lloj sporti për trupin e njeriut. Por edhe se dija sekretin e peshkimit me grep. Grepi ka sekret, që nga lidhja, përgatitja dhe vendosja e karremit dhe zgjedhja e vendit ku do ta hedhësh. Këtij lloj peshkimi nuk i ndahem edhe sot, jo se nga njëherë nuk i përdor rrjetat, por rrallë. Më shumë grepat. Peshku vjen më i pastër, më i palodhur nga përpjekjet në rrjetë dhe si i tillë edhe më i shijshëm kur e konsumon. Meqë ra fjala tek konsumimi’ dua të them diçka që mendoj se ia vlen ta dinë edhe guzhinat, edhe konsumatorët e tij. Peshku nuk duhet ngrënë kurrë i skuqur, me përjashtim të disa llojeve të veçantë. Kjo sepse peshku i skuqur është i dëmshëm se prek organet e brendshme të trupit të konsumatorit dhe sidomos dëmton rëndë mëlçinë. Peshku duhet konsumuar i pjekur, tavë dhe supë. Kjo i jep më shumë vëera trupit tonë dhe ka më shumë shije, hap oreksin. 

Po nga parku ç’farë mbani mend?
Kam kujtime të bukura. Kam rininë. Kam shokët e shumtë, disa jetojnë e disa jo. Kam shumë…Qe jetë e bukur, pavarsisht se me punë të lodhshme. Po sot pa punë fare? Metoda e emulacionit qe shumë e bukur. Nxitëse. Le ta thonë e komentojnë si të duan, por kish efekte ndërgjegjësuese. Të vinte inat të ta kalonte tjetri. Lëvonte sedra dhe përkushtimi për punën, shpesh edhe jashtë orarit të punës. Ndryshimi i sistemit i shkatërroi këto. Në gjithë botën ka kooperativa të bashkuara të zanateve dhe zejeve të ndryshme. Po të ekzistonte parku në këtë formë, sot do të kish më shumë të punësuar, përqendrime të këtyre shërbimeve dhe përgatitjen e brezit pasardhës se më duket po harrohen fare. Por kjo mbetej vetëm për emulacion se sa për shpërblimin ajo kohë s’mund të themi se shpërbleheshim. Sot shpërblehesh për punën, por atë kur e ke. Por drejtuesit na vlerësonin. Kujtoj se njëherë erdhi sekretari i parë i partisë së rrethit të Sarandës në park. Isha pa shtëpi. Vendosa t’i them. Shkova pranë Aro-s së tij. Shoferi më tha që rri tek porta e makinës nga hypën ai. Thuaja sot se është në qejf dhe mund të mbarosh punë. Mos lëviz, po kapi portën. Ashtu bëra. Më dëgjoi dhe më tha se do më ndihmojë. Atherë nga gëzimi i thashë se atë hyrje kurrë nuk do ta shes e nuk do ta jap me qera. Dhe sot kam bërë një shtëpi timen me standarte të kohës, por atë hyrje as nuk e kam shitur e as nuk e kam dhënë me qera. E mbaj si kujtim të atij burri, por dhe respekt të punës dhe djersës sime. 

Na bëri përshtypje që thatë se vetëm me grep dhe në më pak se tri orë peshkim, arrinit të kapnit 5-6 kg peshk. Ndërsa sot me grep apo dhe me rrjeta, shpesh këtë sasi duhet ndoshta dhe një javë ta kapësh. Pse ndodh kjo?
E vërtetë është se sot nuk ka peshk si atherë. Po pse? Ka shumë arsye. Mund të them se ndaj peshkut veprohet me sulme barbare, sidomos nga peshkatarët klandestinë e kantrabandë. Përdorimi i rrymës elektrike dhe lëndve plasëse janë katastrofike për të. Zhduk gjithshka nga këto gjallesa. Dëm i madh! Gjuhet peshku me vezë dhe kështu humbet sasia e riprodhimit të tij. Dhe koha e riprodhimit ka ndryshueshmëri. Vetëm qefulli ka shtatë lloje dhe shtatë kohë të ndryshme riprodhimi dhe pllenimi. Ti vete e gjuan në këtë kohë, athere ç’pret? Por edhe laguna që lidh Liqenin e Butrintit me ujrat e detit Jon duhet pastruar, pasi pengon lëvizjen e peshkut për pllenim, por sidomos ngjalës. Duhet kujdes dhe ndërhyrje. 

Faleminderit!
Sigal