Pesha e karriges

636
Pogradeci është magjik në stinën e verës. Kohë pushimesh në ditët e fundjavës. Buzë liqenit në lokalet luksoze në Tushemisht sheh të pushojnë politikanë, ish ministra, ministra dhe ata që janë në listat si kandidatë për qeverinë e re, kryetarë partish, një takëm bosësh kryesisht ndërtues që kanë ardhur familjarisht dhe iu bëjnë shoqëri shefave që janë piketuar për karrige qeveritare. Të veshur me rroba dhe kapela sportive në kokë, duken njerëz krejt të zakonshëm, por ky është vetëm imazhi skenik i tyre. Nëse do t`i shikosh më imtësisht dallon se telefonin nuk e heqin nga veshi për asnjë çast dhe sheh që mimika e fytyrës së tyre herë çelet dhe herë merr pamje të vrenjtur. Pranë tyre qëndrojnë një takëm biznesmenësh sponsorë të tyre që i mbajnë veshët ngritur si të lepurit, të cilët janë në rezonancë me shefat e tyre. Ata harrojnë dhe ngrejnë edhe tonet e zërit pasi janë jashtë kontrollit. Ky Uikendi në Tushemisht pas fitores së PS ishte krejt specifik. Sulmet që i ka bërë deputeti Ben Blushi të majtës dhe disa figurave qendrore të politikës u ka lënë një hije mavi poshtë syve. -Iku Ben Blushi, e ngre zërin një biznesmen i dhjamur , – na çau kokën vërtet në parlament, më keq se Berisha! Telenovelë e shëmtuar, quhet nga një takëm prej mazhorancës. Por realisht ai iu ka vjedhur gjumin dhe u ka sjelle jo pak trazime. Ata sjellin kundër argumente ndaj Blushit .Talulant Balla dhe Erion Braçe e kundërshtojnë me argumentet e tyre, por a ngjitin tek ne populli tani që janë duke u ndarë thelat e mëdha – Kalë Troje, ia pret tjetri, vetë të pështyn në çorbë njeriu i shtëpisë të majtë kanë një ngazëllim që Blushi siç thonë ata do të jetë tashmë deputet i rrjeteve sociale. – Edhe Ilir Beqja ka ngelur jashtë qeverisë e hëngri qafën e patës ai!… -Ore po Kaç Islamin si e lanë ata të PD-së, si mall stok! Një bos ndërtimi nga Tirana porosit si merakli në kuzhinë tava korani dhe verë artizanale prej buti. Dhe thashethemet vazhdojnë … -Dëgjoni xhaxhanë, thotë një i moshuar, është rast i rrallë që të bëjnë nuse e të nusërosh dy herë siç I ndodhi Ramës . E mori timonin, por makina të ikën në greminë. Duhet ta fillojë nga kuadrot drejtues i ka copë-copë. Më thanë që në Mokër është një drejtor shkolle që ka qenë taksist… -Po ka shumë, ia pret tjetri, sa ka me diploma false që hanë bukë… -Po ta pyesësh ndonjërin prej tyre, se kë ke pasur shok në fakultet, skuqen dhe të thonë nuk mbajmë mend…

Këto ishin ca copëza fragmentesh nga këta persona VIP që tashmë kanë ngritur veshët përpjetë si të lepurit se çfarë llokme do të kapin në qeverinë e re, kush është dhe kush nuk është në listën e re të qeverisë. Disave iu qesh fytyra, ca të tjerë mërziten… Janë bosë ndërtimesh që kanë interesa jetike me këta burra të rëndësishëm që do të marrin së shpejti karrige të mëdha. -Po ç`t’i bësh, ia pret tjetri, ca na pëlqejnë e ca s`na pëlqejnë …

Ndonëse qëndrojnë me pushime pak metra më poshtë rezidencës së Enver Hoxhës gjoja të braktisin rutinën rraskapitëse të jetës aktive dhe të fushatës tepër të lodhshme dhe rraskapitëse ku luftuan “me mish e shpirt” tani ata duan karriget. Edhe pse ata kanë ndryshuar peizazhin, të ushqyerit me tava korani, mish kaprolli dhe lepuj të egër (edhe pse gjuetia është e ndaluar ) dhe gjumin e bëjnë pa zile ata kanë ngelur “rob” të etheve dhe të pasioneve për karrige ministrore. Ata duken të çorientuar pasionantë, të tendosur të mbërthyer nga emocione të forta, të cilat nuk mund t`i zotërojnë… Shpesh iu shfryjnë fëmijëve të tyre se pse qëndrojnë shumë në ujin e liqenit, se mund të ftohen… Ata ndihen të zbrazët dhe gjithë ankth. Kur dikush iu telefonon nga Tirana ata herë qeshen dhe herë ngrysen në fytyrë sikur iu është hapur ndonjë humnerë. Ata e pranojnë, jemi të lodhur fizikisht dhe mendërisht, madje edhe emocionalisht. Edhe pse ndodhen para këtij peizazhi tepër çlodhës, me liqenin në gji ata e kuptojnë se në thellësi të tyre diçka nuk është çlodhur. Ata nuk arrijnë të ndriçojnë ato skena të shpirtit ku e pavetëdijshmja e errët iu fsheh lëvizje të mistershme që edhe pushimet më të mrekullueshme nuk arrijnë që t`i qetësojnë . Për “Ata” nuk ka prehje dhe pushime këto ditë kur ata janë të mbërthyer nën peshën e karriges .dhe presin thelat e pushtetit. Madje dhe të afërmit e deputetëve të zgjedhur kanë mbajtur frymën pezull. Edhe ata presin tenderë, koncesione, rregullimin e farefisit në punë, vëllait motrës sikur pushtetin ta kenë një lopë dhe ta mjelin vetëm ata për interesat e tyre. Dhe të kesh krye karrigen e një drejtuesi ministrie apo drejtor drejtorie nuk është pak se të tjerat vijnë pas saj: tenderë e koncesione. Dielli është në të perënduar sipër maleve të Mokrës dhe një breg i tërë i liqenit prushitet prej zjarrit të diellit në perëndim që ngjitet lart e lart deri sa djeg me flakë majën e Malit të Thatë dhe ndonjë person tjetër VIP që ka humbur në zgjedhje të afërmin e tij… Klithja e pulëbardhave në liqen ngjan me një kor vajtojcash që i shkon këtij dekori të këtyre fatkeqëve, shumica prej tyre shohin ëndrra me sy hapur …ndërsa një takëm tjetër e derdhin shampanjën lumë.
Bardhyl Berberi
Sigal