Pesëdhjetë milionë euro për Lurën…

668
Abdurahim Ashiku

Qafa e Mërkurthit ndan Dibrën me Mirditën, më saktë Lurën me Mirditën…

Nga maja e saj shoh dredhat e rrugës që zbret drejt Kurbneshit. Nga maja e saj, pas një rrotullimi njëqind e tetëdhjetë gradë shoh teposhtën që zbret bjeshkëve të Krej-Lurës, shtëpitë me qoshe mermeri të kuq shkulur nga shkëmbi që merr i pari rrezet e diellit (mbase për këtë është bërë edhe i kuq) për t’i zbritur e ngjitur sekonda më pas Arrëmollës, Pregjë Lurës… Rrotullohem përsëri njëqind e tetëdhjetë gradë dhe në sy më vjen një pamje e bukur e freskët ku era e ziftit përzihet me atë të luleve të pranverës… Rruga sapo është ngjitur në Qafë. E vizuar bukur…Me shenja rrugore që shkëlqejnë…Gjashtë metra e gjerë…Nuk më besohet…I them një njeriu që si edhe unë ia ka ngulur sytë pamjes.

– Më picko të lutem! Më pickoi.- Fort, fort.Ndjeva dhimbje sa mishi nën këmishën krah shkurtër u skuq si të lyhej me bojë.-Faleminderit!- i them. Nuk qenkam në ëndërr…Poshtë, trasesë që zbret për në Krejë Lurë për të marrë Zabelin e Nikës e për t’u ngjit në Lurën e Vjetër, makinat e rënda, buldozerët, kreperët, rulot…vazhdojnë ec e jakët në një garë kush t’ia kalojë njerës e kush t’ia lëshojë vendin tjetrës…Një tabelë e madhe më ngop sytë…Një hartë gjarpëruese më merr me vete për të më ngjitur në të përpjetat e liqeneve të Lurës. Skema e rrugës, midis kurorave të pishave dhe gjelbërimit pranveror, e gjerë gjashtë metra, vizuar e bardha mbi të zezë, më flladit duke ma mbushur gjoksin me aromën e luleve të Livadhit të Gjergjit e pesë liqeneve që si kurorë i mblidhen Liqenit të Madh, Liqenit të Koçekut, me një gojëdhënë shtojzovallesh nga më të bukurat. E lë hartën…Marr rrugën ulur në ndenjësen e parë të një makine tank nga ata që s’pyesin për gurë e shkrepa në rrugë. Ecja dhe pas më vinte asfalti i zi dhe vizat e bardha mbërthyer pas tij… Syri më kish kapur një oaz mes pyjeve që dikur i kam rënë mes përmes për t’u ngjitur kreshtës nga ku Zall-Gjoçajn e tërë luginën e Matit e merr në dorë si të marrësh një thëllëzë të sapodalë nga guaska e vezës. I kalova të gjithë liqenet njeri pas tjetrit; të Ziun, të Kallabës, të Luleve…Ishin tërë ngjyra ndryshe nga fotot e arkivit tim bardh e zi, fiksuar një gjysmë shekulli më parë…Në Fushë të Pelave po zbriste duke fishkëlluar helikat një helikopter i bardhë. Në qendër një pistë uljeje shtruar mbi dërrasa pishe dhjetë centimetra të trasha nuk i kishte lënë vend betonit aq të dëshiruar e lakmuar nga qeveritarët. Rreth e qark popull, shumë popull. Kishin ardhur, jo vetëm nga kurbeti brenda vendit, nga Bathorja, Kamza e Këneta e Durrësit… por edhe nga Amerika, Kanadaja, Australia… Nga Evropa po e po, nga zona e Mesdheut dhe nga ajo e rrethit polar. Nga helikopteri zbriti një njeri i gjatë. Aq i gjatë ishte sa u kërrus fort për të dalë nga dera e makinës fluturuese… Mikrofonat ia afruan aq afër gojës sa dukej se po i zinin frymën. Kamerat filmuese dhe fotografuese fiksonin historinë… Nuk dëgjova gjë nga ato që tha… Atë çast ra zilja e telefonit… Ishte Aleksi që si çdo ditë më ftonte të pimë kafe në sheshin para kishës Agio Nikolao, sipas stilit gjerman “secili nga xhepi i vet”, nga një euro ekspresi… U vonova dhe kafja e porositur si gjithnjë nga ai, ishte ftohur… Hyra në internet dhe pashë se ato pesëdhjetë milionë euro që Evropa i akordonte Shqipërisë për ndërtimin e rrugëve ishin për… Nuk po e them. Pse ta them kur nuk ishin për Lurën, Perlën e perlave të bukurive shqiptare, një ndër bukuritë e shumta të Dibrës që unë i kam me vete në mërgim nëpërmjet fotove bardh e zi? Edhe po ta them nuk ia vlen, thjesht se për të nuk ka zëra ta lakojnë, nuk ka veshë ta dëgjojnë, nuk ka sy ta shikojnë…
Sigal